Të burgosur me kushte çnjerëzore

    Lagështi, mbipopullim, kundërmim i erës së keqe, mungesa e higjienës, tualeteve dhe mungesa e trajtimit shëndetësor të duhur. Kështu mund të përshkruhen kushtet në burgjet e Maqedonisë së Veriut. Raportet ndërkombëtare vite me radhë kanë tërhequr vërejtjen deri te institucionet kompetente, për kushtet e vështira në burgje dhe kanë bërë thirrje për t’i përmirësuar ato dhe problematikat tjera që përballen të burgosurit. Të burgosurit vazhdimisht ankohen për trajtime jo të mirë nga të punësuarit dhe jetë në kushte të vështira. Ata gjatë dimrit ankohen për mungesën e ngrohjes dhe cilësisë së dobët të ushqimit. Gjithashtu të burgosurit nënvizojnë dhe kohën e limituar për të marr ajër të pastër ku gjatë gjithë ditës kanë të drejtë vetëm një orë të lëvizin në oborrin e burgut dhe 23 orë duhet t’i kalojnë në qeli.

    Funksionarët shtetëror premtojnë vazhdimisht në përmirësimin e kushteve në burgjet e vendit, por një gjë e tillë po ecën ngadalë dhe përmirësimi i kushteve në burgje shihet se është shumë larg. Gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet e fundit parlamentare ish-kryeministri i Maqedonisë dhe ish-kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev pati premtuar reforma rrënjësore në burgje dhe përmirësim të kushteve në hapësirat e burgjeve. Por deri më tani nuk e kanë lëvizur asnjë “gur” në përmirësimin e kushteve të burgjeve në vend. Pasi që raporti i fundit i Progresit nga Komision për Maqedoninë e Veriut, ka potencuar se në RMV ende ekzistojnë kushte të këqija në burgjet e vendit.

    Aty thuhet në qershor 2022, kanë qenë 813 aplikime aktive në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Sipas raportit, GJEDNJ ka dhënë 11 aktgjykime dhe konstatoi shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në tre raste (kundrejt 14 në 2021), që lidheshin me të drejtën për një gjykim të drejtë, ndalimin e torturës dhe lirinë e shprehjes. “Në periudhën raportuese, një organi vendimmarrës i janë ndarë 370 kërkesa të reja. Për momentin janë 11 raste nën mbikëqyrje të zgjeruar nga Komiteti i Ministrave. Zyra e Avokatit të Popullit mbetet organi qendror për promovimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut. Maqedonia e Veriut ende duhet të zbatojë rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) të publikuara në vitin 2021. Raporti i KPT-së i korrikut 2021 përsërit gjetjet e mëparshme për parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit”, thuhet në raport.

    Nga ana tjetër, avokati i Popullit Naser Ziberi, për gazetën KOHA, ka deklaruar se ata si institucion bëjnë raportim të vazhdueshëm mbi gjendjen e burgjeve në vend. “Vërejtjet tona të vazhdueshme janë mungesa e kujdesit adekuat shëndetësor, mbi popullimi dhe kushtet e vështira. Situata më dramatike është në burgun e Idrizovës, ku edhe janë gjysma e të burgosurve. Ndërsa pjesa ku kemi problematik më të madhe është aneksi i fundit që përdoret për të dënuarit për vepra më të rënda. Situata nuk është e mirë edhe në burgun e Shkupit dhe të Shtipit. Ndërsa në burgun e Kumanovës, kemi problem të posaçëm me trajtimin e personave në varësi nga substancat narkotike”, deklaroi Ziberi. Sipas tij, në bazë të ligjit çdo burg duhet të ketë psikiatrin e tij, por përveç burgut të Idrizovës, asnjë burg tjetër nuk ka psikiatër të tij dhe shfrytëzojnë shërbimet e shtëpive të shëndetit nga qyteti përkatës. Ai në fund nënvizoi edhe problematikën me risocializimin e të burgosurve. “Nuk i kushtohet rëndësi të veçantë risocializimit të të burgosurve. Në qendrën korrektuese për të miturit në Tetovë, kemi problem me mbarëvajtjen e procesit arsimor i cili nuk zhvillohet vazhdimisht”, tha në fund ai.

    Ndryshe, në vendin tonë burgjet kanë kapacitet për të strehuar rreth 2.026 persona në pjesën e burgjeve dhe rreth 450 në sektorin e paraburgimit. Sipas madhësisë, burgu më i madh është ai i Idrizovës me kapacitet prej 1000 personash, e pastaj vijon burgu i Shtipit me 210 vende, burgu i Shkupit me 128 vende në pjesën e burgut dhe 310 në paraburgim, burgu i Kumanovës ka kapacitet prej 178 personash në pjesën e burgut dhe 48 në paraburgim, burgu i Prilepit ka kapacitet për 85 të burgosur dhe 16 në paraburgim. Burgu në Gjevgjeli ka vend për 43 në burg dhe 12 në paraburgim, Kriva Pallanka ka vend për 23 persona, ai i Ohrit për 35 në burg dhe 18 në paraburgim, përskaj këtyre ekziston burg edhe në Tetovë me kapacitet prej 43 persona. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Kush do të shpëtojë? | Amnisti për shkelësit e masave kundër Covid-19

    Lajmi i rradhës

    Kryesia e BDI-së nxjerr “Grupin e zjarrit” pa buzëqeshjen e paralajmëruar | Ahmeti: Në fund gjithnjë shumica e ka fjalën (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë