Evazioni, amnistia, taksat dhe Europa

     AV. DR. LULZIM ALUSHAJ

    Eshtë më e thjeshtë që një deve të kalojë në vrimën e gjilpërës se një evazor të kalojë portën e burgut”, një thënie e opinionistit kontrovers italian Marco Travaglio i qëndron perfekt kontekstit shqiptar të vitit 2022.

    Ka kohë që po bluajnë mullinjtë ligjpropozues të qeverisë për të nxjerrë risi projektligjesh në fushën e amnistive, ngritjes së taksave dhe si pasojë goditjes së sigurisë së biznesit në vend për të minuar më tej parimet kushtetuese që përcaktojnë qartë kufirin se deri ku mund të shtyhet ekzekutivi në politikat që ndërhyjnë në politikat e taksave dhe tatimeve. Nuk është diçka e re në nivel global dhe as monopol i situatës shqiptare fakti që shumë subjekte priren që të krijojnë mundësitë e evazionit fiskal apo përfitimit nga vakume ligjore, ashtu si është po aq e vërtetë që shteti duhet të vërë në zbatim mekanizmat e kontrollit që të garantohet barazia e të gjithëve përpara ligjit edhe në fushën e pagesës së tatim – taksave. Që një shtet të garantojë arkëtimin e sa më shumë të ardhurave nga subjektet paguese të tatimtaksave duhet në radhë të parë të jetë i paanshëm në trajtimin e tyre duke u dhënë mundësinë e garantimit të sigurisë konkurruese në bizneset respektive dhe më tej mbledhjen e tatimtaksave nga të gjithë sipas përqindjeve dhe parashikimeve të ligjit. Raportet e vetë administratës tatimore tregojnë që nuk respektohen këto dy parime të thjeshta në Shqipëri dhe si pasojë trajtimi i taksapaguesit është i ndryshëm, jo për dhe në respekt të kritereve ligjore, por për elemente preferenciale dhe diskrecionale të vetë shtetit nëpërmjet administratës tatimore. Pra, në njëfarë kuptimi shteti toleron ose nuk kontrollon evazionin, favorizon kanalet e fshehta të kalimit të të ardhurave dhe më tej, kur nuk i del llogaria si pasojë e arkave bosh, po shteti propozon amnisti për të legalizuar të ardhurat e subjekteve të ndryshëm me apo nga burime jo zyrtare.

    Evazioni dhe amnistia e evazorëve janë dy koncepte që po përdoren nga qeveria shqiptare me argumentin se i bëhet mirë si shtetit si individit, pyetja është kujt individi? Atij që ka paguar rregullisht tatimtaksat, atij që ka duruar presionin e administratës tatimore duke mbajtur biznesin në këmbë edhe në kohë tërmeti, pandemie, lufte apo recensioni ekonomik? Jo, bëhet fjalë për t’u bërë mirë evazorëve apo më keq akoma individëve që burimet e tyre nuk i kanë nga puna, por nga aktivitete që variojnë sipas kalibrit të dredhive dhe “zotësive” për të anashkaluar respektimin e parashikimeve procedurale tatimore në vend. Nga ana tjetër qëndron individi/subjekti që, edhe pse jo evazor, për arsye të ndryshme mund të ketë qenë i sanksionuar nga administrata tatimore, i cili jo vetëm që nuk gjen asnjë parashikim favorizues në këto propozime, por është i detyruar që për të apeluar një vendim modest, duhet të parapaguajë detyrimin e të garantojë pjesën e gjobës. Më tej duhet ta çojë çështjen në një gjykatë, duke u ngarkuar më tej me detyrime, shpenzime, që ndoshta një ditë të ketë një vendim në favor të tij. Shpejtësia e aprovimit të amnistisë është marramendëse në krahasim me itinerarin e arritjes në një vendimi ndaj tatimpaguesit korrekt shqiptar, fiton evazori!

    Procesi ligjvënës në Shqipëri shoqërohet nga disa garanci kushtetuese në fushën e tatim taksave, duke kërkuar për aprovimin e tyre një shumicë të caktuar parlamentare dhe më herët këtij momenti respektimin e parimit të moslejimit të efektit prapaveprues në këto raste ndryshimesh ligjesh, pra, kur bëhet fjalë për ndryshime në ligjet e tatimtaksave. Amnistia fiskale nuk mund të favorizojë vetëm një kategori të caktuar individësh për detyrime që duhet t’i deklaronin dhe paguanin tatimtaksat, por që nuk e kanë bërë në afat, përndryshe me një logjikë të tillë do të favorizohej evazioni i gjerë ai masiv deri në amnistinë e radhës. Nevoja që shteti të ndërhyjë me një propozim të tillë duhet të jetë mbi të gjitha proporcional, dhe proporcionaliteti nuk mund të mos prekë komplet taksapaguesit e regjistruar që duhet të kenë një trajtim të njëjtë, minimalisht të sqarohet nga propozuesit se përse imponohet preferimi i amnistisë nga goditja e tij.

    Në anën tjetër të propozimeve të fundit të qeverisë bie në sy projektligji për të ardhurat, i cili ka një arsyetim totalisht të kundërt me logjikën e përdorur në projektligjin për amnistinë, duke ndryshuar tërësisht mënyrën e taksimit të profesioneve të lira apo bizneseve të vogla në vend. Propozohet që tatimet të rriten për profesionet e lira dhe biznesin e vogël me formula përllogaritëse që në shumë raste i lihen në dorë administratës tatimore në vend, po asaj administrate tatimore që sot propozon amnistinë fiskale dhe që është e pafuqishme të mbledhë tatimet apo më keq e korruptuar dhe e kapur nga pjesa e evazorëve fiskalë. A ka moral apo logjikë proporcionaliteti që nga njëra anë të amnistohen evazorët, të cilët mund të deklarojnë në amnisti deri në 2 milionë euro të ardhura (ama kusht i fortë është për familje jo për individ!!) dhe nga ana tjetër bizneset e ndershme familjare, profesionet e lira, biznesi i vogël tu kërkohet që të paguajnë më shumë tatime? Shprehjen e vjetër, të shekullit të kaluar, mbi tatimtaksat “lekët duhet të merren aty ku janë: te të varfrit, kanë pak, por janë të shumtë” po e vë në zbatim ligjpropozuesi në rastin e rritjes së tatimeve për këto kategori.

    Administrata tatimore që nuk mundi dot të mbledhë dot të ardhurat në kohë ndaj evazorëve sot do të kontrollojë, mbikëqyrë dhe certifikojë amnistinë e personave me vlera deri në 2 milionë Euro “për familje”? E gjitha kjo në kushte anonimati, pra, përfituesit e amnistisë do të jenë anonim! Patjetër që të dyja nismat ligjpropozuese i kanë brenda lobistat dhe grupet e interesuara që të aprovohen këto ligje, por nga ana tjetër qëndron masa e madhe e qytetarëve, që me të drejtë besoj ndihen të tradhtuar nga shteti i tyre e që nuk do të kenë më vullnet se përse të jenë korrektë në pagesën e detyrimeve tatimore. Në të tilla raste, shoqëria civile që qëndron pas projekteve për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të individëve, besoj duhet të tregojë që qenia e tyre aktiv e ka një arsye tjetër përveç fitimit të vlerave monetare në projekte dhe bërjes së strategjive në letër që s’kanë asnjë vlerë pa reagimin e tyre institucional në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe europiane të gjithëpranuara. Jo të gjitha të këqijat vijnë për të prishur pune, ka një lajm të mirë edhe pas çdo lajmi të keq. Muaji korrik 2022, si na rastisi koincidenca, solli dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin europian dhe kjo është një ngjarje vërtet historike jo vetëm si datë e shumëpritur nga shqiptarët për ta afruar vendin me ato shtete perëndimore, por kryesisht për të garantuar dhe pasur filtrimin paraprak të politikave ligjvënëse të Parlamentit shqiptar nga organet e komisionit europian. Raporti i vitit 2021 i Bashkimit Europian i ka dedikuar një kapitull të tërë politikës ligjzbatuese në fushën e tatimeve dhe taksave (kapitulli 16) duke kërkuar bashkëpunimin ndërinstitucional të administratave tatimore të vendeve europiane me atë shqiptare për të luftuar (jo amnistuar) evazionin fiskal si një prioritet i politikave dhe parimeve të ligjeve në Bashkimin Europian. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ukraina, si funeral poshtërues i Perandorisë Putiniste

    Lajmi i rradhës

    Paga mesatare mujore neto në RMV për një të punësuar është 31.407 denarë

    Lajme tjera

    Në emër të betonit

    EDMOND TUPJA Prej kohësh, si tërë kryeqytetasit, jetoj edhe unë në epokën e betonimit të pamëshirshëm të Tiranës,…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë