Maqedonia e Veriut filloi etapën e fundit drejt BE-së, tempoja e rrugëtimit varet prej institucioneve

    “Procesi filloi para dy ditësh më 19 korrik kur e mbajtëm konferencën e parë ndërqeveritare që e shënon etapën e fundit të rrugës tonë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian, me qëllimin final që qytetarët tanë dhe fëmijët tanë të jetojnë më mirë dhe të jetojnë sikurse të gjithë popujt e tjerë evropian”, porositi dje zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

    Ai potencoi se “ky është përcaktimi ynë strategjik që nga pavarësimi i shtetit që u bë realitet pas 21 vitesh nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe 17 vjet pasi e morëm statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”.

    “Në interesin tonë është që t’i realizojmë dy interesat tona – ta mbrojmë gjuhën tonë maqedonase, identitetin dhe veçantinë dhe të bëhemi anëtare e BE-së. Këto janë synimet tona që nga pavarësia dhe si Qeveri i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë qëllime të arritshme dhe që në të njëjtën kohë të mbetemi maqedonas që flasin gjuhën maqedonase dhe të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Mendoj se jemi në rrugë të mirë për ta arritur këtë”, potencoi Mariçiq.

    Ai sqaroi se skriningu, edhe pse shihet si operacion teknik duhet të shihet si element thelbësor i negociatave aderuese, pasi e jep pasqyrën për gjithçka që duhet të bëjmë në vitet që vijojnë me qëllim që t’i zbatojmë reformat nga agjenda e BE-së dhe t’i hapim, të kemi progres dhe t’i mbyllim kapitujt dhe klasterët.

    Mariçiq theksoi se tani më 45 për qind e legjislacionit tonë është harmonizuar me atë evropian dhe paralajmëroi se skriningu nëpër klasterë dhe kapituj zyrtarisht fillon më 15 shtator dhe pret ai të përfundojë deri në nëntor të vitit 2023.

    Ndryshe, vendi në vitin 2018 dhe 2019, vendi kaloi një fazë të takimeve shpjeguese dhe përgatitore për të 33 kapitujt përpara se të shpallej metodologjia e re për zgjerimin e Unionit dhe gjatë kësaj periudhe Komisioni Evropian i prezantoi mbi 8000 akte të BE-së, në të cilat përpunojnë rreth 2000 nga nëpunësit tanë civilë.

    “Nëse Serbia dhe Mali i Zi negociojnë për 10 vjet, dhe ne dhe Shqipëria po e fillojmë tani, duhet të kemi një motiv për të ardhur afërsisht në të njëjtin nivel të fazës së kapitujve të hapur dhe të mbyllur, në mënyrë që të shpresojmë që të kemi një shans për të hyrë së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi kur dhe të jetë zgjerimi i parë i mëpasshëm i BE-së”, tha Mariçiq.

    Lidhur me kushtin e dytë për vazhdimin e procesit negociues nëpër klasterë dhe kapituj me të cilat në Preambulën e Kushtetutës duhet t’i përfshijmë bullgarët dhe komunitetet tjera të interesuara, zëvendëskryeministri theksoi se për këtë Qeveria akoma nuk ka përcaktuar kalendar apo dinamikë për ndryshimet kushtetuese, por prej nesh varet nëse pas përfundimit të skriningut do të ndalemi këtu ose do të vazhdojmë me negociatat.

    “Do t’i shqyrtojmë me vëmendje rrethanat dhe mënyrën se si do ta hapim dialogun në Kuvend dhe qëllimi i hapjes së procesit të ndryshimeve kushtetuese është që ato të përfundojnë me sukses. Në momentin kur do të fillojë dialogu në Kuvend dhe mes partive politike, do ta përcaktojmë këtë çështje dhe kjo sigurisht do të jetë pas pushimeve verore të Kuvendit dhe më pas do të mund të flasim për një kalendar të saktë. Më e rëndësishmja për ne nuk është as të ecim shpejt e as të vonohemi, por procesi të ketë rezultat pozitiv”, theksoi zëvendëskryeministri Mariçiq.

    Ai thekson se nuk kemi afat për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa data nëntor 2023 është vërtetuar si hark kohor për përfundimin e skriningut dhe madje nëse deri atëherë përfundojnë të gjitha skriningjet, miratohen raportet e Këshillit të BE-së dhe përcaktohen standardet për hapjen e klasterëve, që të shkojmë në fazën tjetër duhet ta përfundojmë ndryshimin e Kushtetutës.

    “Nëse do ta arrijmë këtë deri në nëntor të vitit 2023 apo pas nëntorit të vitit 2023 varet nga ne dhe nga disponimi në Kuvend. Mendoj se është në interesin tonë që kjo të ndodh sa më shpejt që ta fillojmë si detyrë dhe të mos kemi një detyrë tjetër deri në konferencën e ardhshme ndërqeveritare. Dinamika ende nuk është përcaktuar, por do të ketë kohë të mjaftueshme për ta racionalizuar fillimisht debatin, për të pasur hapësirë ​​për argumentim, për shkëmbim idesh dhe një dialog real politik me të gjitha partitë politike dhe deputetët në Kuvend, në mënyrë që të ketë një atmosferë për arritjen e shumicës së nevojshme prej dy të tretash”, tha zëvendëskryeministri.

    Lidhur me kërkesën e VMRO-DPMNE-së për referendum për Kornizën negociuese, Mariçiq theksoi se “tashmë kemi nxjerrë mësime” me iniciativa të tilla.

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia në fazën e portokalltë, Ministria e Shëndetësisë del me rekomandime për qytetarët

    Lajmi i rradhës

    HRW akuzon Rusinë “për krime lufte” në jug të Ukrainës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë