Maqedonia më e shtrenjtë se Kosova, më e lirë se Shqipëria

    Nëse regjistrimi i një biznesi në një prej vendeve të Ballkanit mund të ketë kosto financiare më të lartë, apo procedura të komplikuara dokumentacionesh, Maqedonia e Veriut konsiderohet si një prej atyre shteteve ku fillimi i një aktiviteti të ri është deri diku i favorizuar. Duke iu referuar të dhënave nga raporti i “Doing Business” të Bankës Botërore, mund të listohen vendet e Ballkanit sipas kapitalit fillestar më të madh për të filluar biznesin. Si vendi më liberal në rajon për çeljen e një biznesi është Slloveni, ku regjistrimi i një kompanie është falas. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në këtë vend kostot fillestare për një biznesmen janë të barabarta me zero, pasi nuk ka asnjë lloj kostoje administrative që lidhet me hapjen e një kompanie të re. Kërkesa e vetme që duhet të plotësohet është që të disponohet një depozitë fillestare prej 7500 euro. Një vend tjetër ku nuk duhet të shpenzoni shumë për të filluar biznesin tuaj është Kroacia, ku ju duhen 22 euro për të hapur një kompani. Kosto kaq të ulëta gjenden edhe në ekonominë më të re të Ballkanit, në Kosovë, ku hapja e një biznesi të ri kushton vetëm 40 euro.

    Mali i Zi është dy herë më i shtrenjtë, por megjithatë ka kosto të ulëta kur bëhet fjalë për fillimin e biznesit të ri. Në këtë vend nevojiten vetëm 89 euro për të filluar një biznes. Në Serbi kostot janë pothuajse të njëjta me Malin e Zi. Aty ju duhen 95 euro për të gjitha dokumentet dhe procedurat e nevojshme për të hapur biznesin. Maqedonia e Veriut gjendet diku në mes, sa i takon kostove. Fillimi i biznesit kushton rreth 170 euro, për regjistrimin e kompanisë dhe vlerësimet në lidhje me hapjen e personit juridik, blerjen e pullave, etj. Këto janë disa karakteristika që e rendisin vendin në mes të listës së vendeve të Ballkanit kur bëhet fjalë për kostot që lidhen me hapjen e një biznesi të ri. Sipas Ligjit për shoqëritë tregtare, për të hapur një kompani duhen 5 mijë euro si depozitë në kesh. Ky kontribut mund të jetë monetar ose jomonetar. Kontributin monetar mund ta vendosni menjëherë pas themelimit të shoqërisë, por mund ta vendosni edhe shtesë, por jo më vonë se një vit pas themelimit të shoqërisë. Kjo mundësi lejon që kjo të mos konsiderohet si kosto direkte e fillimit të biznesit. Por, nëse është një kontribut jomonetar, kërkohet një vlerësues i autorizuar për të vlerësuar objektet që investoni në kompani. Mund të jenë pajisje të tilla si kompjuter, printer, etj. Por, vetë vlerësimi kushton. Ndërsa Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina janë vendet më të shtrenjta të Ballkanit kur bëhet fjalë për hapjen e biznesit. Kostot në Shqipëri llogariten pak më shumë se 500 euro. Megjithatë, më e shtrenjta në Ballkan konsiderohet Bosnja e Hercegovina ku për të filluar biznesin dhe për të hapur një kompani ju duhen të paktën 710 euro. Periudha dyvjeçare e pandemisë krijoi një klimë të pafavorshme për shumë kompani të mëdha e të vogla që iu desh të mbyllen, ose të kufizonin në maksimum aktivitetet e tyre. Vetëm gjatë vitit 2020 u mbyllën 6214 biznese.

    Duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, numri i subjekteve afariste aktive në vend në vitin 2021 është 72.922. Të dhënat për strukturën e subjekteve afariste aktive sipas numrit të të punësuarve tregojnë se 82 për qind e subjekteve afariste kanë 1 deri në 9 të punësuar, kompanitë me 10 deri në 19 punonjës përbëjnë 4.5 për qind të numrit të përgjithshëm, ndërsa 2 për qind e subjekteve numërojnë 50 deri në 249 punonjës. “Krahasuar me vitin 2020 rënia më e madhe me 2.6 për qind u shënua tek numri i subjekteve të biznesit aktiv në sektorin e Artit, Argëtimit dhe Rekreacionit, ndërsa rritja më e madhe me 13.6 për qind është shënuar në sektorin e Energjisë Elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar”, thuhet në raport. Gjatë vitit 2020 reduktimi i numrit të subjekteve afariste ishte më i madh. Karakteristike për këtë vit ishin “lulëzimi” i aktiviteteve të sferat e shëndetit dhe mbrojtjes sociale, si edhe sektori i Informacioneve dhe komunikimeve.

    KOSTOT E REGJISTRIMIT TË BIZNESIT

    Slloveni: 0 kosto

    Kroaci: 22 euro

    Kosovë: 40 euro

    Mali i Zi: 95 euro

    Serbi: 95 euro

    Maqedonia e Veriut: 170 euro

    Shqipëri: 500 euro

    Bosnjë: 710 euro /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Protestë kundër ndërtimit të hidrocentralit

    Lajmi i rradhës

    A do të ketë gjykim të drejtë për spitalin modular?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë