Escobar: RMV ka bërë të gjitha reformat e nevojshme për të hapur derën e parë drejt BE-së

    Maqedonia e Veriut ka bërë të gjitha reformat e nevojshme për të hapur derën e parë drejt BE-së dhe qeveria ka kapacitetin për të bërë atë që është e nevojshme që vendi të bëhet anëtar i plotë i Unionit, tha Gabriel Escobar, zv. ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor.

    Në një ngjarje kushtuar të ardhmes euroatlantike të rajonit të mbajtur mbrëmë në Këshillin Atlantik në Uashington, ai deklaroi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është partner i mirë në zbatimin e agjendës së integrimit evropian.

    “Ata janë një partner i mirë dhe i përkushtuar dhe do të ofrojnë përfitime edhe për BE-në”, tha ai.

    Sipas tij, procesi i anëtarësimit duhet të jetë më i shpejtë, duke vënë në pah shqetësimet e brendshme në BE.

    “Ka votues që me të vërtetë shqetësohen se çfarë do të bënte zgjerimi për ta. Dhe mendoj se është një punë për të gjithë ne që t’i bindim ata se Bashkimi Evropian do të jetë më i fortë dhe më i begatë me këto vende”, tha Escobar, duke aluduar për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

    Escobar tha se kriza në Ukrainë vetëm tregoi urgjencën e shtuar për zgjidhjen e problemeve në rajon, si ato ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe nevojën për përshpejtimin e proceseve që do ta çojnë rajonin në drejtimin e duhur. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Reforma tatimore, me masa të buta pa taksa të reja

    Lajmi i rradhës

    Qeveria e RMV-së promovon strategji për të drejtat e personave me nevoja të posaçme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë