Kriza energjetike shton frikën te qytetarët e RMV-së se si do t’i mbijetojnë dimrit

    “Ajri jashtëzakonisht i ndotur, ndotësi dominues është PM 2.5!” Ky është mesazhi që mund të shihnin në celularët e tyre këto ditë shumë banorë të Shkupit që përdorin aplikacionin “Ajri im”, i cili mat cilësinë e ajrit. Edhe pse sezoni i ngrohjes sapo ka filluar, në disa pjesë të Shkupit tashmë po thithet ajër i rrezikshëm. Kriza energjetike vetëm sa shtoi frikën e banorëve të kryeqytetit se si do t’i mbijetojnë dimrit, në kushtet kur në mungesë të gazit, drurit apo peletit të shtrenjtë, po rikthehen metodat më të lira të ngrohjes të cilat ndotin mjedisin.

    Është e vështirë të thuhet gjatë dimrit se sa nga qytetarët do të kalojnë në karburantet që ndotin mjedisin, por të dhënat e Entit të Statistikave tregojnë se rreth 40 për qind e popullsisë jeton në kufirin e varfërisë përpara se të marrin asistencë sociale apo pension.

    “Kjo do të thotë se kur të rritet çmimi i druve të zjarrit ose peletit, ato familje do të vendosin të përdorin diçka që është më lehtë e disponueshme dhe më e lirë”, thotë Davor Pehçevski, koordinator i energjisë në “Eco-svet”. 

    Ata së fundi reaguan ndaj njoftimeve të ESM se do të fillojë testimin e motorëve të rinj me naftë në termocentralet në Shkup.

    “Njoftimet e tilla nga ESM janë joserioze dhe të panevojshme në kushtet kur gazi natyror është në dispozicion si zgjidhje dhe çmimi i tij së paku në këtë periudhë nuk është më i lartë. Nga fillimi i nëntorit çdo ditë janë tejkaluar vlerat e lejuara të ndotjes së ajrit në Shkup, e cila në disa ditë është dyfish më e lartë se sa lejohet. Me përdorimin e naftës në termocentrale, edhe vetëm në këtë periudhë testuese, ndotja do të rritet edhe më shumë”, theksoi Pehçevski.

    Ndonëse për të dytin dimër radhazi po përballemi me krizë energjetike, sipas ambientalistëve, vendimet e marra për tejkalimin e saj duhet të jenë transparente dhe të sjellin përfitime në planin afatgjatë, në mënyrë që kriza të mos përsëritet vitin e ardhshëm. Ata janë të bindur se shqetësimi për shëndetin publik duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes në krizën energjetike.

    Ministria u bëri thirrje qytetarëve dhe të gjitha institucioneve, si dhe sektorit privat, për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi me aftësi përshtatjeje.

    “Të bëjmë zgjedhje të zgjuara jo vetëm në mënyrën e ngrohjes, zgjedhjen e lëndëve djegëse më ekologjike, më efikase, por edhe në përdorimin racional të automjeteve dhe depozitimin e duhur të mbetjeve si faktorë kyç të ndotjes, sepse në fund të fundit, të gjithë thithim të njëjtin ajër. E drejta për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm jetësor është e drejta jonë, por edhe obligim i secilit prej nesh ndaj mjedisit në të cilin jetojmë”, theksoi Nuredini. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Tetovës i duhen edhe dy vite për një plan të ri urbanistik

    Lajmi i rradhës

    Sa do të rritet tatimi për bizneset dhe qytetarët në RMV në vitin 2023?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë