A nuk përfundon socializmi gjithnjë në diktaturë?

    Një brezi të tërë amerikanësh i është mësuar se Lufta e Ftohtë ishte luftë mes lirisë dhe tiranisë, me rezultatin vendimtar në favor të kapitalizmit demokratik. Socializmi, i të gjitha vijave, përzihej me krimet e Bashkimit Sovjetik, duke u dënuar në pirgun e plehrave të ideve të këqija.

    Megjithatë, shumë socialistë ishin kundërshtarë të palëkundur të autoritarizmit, si të krahut të majtë ashtu edhe të djathtë. Vetë Marksi e kuptoi se punëtorët mund të krijonin një shoqëri socialiste vetëm me fuqinë e numrave demokratikë. Me këtë synim, Manifesti Komunist përfundon me një thirrje të qartë dhe të fortë për punëtorët që të fitojnë betejën për demokraci karshi forcave aristokratike dhe reaksionare.  

    Shumë socialistë e ndoqën këtë rrugë, duke mbrojtur me zjarr të drejtat politike dhe civile, ndërkohë që luftonin edhe për të demokratizuar kontrollin mbi ekonominë dhe kulturën përmes zgjerimit të të drejtave shoqërore dhe demokracisë në vendin e punës. Pavarësisht pohimit të zakonshëm që “kapitalizmi është baras me demokracinë”, vetë kapitalistët, në mungesë të një presioni nga një klasë punëtore e organizuar, kurrë nuk i kanë mbështetur reformat demokratike. Ndonëse e drejta e votës për burrat e bardhë u vendos në Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës xheksoniane (1829-1860), socialistëve evropianë iu desh të luftonin deri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë kundër regjimeve kapitaliste autoritare në Gjermani, Francë, Itali e gjetkë për të arritur të drejtën e votës për punëtorët dhe të varfrit. Socialistët fituan mbështetjen popullore si mbështetësit më të qëndrueshëm të së drejtës universale të votës për burrat – dhe mbramësisht edhe për gratë – si dhe gjithashtu të drejtën ligjore për të formuar sindikata dhe shoqata të tjera vullnetare.  

    Socialistët dhe aleatët e tyre në lëvizjen punëtore prej kohësh e kanë kuptuar se njerëzit në kushte të vështira të nevojave nuk mund të jenë njerëz të lirë. Kësisoj tradita socialiste është identifikuar gjerësisht jashtë Shteteve të Bashkuara me fitoren e sigurimit publik të arsimimit, kujdesit shëndetësor, kujdesit për fëmijët dhe pensionet, kurse brenda Shteteve të Bashkuara me mbështetjen e shumë prej këtyre betejave.  

    Për shumë socialistë, mbështetja për reforma demokratike qe e pakushtëzuar; por ata besonin edhe se fuqia e klasës, e nevojshme për të kufizuar fuqinë e kapitalit, duhej të përparonte në mënyrë që njerëzit e punës të mund të kontrollonin plotësisht fatin e tyre shoqëror dhe ekonomik. Ndërsa e kritikonin kapitalizmin si jodemokratik, socialistët demokratë në mënyrë të qëndrueshme i kundërshtonin qeveritë autoritare që pretendonin se ishin socialiste.

    Revolucionarë si Rosa Luxemburg-u dhe Victor Serge-i e kritikuan herët vendimin sovjetik për ndalimin e partive opozitare, zhdukjen e eksperimenteve në demokracinë e vendit të punës dhe dështimin për të përqafuar pluralizmin politik dhe liritë civile. Nëse shteti zotëron mjetet e prodhimit, pyetja qëndron: sa demokratik është shteti? Siç shkroi Luxemburg-u në pamfletin e saj në 1918 rreth Revolucionit Rus:

    “Pa zgjedhje të përgjithshme, pa lirinë e shtypit, lirinë e shprehjes, lirinë e grumbullimit, pa ballafaqimin e lirë të opinioneve, jeta në çdo institucion publik shuhet, bëhet një karikaturë e vetes dhe burokracia fuqizohet si i vetmi faktor përcaktues.”

    Luxemburg-u e dinte se Komuna e Parisit në 1871, eksperimenti i shkurtër në demokracinë radikale të cilën Marksi dhe Engelsi e cilësonin si një qeverisje të vërtetë e klasës punëtore, kishte parti politike të shumta në këshillin bashkiak, vetëm njëra prej të cilave ishte e anëtarësuar me Shoqatën Ndërkombëtare të Punëtorëve të Marksit. Të përkushtuar kah këtyre vlerave, socialistët, komunistët disidentë dhe sindikalistët e pavarur udhëhoqën kryengritjet demokratike kundër sundimit komunist në Gjermaninë Lindore më 1953, në Hungari më 1956, dhe në Poloni më 1956, 1968 dhe 1980. Socialistët demokratë udhëhoqën gjithashtu eksperimentin e jashtëzakonshëm, por të shkurtër të “socializmit me fytyrë njeriu” të qeverisë së Dubček-ut në Çekosllovaki më 1968. Të gjitha këto kryengritje u shtypën nga tanket sovjetike.

    Megjithatë, rënia e Bashkimit Sovjetik zor se lë të kuptohet se demokracia u fitua. Socialistët e flakin tutje pretendimin se demokracia kapitaliste është plotësisht demokratike. Në të vërtetë, të pasurit e kanë braktisur angazhimin e tyre madje edhe për demokracinë bazike kur ata ndjehen të kërcënuar nga lëvizjet punëtore.

    Analiza e Marksit te “Tetëmbëdhjetë brymeri…” për mbështetjen e kapitalistëve francezë ndaj grushtit të Lui Napoleonit kudër Republikës së Dytë franceze paralajmëron me trishtim mbështetjen e mëvonshme të kapitalit ndaj fashizmit në vitet 1930. Në të dyja rastet, një borgjezi e vogël në rënie, një shtresë e mesme e rrethuar dhe elitat fshatare tradicionale fituan mbështetjen e kapitalistëve për të shtypur militantizmin në rritje të klasës punëtore duke përmbysur qeveri demokratike. Regjimet autoritare të viteve 1970 dhe 1980 në Amerikën Latine ngjashëm tërhoqën mbështetjen e korporatave me natyrë të ngjashme. Shumë prej prestigjit të së majtës evropiane të pasluftës dhe të majtës amerikano-latine të ditëve të sotme buron nga fakti se ata kanë qenë kundërshtaret më të palëkundura të fashizmit.

    Lëvizjet socialiste dhe antikoloniale të shekullit të njëzetë e kuptuan se qëllimet revolucionare demokratike të barazisë, lirisë dhe vëllazërisë nuk mund të realizoheshin nëse fuqia ekonomike e pabarabartë nuk do të shndërrohej në fuqi politike dhe nëse punëtorët do të sundoheshin nga kapitali. Socialistët luftojnë për demokraci ekonomike që del nga besimi demokratik radikal se “ajo që i prek të gjithë duhet të vendoset nga të gjithë.”

    Argumenti kapitalist se zgjedhjet individuale në treg barazohen me lirinë fsheh të vërtetën se kapitalizmi është një sistem jodemokratik në të cilin shumicës së njerëzve u shkon jeta duke u “komanduar”. Korporatat janë forma të diktaturave hierarkike qyshse ata që punojnë në to nuk kanë zë në mënyrën e prodhimit, çfarë prodhojnë dhe se si shfrytëzohet fitimi që ata krijojnë. Demokratët radikalë besojnë se autoriteti legjitim (jo vetëm ligji, por edhe pushteti për të caktuar ndarjen e punës në një firmë) është i vlefshëm vetëm nëse çdo anëtar i institucionit që ndikohet prej këtyre praktikave ka zë në marrjen e këtyre vendimeve.    

    Demokratizmi i një ekonomie komplekse me gjasë do të merrte një sërë formash institucionale, duke nisur nga administrimi punëtor dhe kooperativat deri te administrimi shtetëror i institucioneve financiare dhe monopoleve natyrore (si telekomunikacionet dhe energjia) – si dhe gjithashtu rregullat ndërkombëtare të punës dhe standardet mjedisore. 

    Struktura e përgjithshme e ekonomisë do të përcaktohej përmes politikës demokratike dhe jo nga burokratët e shtetit. Por pyetja mbetet: si të shkohet përtej oligarkisë kapitaliste drejt demokracisë socialiste? Në fund të viteve 1970, shumë socialistë demokratë e dinin se fitimet e korporatave ishin shtrydhur si pasojë e kufizimeve të shtrira mbi kapitalin prej lëvizjes punëtore, feministe, mjedisore, antiraciste të viteve 1960. Ata e kuptuan se kapitalistët do të hakmerreshin përmes mobilizimit politik, nxjerrjes jashtë të kapitalit dhe grevave të kapitalit. Kësisoj tejendanë Evropës socialistët shtynë për reforma që synonin fitimin e një kontrolli më të madh publik mbi investimet. Lëvizja punëtore suedeze përqafoi planin Meidner, një program i cili do të taksonte fitimet e korporatave përgjatë një periudhe njëzetë e pesë-vjeçare për të krijuar administrimin publik të firmave të mëdha. Një koalicion socialisto-komunist që zgjodhi François Miterand-in si president të Francës në 1981 shtetëzoi 30 për qind të industrisë franceze dhe zgjeroi në mënyrë radikale të drejtat e marrëveshjes kolektive.

    Si kundërpërgjigje, kapitali francez dhe suedez investoi jashtë kufijve në vend se në shtëpi, duke shkaktuar recesion i cili i ndaloi këto lëvizje premtuese drejt socializmit demokratik. Politikat e Thatcher-it dhe Reagan-it, të cilat udhëhoqën në tridhjetë vite zmbrapsjen e sindikalizmit dhe të përfitimeve neto, konfirmuan parashikimin e të majtës që ose socializmi duhet të lëvizte përtej shtetit të mirëqenies sociale drejt kontrollit demokratik të kapitalit, ose përndryshe fuqia kapitaliste do të shpërbënte përfitimet e socialdemokracisë të pasluftës.  

    Sot socialistët në mbarë botën përballen me sfidën e vështirë se si të rindërtohet një fuqi politike e klasës punëtore mjaftueshëm e fortë për të mundur konsensusin në favor të shtrëngimeve të diktatit korporativ si të konservatorëve, ashtu edhe të Rrugës së Tretë të socialdemokratëve.  

    Po çfarë mund të thuhet për shumë qeveri të vendeve në zhvillim që ende e quajnë veten socialiste, veçanërisht shtete njëpartiake? Në shumë mënyra, shtetet komuniste njëpartiake kanë më tepër të përbashkëta me shtetet “zhvillimore” të shkuara kapitaliste autoritare – si Prusia dhe Japonia në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe Koreja e Jugut dhe Tajvani i pasluftës – se sa me socializmin demokratik. Këto qeveri i dhanë përparësi shtetit të udhëhequr kah industrializimi karshi të drejtave demokratike, veçanërisht ato të një lëvizjeje punëtore të pavarur.

    As Marksi e as socializmi evropian klasik nuk e parashikuan se partitë socialiste revolucionare do ta merrnin pushtetin me lehtësi në shoqëri me shumicë agrare dhe autokratike. Pjesërisht këto parti mbështeteshin në një klasë punëtore që po lindte e radiklaizuar nga shfrytëzim i kapitalit të huaj. Por në Kinë dhe Rusi, komunistët erdhën në pushtet edhe pse aristokracia dhe krerët e ushtrisë dështuan t’i mbronin njerëzit nga pushtimi – ushtritë e mundura të fshatarësisë donin paqe dhe bukë. Tradita marksiste kishte pak për të thënë se si shoqëri me shumicë agrare dhe postkoloniale mund të zhvilloheshin në mënyrë të drejtë dhe demokratike. Ç’na tregon historia është se përpjekja për të detyruar fshatarët, të cilëve sapo u ishte dhënë toka private nga komunistët revolucionarë, drejt fermave kolektive shtetërore rezultoi në një luftë civile brutale që ngadalësoi zhvillimin ekonomik për dekada.

    Reformat bashkëkohore në Kinë, Vietnam dhe Kubë favorizojnë një ekonomi tregu të përzier me një rol domethënës të kapitalit të huaj dhe fshatarësisë me pronësi të tokës. Por elitat e sistemeve njëpartiake që krijuan këto eksperimente të pluralizmit ekonomik kanë shtypur thuajse gjithmonë përkrahësit e pluralizmit politik, lirive civile dhe të drejtave punëtore. Pavarësisht persekutimit të vazhdueshëm, rritja e betejave punëtore të pavarura  në vende si Kina dhe Vietnami mund të rigjallërojnë rolin e klasës punëtore në nxitjen e demokracisë. Është në këto lëvizje, jo në qeveritë autokratike, ku socialistët e japin solidaritetin e tyre.

    Natyrisht ekziston gjithashtu një histori e pasur me eksperimente në socializmin demokratik në vendet në zhvillim, nga qeveria e Bashkimit Popullor të Salvador Allende-s në Kili e deri në vitet e para të qeverisë të Michael Manley-it në Xhamajkë në të njëjtën dekadë. “Rryma rozë” e Amerikës Latine në Bolivi, Venezuelë, Ekuador dhe Brazil sot përfaqëson eksperimente të ndryshme në zhvillimin demokratik – megjithëse politikat e tyre qeverisëse varen më shumë në rishpërndarjen e të ardhurave nga eksporti i mallrave në vend se prej ristrukturimit të marrëdhënieve të pushtetit ekonomik. Por qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe interesat kapitaliste globale punojnë vazhdimisht për të minuar edhe këto përpjekje modeste drejt demokracisë ekonomike.

    CIA dhe inteligjenca britanike rrëzuan qeverinë e Mohammad Mosaddegh-ut, të zgjedhur në mënyrë demokratike në Iran më 1954 kur shtetëzoi British Oil. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore ndërprenë kredinë ndaj Kilit dhe CIA ndihmoi në mënyrë aktive grushtin e shtetit brutal të Augusto Pinochet-it në atë shtet. Shtetet e Bashkuara bashkëpunuan në mënyrë të fshehtë me FMN-në për t’i zënë frymën ekonomisë së Xhamajkës në periudhën e Manley-it.

    Armiqësia kapitaliste karshi edhe qeverive reformiste të moderuara në vendet në zhvillim nuk njeh kufij. Shtetet e Bashkuara rrëzuan me forcë si qeverinë e Jacobo Árbenz-it në Guatemalë në 1954, edhe presidencën e Juan Bosch-it në Republikën Dominikane në 1965 sepse ata ishin në favor të reformave modeste agrare. Për studiuesit e historisë, pyetja nuk duhet të jetë nëse socializmi çon medoemos në diktaturë, por nëse një lëvizje socialiste e gjallëruar mund ta kapërcejë natyrën oligarkike dhe antidemokratike të kapitalizmit.

    Joseph M. Schwartz  
    E përktheu Jani Marka

    Marrë nga broshura ‘ABC’s of Socialism’, Verso 2016

    Lajmi Paraprak

    Abazoviq: Serbia po e strehon një kriminel malazez

    Lajmi i rradhës

    Supremja e kthen në Apel rastin “Pronto”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë