Taravari: Nuk ka ftesë nga kryeministri për hyrjen e ASh-së në Qeveri

    Nuk kemi ftesë për hyrje në Qeveri

    Emrat të cilët fliten si ministra të ardhshëm të Aleancës për Shqiptarët në formatimin e qeverisë nuk janë të saktë, u shpreh u.d. kryetari i partisë, Arben Taravari. Ai këmbëngul se nuk ka akoma ftesë nga kryeministri dhe kur të ketë, do të ketë dhe grup negociator, për shkak se për momentin partia nuk ka kryetar të zgjedhur në kongres.

    “Kur të fillojmë negociatat ne do t’ju informojmë. Në qoftë se fillojmë… Për momentin nuk ka. Unë e di se ka spekulime nëpër portale, nëpër media, jemi temë diskutimi, dhe kjo është mirë për Aleancën për Shqiptarët kur bisedohet për ne, por s’ka asgjë konkrete. Unë e di se ka edhe shtatë-tetë ministra të cilët përmenden me emër si ministra të ASH-së, por me plot përgjegjësi them se asgjë s’ka të saktë prej saj”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

    Arben Taravari dorëzoi kandidaturën e tij për kryetar të ASH-së

    Ndryshe, Arben Taravari dorëzoi kandidaturën e tij për kryetar të Aleancës për Shqiptarët, me gjithsej 1460 nënshkrime të mbledhura nga degët e partisë. Taravari tha se deri në momentin e dorëzimit të kandidaturës, ai është kandidati i vetëm për kryetar, por nuk e përjashtoi mundësinë e paraqitjes së edhe ndonjë kandidature tjetër deri në përfundimin e afatit. Kongresi i Aleancës për Shqiptarët do të mbahet më 17 dhjetor.

    “Publikisht falënderoj gjithë anëtarësinë dhe degët e ASH-së që pa rezerve më kanë përkrahur dhe për një afat prej një vit e gjysmë i mblodhën një sasi të konsiderueshme të nënshkrimeve që më mundëson të jem kandidat i mundshëm për ASH-në. Afati është deri në mesnatë sonte, nuk e di a do të ketë kundërkandidat, por kanë të drejtë çdokush që mbledh mbi 400 nënshkrime të kandidojnë dhe në kongres po ashtu kanë të drejtë të kandidohet secili që mbledh mbi 100 nënshkrime të delegatëve të kongresit të kandidojë”, tha Arben Taravari, kandidat për kryetar i ASH-së.

    Lajmi Paraprak

    Dhuna ndaj grave është e pranishme edhe në Maqedoni

    Lajmi i rradhës

    Déjà vu | Serbia takohet me Zvicrën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë