Pse ushtarët rusë po refuzojnë të luftojnë në Ukrainë?

    Për katër muaj e gjysmë, tetari Ilya Kaminsky dhe ushtarët tjerë nga Brigda e 11-të për sulme ajrore, kanë luftuar në kuadër të ofensivës ushtarake ruse kundër trupave ukrainase në lindje të shtetit.

    Në fillim të muajit korrik, Kaminsky ka thënë se i ka mbaruar durimi. Ai ka refuzuar të luftojë, duke u bërë një prej 78 ushtarëve të brigadës që kanë refuzuar urdhrat.

    “Jam moralisht i dërmuar. Nuk ekziston aspak besim tek autoritetet dhe komanda e lartë”, ka thënë Kaminsky, 20-vjeçar për televizionin Current Time, në një intervistë telefonike të zhvilluar më 17 korrik.

    Ai ka folur nga një lokacion i panjohur në rajonin Luhansk, në lindje të Ukrainës.

    “Sepse ata injorojnë gjithçka. Ata injorojnë çdo kërkesë. Ata kanë nisur të ofrojnë alternativa kur njerëzit kanë nisur të thonë troç jo”, ka thënë ai.

    “Jam i lodhur. Më mungon shtëpia. Vajza ime ka lindur para tre muajve. Ende nuk e kam parë”.

    Gati katër muaj pas nisjes së luftës më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore, një numër i ushtarëve rusë, sikurse Kaminsky, janë duke refuzuar të luftojnë, duke kërkuar kthim në shtëpi.

    Aktivistët për të drejta të njeriut kanë thënë se qindra, ndoshta edhe mijëra trupa, janë duke hezituar që të pranojnë urdhra për pozicionim, luftime apo që të qëndrojnë në fushëbetejë pa rotacion.

    Refuzimi i trupave komplikon edhe më shumë punën e komandantëve rusë, teksa përpiqen të shtyjnë përpara njësitet e stërlodhura përgjatë vijës së frontit 480-kilometërshe që përshkon Harkivin në lindje e arrin deri në Herson, që gjendet në jug dhe qendër të Ukrainës.

    Agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë thënë se humbjet e Rusisë janë substanciale.

    Një komandant i lartë britanik i ka thënë transmetuesit britanik BBC këtë javë se rreth 50,000 trupa ushtarake janë vrarë apo plagosur prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

    Kremlini ka mohuar që të shpallë mobilizim të përgjithshëm për të zëvendësuar humbjet e trupave.

    Megjithatë, analistët thonë se në vend të mobilizimit, autoritetet ruse kanë nisur atë që e përshkruajnë si fushatë “të fshehtë, hibride”, për të rekrutuar trupat shtesë.

    Disa nga metodat e përmendura janë: shfrytëzimi i kompanive ushtarake private, zgjatja e kufizimeve të moshës, apo stimuj fitimprurës financiarë.

    ‘Po ju paralajmëroj, kjo është oferta e fundit’

    Parashutistët e Brigadës së 11-të me bazë në Ulan-Ude, kryeqytet i rajonit Burjatia në lindje të Siberisë, kanë arritur në rajonin Herson të Ukrainës më 24 shkurt, pak pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.

    Pas një kohe, njësiti i tij është transferuar në Luhansk, në rajonin Donbas të Ukrainës.

    Në disa biseda telefonike me Current Time-in, Kaminsky ka thënë se trupave ushtarake nuk u është miratuar pushim ka katër muaj e gjysmë, pavarësisht se janë rritur humbjet në brigadë: rreth gjysma e personelit të brigadës – rreth 1,000 njerëz – janë vrarë apo plagosur në aksion, ka thënë ai.

    Pak kohë pas shpërthimit të luftës, Kaminsky ka thënë se komandantët i kanë dhënë urdhër brigadës që të mbrojë një linjë 64 kilometra të gjatë kundër forcave ukrainase – rreth katër herë më e madhe sesa hapësira që mund të mbrojë zakonisht një brigadë.

    Në një rast tjetër, ai ka treguar se si komandantët e njësiteve kanë urdhëruar pesë ushtarë që të tentojnë të marrin kontrollin e një zone të mbrojtur nga më shumë se 200 ushtarë ukrainas.

    Kaminsky ka thënë se pakënaqësitë janë rritur nëpër njësite tash e sa javë, nëse jo muaj.

    Vetë Kaminsky ka thënë se i ka bërë rreth 20 ankesa apo kërkesa për ricaktim të pozicionit, mirëpo kërkesat i janë refuzuar.

    Në total, 78 ushtarë, përfshirë Kaminskyn, kanë sfiduar urdhrat dhe kanë kërkuar që të dërgohen në shtëpi, apo në lokacione tjera, kanë thënë ai.

    Ndërkohë, komandantët e njësiteve kanë bërë intervenime.

    Sipas një audio-incizimi të ndarë me Current Time, komandantët janë takuar me ushtarët më 17 korrik, duke i kërcënuar dhe lutur që të vazhdojnë shërbimin, apo që të heqin dorë nga kërkesat për tërheqje.

    “Detyra e rojës së postkomandës? Detyrë roje artilerie? A e dëshiron dikush?”, dëgjohet duke thënë një kolonel i identifikuar vetëm me mbiemrin Agafonov, teksa flet me ushtarët.

    “Komandantët e brigadës pyesin se kush dëshiron të ruajë njësinë e dytë të gjuajtësve. Dikush? Tre ditë detyrë?

    “Ata po e bëjnë gjithçka të lehtë për ju, djem. Po ju paralajmëroj, kjo është oferta finale”, dëgjohet ai duke iu thënë ushtarëve.

    “Nëse askush nuk ka gatishmëri për të pranuar ofertat nga komandantët e brigadës, unë nuk do t’ju arrestoj. Mirëpo, keni kohë deri në orën 18:00. Pas asaj kohe, nuk kam parasysh ofertat tjera”.

    Sipas Kaminskyt, presioni ka funksionuar pjesërisht. Deri më 16 korrik, 50 prej 78 ushtarëve që kanë kërkuar kthim në shtëpi, kanë hequr dorë nga një kërkesë e tillë.

    Pjesa tjetër është arrestuar dhe ushtarët janë mbajtur në brigada të improvizuara në rajonin Luhansk, sipas Kaminskyt, ku u është dhënë bukë vetëm një herë në ditë.

    Deri më 20 korrik, fati i ushtarëve të arrestuar nuk dihet.

    Rregulloret ushtarake ruse parashohin disa arsyetime ligjore dhe procedura për ushtarët që nuk i respektojnë urdhrat, sipas Sergei Krivenkos, aktivist për të drejta të njeriut – sidomos për ata që e konsiderojnë veten si kundër-luftës, apo pacifistë.

    “Nëse një ushtar vepron sipas procedurave të tilla, ai nuk mund të ndiqet penalisht për këtë gjë, sepse nuk ka artikuj penalë që parashohin ndërprerje të kontratës mbi bazën e besimeve kundër luftës”, ka thënë Krivenko për Current Time.

    “Ushtari është pjesë e njësitit, ai nuk është duke ikur askund. Prandaj, kjo nënkupton që ai nuk mund të gjykohet për largim”.

    “Ai nuk është duke refuzuar që t’i zbatojë urdhrat, sepse nuk është duke ndodhur diçka e tillë. Ai thjesht e shpall veten me besime kundër luftës”, ka thënë Krivenko.

    ‘Më është dashur të refuzoj ashtu që të mbes gjallë’

    Një pjesë e mirë e trupave të Rusisë në Ukrainë përbëhen nga ushtarë me kontrata: personel vullnetar me kontrata fikse për ofrim të shërbimeve.

    Përvojat e tyre dallojnë.

    Në njësitet tjera përfshihen edhe kompani private që ofrojnë shërbime ushtarake sikurse Vagner apo njësitet që mbikëqyren nga lideri çeçen, Ramzan Kadyrov.

    Pakënaqësitë në Brigadën e 11-të të Kaminskyt nuk përbëjnë rast të izoluar dhe ka shenja se komandantët rusë janë duke zbatuar taktika të ndryshme për të mbajtur problemin nën kontroll, duke turpëruar publikisht ushtarët që refuzojnë të luftojnë.

    Në qytezën jugore ruse, Budjonovsk, bazë e Brigadës 205, komandantët kanë krijuar një “mur të turpit” me emrat dhe fotografitë e rreth 300 ushtarëve që nuk i kanë respektuar urdhrat përgjatë luftës në Ukrainë.

    “Ata kanë harruar betimet ushtarake, premtimet ceremoniale, zotimet ndaj tokës amë”, thuhet në shkrimin në mur.

    Në disa biseda me televizionin Current Time, përmes rrjetit social rus, VK, disa ushtarë të brigadës i kanë kundërshtuar rrethanat e përfshirjes në atë mur.

    Ata kanë kërkuar që emrat e tyre të mos jenë publikë, nga frika e ndëshkimeve tjera.

    “Unë kuptoj gjithçka, natyrisht. Unë e kam nënshkruar kontratën. Unë supozohet të jem gati për secilën situatë; për këtë luftë, operacion special”, ka shkruar një ushtar.

    “Mirëpo kam menduar, unë jam ende i ri, në çdo moment një plumb mund të kalojë mbi kokën time”.

    Rusi "i guximshëm" proteston i vetëm në qytet kundër luftës

    Ushtari ka thënë se e ka shkëputur kontratën dhe është larguar nga brigada para pushtimit të 24 shkurtit.

    “E kam menduar gjatë dhe e mora vendimin. E kuptoj se kam refuzuar diçka për të mbetur gjallë”, ka thënë ai.

    “Nuk pendohem aspak”.

    ‘Je askushi’

    Njëtjetër ushtar i Brigadës 205 ka thënë se komandantët nuk i kanë dhënë kohë për t’u përgatitur para luftës dhe kur njësitet janë nisur, u është thënë se kanë marrë rrugë për stërvitje.

    “Nuk kemi pasur municion normal apo helmeta. Nuk kemi pasur ushqim, as ujë”, ka thënë ai.

    “Sinqerisht, ne e kemi furnizuar vetveten”, me ushqim.

    “Nuk e kam menduar tërheqjen, mirëpo ka ndodhur për shkak të shtatzënisë së vështirë të gruas sime, andaj kam kërkuar largim derisa ajo të lindë”, ka thënë ushtari i tretë për Current Time në bisedë përmes platformës VK.

    Përgjigja e “shefave” ka qenë: Nuk na interesojnë problemet tuaja, vazhdo, dorëzohu”.

    Në bisedë me Current Time, Kaminsky ka folur edhe për qasjen e komandantëve ndaj ushtarëve të tyre, duke thënë se ata nuk e kanë parasysh mirëqenien.

    “Ata njerëz janë të gatshëm për gjithçka. Nuk u intereson jeta e një ushtari”, ka thënë Kaminsky.

    “Ata më përpara të varrosin në front të luftës, sesa të largohen nga pozicionet”, ka thënë ai, duke përshkruar qëndrimin e komandantëve.

    “Atyre nuk u bëhet vonë. Për ta jeni vetëm një ushtar, jeni askushi”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Tregimi prekës i Ernest Hemingway në gjashtë fjalë

    Lajmi i rradhës

    Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për raportin e Dick Martyt

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë