Në Tetovë asnjë rezultat nga hetimi për rastin e dëmtimit të gypave të oksigjenit

    Asnjë rezultat apo pistë nga hetimi të rastit të dëmtimit të gypave të oksigjenit në Spitalin e Tetovës nuk është bërë publik. Asnjë person nuk është identifikuar dhe nuk është vënë para organeve të rendit. Nuk dihet nëse policia ka arritur që deri diku të bie në gjurmë të autorit ose autorëve dhe nuk dihen motivet e tij. Nga Ministria e Brendshme nuk japin shumë detaje, duke u arsyetuar se nuk duan të dëmtojnë hetimin.

     “Deri më sot janë realizuar biseda me shumë të punësuar në spital dhe persona të tjerë nga rrethi dhe vazhdojmë punën për gjetjen e autorëve apo autorit. Me kërkesë të menaxhmentit të Spitalit klinik, është rritur dukshëm prezenca e policisë në objekte, me qëllim parandalimin apo sanksionimin e prishjes së rrjedhës normale të punës së spitalit. Siç përmenda, në vijë janë më tepër aktivitete dhe në interes të mos zbulimit të më shumë detajeve deri më tani do përmbahemi nga informatat shtesë”- deklaroi Marjan Josifoski. Zëdhënës i SPB Tetovë.

    Nga Spitali i Tetovës thonë se policia duhet që sa më shpejtë të zbardh rastin, me qëllim që kjo gjë mos të përsëritet më, ndërsa shprehin pasigurinë e tyre në punën e më tejme, pas rastit që ndodhi me dëmtimin e gypave të oksigjenit.

     “Sigurisht që do ishte mirë që sa më shpejtë të dimë se çka ndodhur që të mos përsëriten rastet e këtilla. Sa i përket punës tonë ne tani jemi më syçelë që të mos na ndodhin raste të këtilla. Tani ne kemi edhe plan si ta izolojmë vendin në mënyrë sa më hermetike që të jemi rehat se nuk do të përsëritet e njëjta gjë”- pohoi Gëzim Nuredini. Përgjegjës për kovid qendrën në Spitalin e Tetovës.

    Person i apo persona deri më tani të panjohur, më 23 gusht, mes orës shtatë dhe tetë të mëngjesit, me mjet të fortë kanë tentuar prerjen e gypave të oksigjenit që furnizojnë me oksigjen mbi 120 të prekur nga korona e që janë të shtrirë në disa reparte. Për fat të mirë, personi apo personat që kryen krimin, kanë arritur që dëmtojnë me mjet të fortë vetëm dy gypa të oksigjenit, të cilët nuk kanë qenë furnizuesit e kovid qendrave por të sallave të operacionit të klinikës së re të cilat ende nuk janë në përdorim. Prerja e gypit të tretë do kishte rezultuar tragjikisht për më shumë se 120 persona që pranonin oksigjen dhe që ishin në gjendje të rëndë shëndetësore./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Mobilizim për regjistrimin e diasporës

    Lajmi i rradhës

    Në Kosovë nga nesër orë policore, viti shkollor shtyhet deri më 13 shtator

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë