Të dhënat më të reja të vitit 2020 tregojnë se ngujimi (karantinimi) si rezultat i virusit me kurorë (Covid-19) ka ndikuar në rënien e kërkesës për rrymë elektrike në botë. Në vendet e zhvilluara si Britania e Madhe, shumica e kërkesës ishte plotësuar nga energjia e rinovueshme. Kjo na çon të mendojmë për rrjetin e dekarbonizuar, sfidat me të cilat përballemi dhe si t’i zgjidhim këto. Sipas Forumit Ekonomik Botëror, kjo situatë e paprecedentë mund që të na japë një mësim të vlefshëm për një shërbim që shumë pak ka të bëjë me shëndetësinë – elektriciteti.
Impiantet e rinovueshme dhe nukleare ishin burimi kryesor i gjeneratorëve të rrymës elektrike gjatë ngujimit dhe siç thamë më lartë, kjo situatë erdhi si rezultat i rënies së kërkesës për furnizim me rrymë elektrike, e si pasojë rënie të çmimeve në tregun e elektricitetit, përcjell Nistori. Këto impiante kanë shpenzime të ulëta ose edhe zero për karburant. Por, vënia në funksion të një sistemi elektrik që mbështetet vetëm në njësi të rinovueshme dhe nukleare, tani për tani, është e pamundur. Në këtë rast mungon fleksibiliteti.
Por, çfarë në të vërtetë është ky “fleksibilitet” që ofrohet nga impiantet e gazit, por jo nga ato të rinovueshmet? Dallimi është te koncepti i thjeshtë: inercia. Inercia ka të bëjë me rrotullimin e masave te gjeneratorët termalë (si impiantet energjetike që djegin gaz dhe thëngjill), të cilët deponojnë në mënyrë natyrale energji kinetike, pasi rrotullohen për të prodhuar energjinë që ne e harxhojmë. Këto masa janë një zbutës i vlefshëm energjetik, që lirojnë energji në mënyrë të vetvetishme (spontane), nëse papritmas shfaqet kërkesë e pabaraspeshuar.
Nga ana tjetër, energjia e rinovueshme nuk kontribuon në mënyrë natyrale ndaj inercisë së sistemit, që paraqet shkakun se përse janë sfidues për ta ruajtur baraspeshën energjetike në rrjet. Inercia na mundëson që t’i ikim errësimit, një nevojë edhe më kritike, pasi jemi duke u bërë gjithnjë e më shumë të varur nga elektriciteti.
Si përfundim, analiza që përcjell Nistori, tregon se ngujimi si rezultat i virusit me kurorë demonstroi një ndryshim të qartë në paradigmën e rrjeteve elektrike: rrjetet e së ardhmes që do të dominohen nga energjitë e rinovueshme dhe mungesa e inercisë do të kenë dinamikë të shpejtë, krahasuar me rrjetet e së kaluarës që janë dominuar nga gjeneratorët termalë. Kjo është sfiduese dhe ofron mundësi. Ndryshimet do të ndodhin shumë më shpejtë, por edhe ne do të kemi mundësi që të reagojmë shumë shpejtë. Sipas Forumit Ekonomik Botëror, Rrjeti i dekarbonizuar i të ardhmes do të jetë i shpejtë si Ferrari, krahasuar me paraardhësin e tij, që është pak a shumë si një kamion.