Kurti: U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pasi një grua shtatzënë është vrarë mbrëmjen e së mërkurës në QKUK.

    Ai përmes një shënimi në Facebook e ka quajtur të papranueshme dhe të padurueshme këtë vrasje.

    “Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj”.

    “Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, ka shkruar Kurti.

    Ndryshe, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për vrasjen e një gruaje të moshës rreth 35-vjeçare.

    Çfarë ndodhi?

    Një grua shtatzënë, ka mbetur e vdekur përballë Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare.

    Rasti e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

    Ajo ka thënë se dyshimet e para çojnë tek vrasja, ndërkaq viktima është e moshës 35-vjeçare.

    “Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35-vjeçare”.

    “Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

    Për rastin ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

    “Qendra Klinike Universitare e Kosovës konfirmon se sonte rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së ka ndodhur një vdekje. Organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje”.

    “Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes.
    Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”, thuhet në reagim.

    Jo, zyrtarisht mësohet se gruaja është vrarë me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj, dhe ishte në javën e 41-të të shtatëzënisë. 

    Lajmi Paraprak

    Fajon: Bosnjë-Hercegovina është jashtëzakonisht e rëndësishme, të marrë statusin e kandidatit për në BE deri në fund të vitit

    Lajmi i rradhës

    Parlamenti gjerman e njeh si gjenocid urinë në Ukrainë në vitet ‘30

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë