Maqedoni, shoferët po shkelin rregullat në komunikacion

    Vetëm gjatë natës së kaluar 424 qytetarë në vend kanë tejkaluar shpejtësinë me automjetet e tyre. Disa kishin tejkaluar shpejtësinë e lejuar nga 50 deri në 70 kilometra, madje edhe në zonat e banuara.

    Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski, thotë se pavarësisht aksioneve të policisë për kontrolle më të shpeshta, përsëri ka nga ata qytetarë që  vazhdojnë të shkelin rregullat në komunikacion.

    Jo më larg se një natë më parë, radarët e policisë sinjalizuan për një automjet që në zona të banuara lëvizte me shpejtësi prej 107 km në orë.

    “Shkelja më e rëndë është tejkalimi i shpejtësisë, sepse kjo sipas të gjitha analizave tona, por edhe atyre ne nivel botëror është arsyeja më e shpeshtë për aksidente të rënda në komunikacion, ku kemi lëndime të rënda trupore, por edhe viktima. Ajo që po bëjmë në terren është duke dhënë rezultat. Në gjashtë muajt e parë kemi 44 viktima nga aksidentet, 14 me pak krahasuar me vitin e kaluar”, tha Toni Angelovski- zëdhënës i MPB-së.

    Ai apelon deri tek qytetarët, veçanërisht ata që tashmë vizitojnë vendin për pushime verore që gjatë udhëtimit të ndalojnë për t’u çlodhur, sepse siç thotë shumë aksidente ndodhin si pasojë e lodhjes. Ndërkohë qytetarët që anketuam thonë se shpesh kanë pasur raste kur janë ndjerë të rrezikuar, ndërsa me të shqetësuar janë për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara, pasi siç thonë kjo rrezikon fëmijët e tyre.

    “Gjithkush do të frikësohej. Edhe ajo ka ndodhur, disa herë. Sapo arrin në mes të rrugës, kalon vetura me shpejtësi dhe t’i ngrin në vend. Trembesh”, thotë një qytetar.

    “Ka raste, ka. Sidomos me motorët është e tmerrshme, këtu në bulevard, na ngriten flokët përpjetë. Tani shpejt kishte një rast tek semafori i radhës… e la në vend. E mësoj asessi ndryshe, vetëm kapur përdore me gjyshen”, shprehet një qytetar tjetër.

    “Në vendet e banuara nuk duhet të drejtohet automjeti më shumë se 50 km në orë dhe jo 100. Kalojnë me shpejtësi 100 apo 120 km në orë. Në qendër, në qendër, pak më parë erdha, para tregut të gjelbër, çfarë t’i thuhet asaj”, theksoi një tjetër qytetar.

    “Nga njëra anë në anën tjetër kanë njëfarë distance dhe sidomos natën, unë nuk e di se çfarë bëjnë. Këtu ka polici dhe aspak nuk u intereson ky fakt po vazhdojnë të kalojnë sikur bëjnë gara”, tha një qytetar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ende nuk ka përgjegjësi penale për drejtorin e Kopshtit Zoologjik dhe punëtorët

    Lajmi i rradhës

    Kociq: Të gjitha gënjeshtrat e VMRO-DPMNE-së dhe Levicës ranë në ujë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë