Kokaina dhe klasa drejtuese e Shqipërisë

    PËLLUMB NAKO

    Në rrethin e Fierit, Policia e Shtetit arriti të zbulojë një sasi të konsiderueshme kokaine si dhe një laborator për përpunimin e saj.

    Pas kapjes së sasive të ndryshme, në peshë dhe në numër jo të vogël në portin e Durrësit, goditja këtë radhë u krye brenda territorit të vendit duke provuar se një sasi jo e vogël kokaine ka depërtuar tashmë në të. Të gjitha këto indicje flasin qartë dhe thjeshtë se trafiku i kokainës nuk ka për destinacion të vetëm tregun e vendit, por sidomos atë të jashtëm. Që tabloja të ishte më e plotë, të paktën deri tani, nga ana e organeve tona ligjore nuk ka raste të shpeshta të kapjes së ndonjë sasie kokaine në dalje jashtë kufijtë e Shqipërisë. Dhe për këtë gjë faktorët janë të shumtë, përfshi edhe strategjitë e trafikantëve. Si dhe në rastet e tjera, edhe këtë radhë, SPAK do të zhvillojë hetimet dhe personat e arrestuar do të izolohen në burg sipas shkallës së fajësisë së tyre. Kjo e fundit bën krenar edhe Ministrin e Brendshëm. Megjithatë përpos suksesit policor ( me dhe pa ndihmën e DEA-s amerikane), ende mbetet diçka e rëndësishme për t’u diskutuar. Shtimi i kapjeve dëshmon edhe shtimin e përpjekjeve për trafikim. Normalisht ka diçka që tërheq trafikantët në këtë kontekst.

    Nëse aktualisht teoritë e kriminologjisë në vendet e zhvilluara flasin për “ parandalimin social të krimit”, pra për prerjen e rrënjëve sociale të tij,  ku vendin kryesor e zë varfëria ekonomike dhe eksluzioni shoqëror, rastet e konstatuara në vendin tonë, në raport me trafikun ndërkombëtar të kokainës, duket se e përjashtojnë teorinë e mësipërme. Në rastet e konstatimit të trafikut të kokainës, në Shqipëri nuk rezultojnë të përfshirë apo të implikuar në krim as individë ekonomikisht të varfër dhe as nga ana shoqërore të mënjanuar, të papërfillur. Madje përkundrazi ata janë të favorizuar siç ishte rasti në Fier apo edhe në rastin e bananeve në Durrës.

    Pra cili mund të jetë motivi që i shtynë individë të këtyre përmasave, me sipërmarje ekonomike të fuqishme, me mbështetje politike që gjithsesi nuk mund ta quash të papërfillshme, të përfshihen në trafikun e kokainës? Nevoja? Të paktën nga rastet e bëra publike, nuk duket të ketë pasur individë me gjendje ekonomike të varfër. Dhe kjo gjë është e natyrshme nisur nga fakti mëse i ditur se trafiku i kokainës kërkon financime të fuqishme pasi parashikon edhe humbjet si në rastet konkrete edhe në Shqipëri. Pra çfarë i shtyn individë të pasur ekonomikisht, të financojnë trafikun e kokainës? Ata nuk kanë asgjë të përbashkët me të tjerë të cilët duke qënë ekonomikisht të varfër, të përjashtuar nga tregu i punës apo edhe nga forma të ndyshme të ndihmës sociale, i futen aktivitetit kriminal me qëllim mbijetesën ekonomike apo një konfort minimal. Kategoritë e individëve janë të shumtë, por ata më tipiket kanë të bëjnë me rastet e kultivimit të kanabisit nga burra e gra të moshuar, nga të mitur që mbajnë armë për të ruajtur parcelat si dhe fenomene të tjera kriminale të lidhura punën e zezë, ushtrimin e prostitucionit etj.

    Argumenti i parë që të vjen ndëmend për t’i dhënë përgjigje pyetjes, është i lidhur me përgjegjësinë e qeverisë. Po edhe jo!

    Është fare e lehtë për të përgjegjësuar një kryeministër të vendit lidhur me frymëzimin që ai i jep  direkt apo indirekt edhe fenomeneve të tilla negative. Por pavarësisht se vjen nga një figurë e lartë politike, frymëzimi nuk mund të gjejë realizim konkret nëse nuk ndiqet nga pas, nga një shpurë e tërë politikanësh, intelektualësh e pena profesionalistësh  të cilat i japin edhe ligjshmëri edhe legjitimitet frymës së tij. Është kjo shpurë tmerrësisht hipokrite,e pacipë dhe e pabesë e cila nuk frenon asnjë lider kur njëri apo tjetri prej tyre shkakton faulle me pasoja për vendin. Kjo ndodh sepse pikërisht ky grupim amorf dhe meskin sheh veten e tij si në hipokrizinë që shfaqet mbi banakun e ideve politike të kombit, edhe në interesat e tij të pista të vendosura poshtë banakut të komprimiseve pa din pa iman, pa fe e pa komb, majtas apo djathtas. Poshtë liderit dhe poshtë banakut ata ndihen të ngopur, të majmur, kurse ai mbetet një “ brand”. Pikërisht “ brandi ” që frymëzon bizensemenët të trafikojnë kokainë në një garë të ethshme për t’u bërë më të pasur, për të dominuar mbarë ekonominë e vendit, për të mos lënë hapësira për investimet e huaja.

    Sepse pasuria është pushtet ku ekziston mundësia që edhe në hije të tërheqësh fijet e tij. I gjithë aliazhi amorf që ndjek pas Kryeministrin, e adhuron këtë status ndërmjet pasurisë dhe politikës. I duana të dyja duke krijuar një trend apo modë të kohës e cila kthehet në kulturë sociale, “brand” i vendit. Rrallë mund të haset një grupim kaq i madh sa në Shqipëri ku te e njëjti person të përqëndrohet edhe pasuria edhe politikani, edhe sipërmarrja. Me pak fjalë ky ësht brandi i kryeminstrit, i shpurës së tij politike dhe i fijeve të opozitës. Të tre këta faktorë së bashku më klientelën e secilit syresh krijojnë pikërisht atë frymë e cila duke u zmadhuar kthehet në vlerë sociale të shtrembër që frymëzon përfshirjen ndër të tjera në trafikun e kokainës të personave edhe të pasur, edhe me pushtet. Pa folur këtu për aferat e shumta të korrupsionit me paratë publike.

    Vetë Kryeministri ynë i fundit ka pranuar me gojën e tij dhe jo në pak raste “ se edhe kemi gabuar”, por deri më sot asnjë nga shpura e tij politike, mediatike e intelektuale nuk është parë e dëgjuar ta ketë kritikuar publikisht. Ka ndodhur e kundërta. Mburrjet publike për të kanë arritur deri në marrëzi. Mjafton të përmendim nismën e këtij kryeministri të lenë gjysmë për shkak të presioneve ndërkombëtare “ për amnistinë fiskale”. Akush nga të vetët nuk i doli kundër. Vështirë se kjo amnisti do të ishte në gjendje të dallonte paratë e prejardhura nga trafiku i kokainës paralel me biznesin e  plehrave kimike si dhe me biznesin e bananeve. Ata që janë marrë me trafiqe të fshehur nën biznesin e pastër, e dinë mirë që do të ishin përfituesit e parë dhe kryesorë në këtë manovër. Edhe për pasaportat e arta e njëjta gjë.

    Po ashtu shumica  parlamentare e vendit u rreshtua e tëra në favor të projektit të Portit të Durrësit. Përsëri një grup parlamentar i unifikuar, përsëri intelektualë dhe pena profesionale që e përkrahin, përsëri krahasime euforike. Asnjë kritikë, asnjë dyshim, asnjë vërejtje. Qoftë edhe një të vetme nga ai krah. ( Nuk po mar në analizë opozitën, sepse në pushtet, edhe ajo reflektonte simptoma të kësaj sëmundjeje). Kjo sjellje e parlamentarëve, pushtetarëve, intelektualëve, artistëve që ngrenë në qiell Kryeministrin, të kujtojnë të njëjtin fenomen në Gjermaninë e Hitlerit kur gjithë bota u habit me paaftësinë e popullit gjerman për të frenuar fyrherin. Lavdi zotit që Kryeministri  ynë nuk është ai diktator, dhe Shqipëria nuk është Gjermani, sepse bota mbarë do të kishte siklet të madh me këtë “ brand “ të klasës sonë politiko-afariste. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Stresi shumëfishon urinë dhe rrit peshën e tepërt

    Lajmi i rradhës

    Kur janë të gatshme bebet të kalojnë në ushqim të ngurtë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë