Fatmir Sulejmani
Në dallim nga bota e qytetëruar, ku protestat organizohen për të mbrojtur vlerat e demokracisë nga individët dhe grupet huligane, hajdute e vrasëse, që guxojnë t’i shkelin ato për çfarëdolloj arsye, në shtetin tonë të dashur partia më e madhe opozitare VMRO, me parullën e zbrazët mashtruese për “Maqedoninë demokratike”, kërkon me protesta masive lirimin e të burgosurve për “ngjarjen” e 27 prillit të vitit 2017, e cila nuk qe “ngjarje” dosido, po sulm brutal ndaj Kuvendit – organit më të lartë të pushtetit ligjvënës dhe krim monstruz ndaj oponentëve politikë, që guxuan të zgjedhin kryetar kuvendi një shqiptar. Në këtë sulm barbar, më se keqi kaloi kryetari i ASH z. Zijadin Sela, që u torturua nga mizëria e kriminelëve të partisë, të cilët sot “demokrati” Mickovski përpiqet t’i shndërrojë në viktima të sistemit.
Ndodh kështu, sepse, për partitë e mendësisë mesjetare, nuk do të thotë gjë sulmi mbi kuvendin, sa herë që këtë e bëjnë paramilitarët me pushtet, lëre më tortura çnjerëzore ndaj një deputeti shqiptar që ua ka hedhur shpesh si leckë fytyrës të vërtetën politike mbi vendorët dhe ardhacakët, pakicat e mëdha dhe shumicat e vogla, të dhunuarit dhe dhunuesit, viktimat dhe persekutorët, rajën dhe padronët e vendit të çudirave.
Natyrisht, kjo protestë nuk mund të bëhej pa aminin dhe përkrahjen e Gruevskit që e organizoi katrahurën e 27 prillit të vitit 2017, për të ikur pastaj heroikisht nga vendi dhe për t’i lënë si të dhier e me preshët e përgjegjësisë në duar budallenjtë që nuk e kuptojnë se krimi dhe ndëshkimi shkojnë takëm.
Më e keqja është se këtë kabile njerëzish destruktivë e ushqen kuraja e vazhdueshme e disa akademikëve, që hërë haptazi, herë tinëzisht ua servon tagjinë e antishqiptarizmit, duke u kujdesur që për çdo ngjarje të pakëndshme në shtet të fajësojë shqiptarët. Madje edhe për gjëra që nuk i kap mendja e shëndoshë.
Po sjell në vijim ca raste të rënda të shpërndarjes publike të gjuhës së urrejtjes nga, që kaluan pa asnjë ndëshkim nga organet shtetërore, që shtetin e së drejtës e barazojnë me anekdotën e lopës së Nastradinit…
Kështu, në shtator të vitit 2017, prorektorja e Universitetit të Manastirit, në stilin e edukatorëve të saj serbë të etur për demonstrim racizmi, deklaroi: Në universitetin tonë nuk na duhen shqiptarët… Për shqiptarët nevojiten vetëm dhomat e gazit…!?
Në shkurt të vitit 2019, profesoresha universitare Biljana Venkovska u tall me aksidentin tragjik të autobusit, të ndodhur në autostradën Shkup – Gostivar, ku humbën jetën 14 qytetarë. E gjora, duke pandehur se të gjithë viktimat janë shqiptarë, u ngut të shkruajë në rrjetin social komentin: Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk!, duke e ndërlidhur pa asnjë brerje ndërgjegjeje një aksident tragjik komunikacioni me një ngjarje të vitit 2001, që ndodhi në rrethana konflikti të armatosur.
Në qershor 2020, akademikja Katica Qullafkova, e njohur për qëndrimet rigjide ndaj shqiptarëve, u përpoq t’na e hedhë fajin madje edhe për përhapjen e Covid-19, me të cilin ka rënë në hall e gjithë bota. Në faqen FB ajo botoi porosinë e koduar për qytetarët maqedonas: “Çmimin e bashkëjetesës e paguajmë me jetë”, duke lënë të kuptohet lehtësisht se “alternativa” e bashkëjetesës është, pastrimi etnik, komorat e gazit ose një konflikt i pasosur ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve si ai palestinez.
Në të tre rastet e përmendura reaguan edhe organet e rendit, por kjo u bë sa për të qetësuar situatën momentale, gjë që dëshmohet me mosndëshkimin kronik të piromaneve që e mbajnë ndezur zjarrin e urrejtjes ndërnjerëzore e ndëretnike. Në të tre rastet, alamet profesoreshat, pas gafave konfliktnxitëse, që në shtetet sistemqelbura s’jetojnë më shumë se 2-3 ditë, u morrën në mbrojtje të medieve nacional-shoveniste dhe u shpallën viktima të ndjekjes politike.
Mbetet ta thonë urtarët kur do të bëhet shtet prej vërteti ky vend çudirash? /Portalb/