Sa do të rritet tatimi për bizneset dhe qytetarët në RMV në vitin 2023?

    Në vitin e ardhshëm nuk pritet të rriten tatimet, por do të zgjerohet lista e tatimpaguesve të ri. Nga Ministria e Financave thonë se reforma tatimore do të bazohet në zgjerimin e bazës tatimore, ndërsa në raport me Tatimin e Vlerës së Shtuar do të zbatohet shkalla preferenciale ngjashëm me praktikat e shteteve të rajonit. Opinioni është në pritje se sa dhe cilat nga ndryshimet e paralajmëruara në rregulloren tatimore edhe do të zbatohen nga viti i ardhshëm dhe çilat sugjerime të komunitetit të biznesit do të merren parasysh gjatë kësaj reforme. Mbetet të shohim se sa prej vitit të ardhshëm, do të rritet barra tatimore për biznesin dhe qytetarët, sepse ato heqin ose kufizojnë disa përjashtime tatimore dhe përfitime tatimore të përcaktuara me rregulloret ekzistuese. Akoma nuk ka përgjigje për hyrjen apo jo në fuqi të tatimit progresiv prej 18 për qind në vend se dhjetë për qind për të ardhurat më të larta se 1500 euro në muaj. Përflitet se do të rritet tavani I pagesës së tij në më shumë se 1500 euro.

    ZGJERIM I BAZËS TATIMORE

    Nga ana tjetër, koncepti i reformave të politikës tatimore në fushën e tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale, përfshin zgjidhjet e propozuara ligjore, me të cilat rishikohen trajtimet tatimore preferenciale, që çrregullojnë neutralitetin e sistemit tatimor. Gjithashtu ato orientohen drejt rritjes së të hyrave tatimore, duke zgjeruar bazën tatimore dhe duke krijuar hapësirë fiskale për zbatimin e politikës aktive tatimore për të stimuluar investimet në sektorin privat dhe publik në teknologjitë që përkrahin tranzicionin e gjelbër dhe transformimin digjital. Ekzekutivi planifikon që në vitin e ardhshëm të grumbullore nga qytetarët dhe biznesi afër 4.6 miliardë euro që është për 600 milionë euro më shumë se në vitin paraprak. Nga tatimi në të ardhura në vitin 2023 duhet të grumbullohen 421 milionë euro karshi 368 milionë euro këtë vit. Nga TVSH-ja që si tatimi më shumë mbush arkën e shtetit do të arkëtohen afër 1.3 miliardë euro edhe si rrjedhojë e inflacionit të lartë, ndërsa si rrjedhojë e rritjes së pagës minimale do të arkëtohen 154 milionë euro më shumë kontribute. Në total pritet të grumbullohen 2.6 miliardë euro tatime në vitin 2023, apo 316 milionë euro më shumë se sivjet. Mbetet të sqarohet edhe hyrja në fuqi e tatimit të kursimeve prej vitit të ri, që ishte anuluar më parë, e tatimit ndaj fitimit që do të investohet, dhe fitimeve kapitale apo edhe pagesa e kontributeve për punëtorët që punojnë me honorare. Pritet që për disa javë të sqarohen edhe detajet e mëtejshme të reformës tatimore.

    PRITSHMËRITË PËR RRITJEN E TË HYRAVE TATIMORE

    Ministri i Financave, Fatmir Besimi thotë se pritshmëritë për rritjen e të hyrave tatimore janë kryesisht si pasojë e parashikimeve për rritjen e ekonomisë dhe çmimeve, si dhe përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit në mbledhjen e taksave dhe uljen e ekonomisë gri. Sipas tij, të hyrat e përgjithshme të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 janë planifikuar në nivel prej 282 miliardë denarëve dhe janë 14.8 për qind më të larta se viti 2022, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 324.8 miliardë denarë ose për 12.6 për qind më të larta se viti 2022. Kjo tregon se vazhdojmë me përcaktimin për konsolidim gradual fiskal. Kështu, të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara rezultojnë me deficit buxhetor në nivel prej 4.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto së planifikuar, apo për 0.7 pikë përqindje më të ulët krahasuar me këtë vit. “Projeksionet lidhur me të hyrat e Buxhetit për vitin 2023 bazohen në realizimin e të hyrave gjatë vitit aktual 2022, pritshmëritë për rritje ekonomike dhe përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit të arkëtimit të të hyrave publike. Për realizimin e projeksioneve të të hyrave, planifikohen masa dhe aktivitete sa i përket: përmirësimit të rregullativës aktuale tatimore, uljes së evazionit tatimor, vendosjes së teknologjive të avancuara, modernizimit dhe automatizimit të proceseve të punës, përforcimit të kapaciteteve të institucioneve për grumbullimin e të hyrave, rritjes së arkëtimit më efikas të të hyrave tatimore, si dhe përforcimit të koordinimit institucional”, shton Besimi.

    REFORMAT ORIENTOHEN NDAJ EKONOMISË GRI

    Sipas tij, reformat tatimore kryesisht do të orientohen ndaj ekonomisë gri. Aktivitetet bazohen në mbështetjen dhe stimulimin e formalizimit të aktiviteteve joformale duke rritur përfitimet e hyrjes në ekonominë formale. Prioritet në këtë drejtim janë: Promovimi i procesit të matjes, monitorimit dhe zbulimit të ekonomisë gri, stimulimi i aktiviteteve për formalizimin e ekonomisë gri, forcimi i shërbimeve të inspektimit, përmirësimi i rregullimit ligjor, si dhe zbatimi i masave në departamentin e administratës së doganës ku do të përfshihen edhe produktet e tregtisë elektronike. Sektori i biznesit vlerëson se nuk është koha për reformat tatimore dhe zgjerimin e bazës tatimore që e vlerëson si të gabuar , dhe kërkon masa direkte për të luftuar ekonominë gri, e cila sipas vlerësimeve jozyrtare peshon një të tretën e totalit të tatimeve vjetore të grumbulluara në Maqedoni.  Diskutimet me komunitetin e biznesit po rrjedhin , ndërsa sipas ekspertit Pavle Gacov, ajo që nevojitet tani është një luftë vendimtare kundër ekonomisë gri në vend të “reformave” në sistemin tatimor. Ai ka frikë se reformat e mundshme në formën që propozohen do të kenë ndikim tek sipërmarrjet mikro dhe të vogla dhe nuk përjashton mundësinë që disa biznese, veçanërisht në industrinë e teknologjisë informatike edhe të largohen nga vendi.

    MOMENTI I GABUAR

    “Momenti dhe kushtet janë negative për këto reforma dhe nuk mendoj se ka ardhur koha për ndryshime të tilla. Nëse ato do të zbatohen, do të kenë ndikim si tek qytetarët ashtu edhe tek biznesi pikërisht në këto kushte dhe për këtë arsye janë mirëpritur në kontekst negativ nga biznesi dhe opinioni i gjerë. Prandaj duhet të jeni shumë të kujdesshëm, ky moment nuk të jep të drejtën për masa të tilla. Në të kundërtën, duhet të marrin në konsideratë edhe zgjidhje të tjera, sidomos në pjesën e shpenzimeve të arkës së shtetit, për shkak se më lehtë është të kërkohet burimi i ri të hollash”, shton Gacov.

    Sipas tij, nëse nuk bëhen përpjekje për të kursyer nga ana e shpenzimeve, si dhe për të mbledhur nga ata që nuk paguajnë taksa, e ashtuquajtura “reformë tatimore” nuk do të pritet mirë nga opinioni. Nga ana tjetër, sipas paralajmërimeve nga Ministria e Financave, ndryshime në rregullativën tatimore i janë prezantuar opinionit, ndërsa procesi i miratimit të tyre përfshin edhe debatet publike nga faktorët përkatës në ekonomi. Ndryshimet në rregulloren tatimore duhet të miratohen gjatë vitit 2022 dhe të zbatohen nga 1 janari 2023. Disa nga ndryshimet e paralajmëruara në bazë të strategjisë për reforma të sistemit tatimor janë si vijon. Lidhur me Tatimi mbi fitimin parashikohet heqja e përjashtimit nga taksat mbi fitimin e riinvestuar dhe shpallja graduale e përjashtimit nga taksat për një pjesë të kostove të investimeve në tranzicionin e gjelbër dhe transformimin digjital.

    REFORMAT KRYESORE TË PARALAJMËRUARA

    Vendosen kushte shtesë për aplikimin e përjashtimit tatimor që i referohet të ardhurave nga dividendat me pjesëmarrje në kapitalin e një tjetër debitori rezident në Maqedoninë e Veriut si dhe të ardhurat nga dividendat e fituara nga jashtë. Paralajmërohet heqje e përjashtimeve nga taksat bazuar në: kontributet në një fond pensioni vullnetar, primet e sigurimit të jetës, si dhe primet për sigurimet shëndetësore private, të cilat paguhen nga punëdhënësi. Njëkohësisht bëhet e ditur se ky shfuqizim do të përfshijë të njëjtat përjashtime nga aspekti i tatimit mbi të ardhurat personale. Kufizohet përjashtimi nga taksat për donacionet sportive.  Parashikohet detyrimi për të paguar kontributet e detyrueshme shoqërore për të ardhurat në bazë të kontratës së punës. Hiqet kufiri maksimal ligjor për pagesën e kontributeve sociale, ku kontributet sociale do të paguhen mbi shumën totale të pagës bruto të paguar. Përcaktohen kushtet dhe rrethanat për taksimin e disa llojeve të përfitimeve jo monetare për drejtuesit dhe punonjësit.

    Vendoset tatimi i fitimeve kapitale të realizuara nga shitja e letrave me vlerë dhe aksioneve të emetuara nga një fond investimi, si dhe tatimi i interesit nga depozitat me afat. Njoftohet shtyrja e mëtejshme e taksimit progresiv me tatimin mbi të ardhurat personale deri më 31 dhjetor 2023. Lidhur me TVSH-në, në këtë fazë pritet të ngushtohet lista e të mirave dhe shërbimeve për të cilat zbatohet shkalla e privilegjuar prej pesë për qind, si dhe zgjerimi i të shërbimeve dhe të mirave për të çilat parashikohet përjashtimi i të drejtës për kthimin e TVSH-së. Anulohet lirimi i TVSH-së për llojet të caktuara të qarkullimit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kriza energjetike shton frikën te qytetarët e RMV-së se si do t’i mbijetojnë dimrit

    Lajmi i rradhës

    Visar Ganiu vazhdon të premtojë për garazhet në kate në Çair

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë