Nuk kalon projektligji për rregullimin e çmimit të barnave

    Kuvendi i Kosovës nuk miratoi të premten Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Barnave dhe Produkteve Medicinale.

    Projektligji i inicuar nga partia më e madhe opozitare në kuvend – Partia Demokratike e Kosovës nuk u përkrah nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

    Çmimin e produkteve farmaceutike në Kosovë e caktojnë vetë barnatoret. Për unifikimin e tyre në treg nuk ka ndonjë mekanizëm – së paku tash për tash.

    Në memorandumin shpjegues të projektligjit, i cili nuk u miratua, thuhet se në mungesë të rregullimit të çmimit të barnave, buxheti i shtetit dhe qytetarët, për vite me radhë, janë dëmtuar duke paguar produkte më shtrenjtë se vlera e tyre.

    Sipas këtij memorandumi, Kosova ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët janë dëmtuar financiarisht, duke shpenzuar rreth 10 milionë euro më shumë në vit për barna.

    Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje e arsyetuan mos miratimin e këtij projektligji në lexim të parë për shkak se i njëjti ligj është duke u hartuar nga Ministria e Shëndetësisë.

    Në Ministrinë e Shëndetësisë ditë më parë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Projektligjin për Çmimin e Barnave dhe Produkteve Medicinale do ta dërgojnë së shpejti për miratim në Qeveri.

    “Ministria e Shëndetësisë pret që ligji gjithsesi të miratohet sivjet dhe të përcaktohet edhe dinamika e zbatimit konkret”, thuhet në deklaratë.

    Aty, po ashtu, shpjegohet se çmimet e produkteve medicinale do të përcaktohen në bazë të metodologjisë së çmimeve të jashtme referente. Kjo nënkupton që do të merren për bazë çmimet e produktit të caktuar në një apo më shumë vende të tjera.

    Të ngarkuar për rregullimin e çmimeve do të jenë: Komisioni për Çmime të Produkteve Medicinale, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Oda e Farmacistëve, Fondi i Sigurimeve dhe anëtarë vëzhgues nga shoqëria civile.

    Rregullimi i çmimit të barnave bëhet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian, ku Kosova synon të anëtarësohet. Aktualisht, vetëm Kosova dhe Bjellorusia në kontinentin evropian nuk kanë legjislacion për qëllim të tillë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Dhjetë arsye pse dollari është monedhë e rëndësishme për ekonominë botërore

    Lajmi i rradhës

    Ukraina pret sinjalin e OKB-së për të nisur dërgesat e grurit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë