Disa mendime lidhur me ata që hartojnë dhe lexojnë libra….

    Parimet didaktike të një teksti shkollor bashkëkohor

    Besa Dogani Profesoreshë universitare

    Çështja mbi tekstin shkollor, shkrimin dhe përdorimin e tij nga ana e mësuesit dhe nxënësit, si dhe përshtatja me programin mësimor dhe moshën fëmijërore kanë qenë gjithmonë aktuale. Është aktuale tek ne, në Evropë dhe në botë, është vazhdimisht e pranishme në tubimet profesionale të Këshillit të Evropës, në tubime dhe simpoziume të ndryshme ndërkombëtare shkencore, në kongrese të shumta botërore të historianëve, etj. Fatkeqësisht, në praktikë, si dhe në teori, tek ne nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme. Në vendin tonë konsiderohet se nëse ka një libër shkollor për lëndën përkatëse, atëherë gjithçka është në rregull dhe nuk ka probleme.

    Nga cilido këndvështrim që të shihet teksti shkollor i Historisë, ai përfaqëson një temë të gjerë, domethënëse dhe problematike që lidhet me: shkencën historike, mësimdhënien për historinë, pedagogjinë, didaktikën, metodologjinë, psikologjinë, gjuhën, estetikën dhe artin figurativ, lëndët e ngjashme (gjuha amtare, sociologjia, filozofia, gjeografia) dhe të tjera.

    Në praktikën mësimore hasen dukuri të ndryshme në lidhje me shkrimin dhe përdorimin e teksteve shkollore të historisë. Shumica e tyre janë pozitive dhe në përputhje me kërkesat profesionale-pedagogjike, por ka edhe nga ato që nuk janë në pajtim me këto kërkesa. Këtu do të parashtrojmë disa prej tyre: teksti shkollor nuk përdoret në tërësinë e tij me të gjitha pajisjet didaktike. Teksti ekzistues shkollor mohohet, kritikohet ashpër sepse nuk është i një cilësie të mirë, gjë që krijon neveri tek nxënësit në vend të krijojë dhe nxis dashuri ndaj tij.

    Për shembull është pozitiv përdorimi i plotë dhe racional i tekstit shkollor nga mësuesit dhe nxënësit. Përdorimi i plotë i pajisjeve didaktike dhe pjesës ilustruese, Nxitja dhe zhvillimi tek nxënësit i dashurisë ndaj tekstit shkollor dhe ndaj librit në përgjithësi, si dhe zhvillimi i zakoneve të punës tek nxënësit, lidhja e tekstit shkollor me literaturën tjetër historike dhe materialet tjera burimore, zhvillimi i zakonit të mbajtjes së tekstit shkollor të pastër dhe të pa dëmtuar, etj.

    Në krijimin e një teksti shkollor marrin pjesë më tepër faktorë: autorët, recensuesit, organizata botuese-redaktori dhe Këshilli redaktues, Këshilli Pedagogjik, artistët, gjuhëtarët, redaktorët grafik dhe teknik, etj.

    Në hartimin e teksteve shkollore, faktori numër një janë autori ose autorët. Autorët duhet të jenë të njoftuar mirë me shkencën – historinë, lëndën e historisë, planin dhe programin e tij si dhe konceptin e tij profesional dhe didaktik. Për më tepër, të njohin ligjshmëritë e arsimit në mikro-strukturën e tij, respektivisht ata duhet të posedojnë kulturën e nevojshme pedagogjike (teorike dhe praktike), të njohin psikologjinë në mënyrë që të jenë në gjendje të përshtaten me moshën e nxënësve. Autorët duhet të kenë aftësi gjuhësore në mënyrë që të jenë në gjendje të përshtatin tekstin shkollor me moshën e nxënësit për sa i përket gjuhës dhe stilit. Ato duhet të kenë aftësinë dhe ndjenjën e nevojshme për hartimin estetik dhe artistik si dhe tekniko-grafik të tekstit.

    Recensentët po ashtu duhet të kenë cilësitë e autorëve. Zakonisht nevojiten tre recensentë: për profesionin, për metodikën dhe praktikën.Lirisht mund të themi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut por edhe më gjerësisht në shtetet e Ballkanit Perëndimor mungojnë pikërisht faktorët e sipërpërmendur. Autorët e teksteve shkollore të historisë zakonisht janë autorë të mendësisë së vjetër, kryesisht ish jugosllave të cilët të dhënat e tyre i thithin vetëm nga një burim duke mos lënë hapësirë për ballafaqim burimesh dhe faktesh historike. Ata kryesisht përmes fakteve të pa verifikuara dhe të pavërtetave historike tentojnë që të lartësojnë historinë e grupit të tyre etnik duke krijuar tensione dhe pakënaqësi tek grupet tjera etnike në vend.

    Mungesa e angazhimit të gjuhëtarëve të mirëfilltë dhe profesionist në hartimin e këtyre teksteve shkollore sjell deri në përdorim të çoroditur të gjuhës së shkruar, sidomos gjatë hartimit të teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

    Mos angazhimi i ekspertëve për hartimin estetik dhe artistik si dhe tekniko-grafik të teksteve shkollore shpesh rezulton me mospërshtatje të toponimeve, emrave të ngjarjeve historike si dhe paraqitjeve grafike joadekuate dhe shpesh ofenduese.

    Anembanë botës përdoren më tepër lloje të teksteve shkollore. Sipas konceptimit dhe cilësisë së tyre, ato kryesisht ndahen në dy lloje: teksti tradicional ose klasik dhe modern apo bashkëkohor. Në tekstin tradicional, i cili është lloji më i vjetër, përmbajtjet shkencore paraqiten në një formë koncize, pa pajisje didaktike. Përdoret për mësimdhënie klasike dhe kërkon që nxënësit të mbajnë në mend, zotërojnë dhe riprodhojnë materialin. Ky libër shkollor nuk inkurajon punë të pavarur. Veçori e tekstit shkollor bashkëkohor është, ndër të tjera, formimi i tij didaktik nga këndvështrimi i teorisë didaktike. Lloji bashkëkohor i tekstit shkollor afirmon rezultatet e teorive të reja në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Ky lloj i tekstit shkollor nxënësin e vendos në pozicionin e punës së pavarur, kërkimit dhe krijimit të pavarur. Me të braktisen enciklopedizmi, fragmentarizmi, historizmi, rrëfimi dhe riprodhimi si dëshmi më të rëndësishme për zotërimin e materialit.Teksti bashkëkohor shkollor mund të jetë: i tërësishëm, integral ose sintetik; i diferencuar, i ndarë ose i degëzuar; i kombinuar; gjysmë-programuar; i programuar dhe multimedial ose me më tepër burime.Përpos lëshimeve të cilat i theksova më lartë, vlen të përmendet që në vendin tonë tekstet e historisë i takojnë llojit të kombinuar që përdor anët e mira si të tekstit shkollor klasik dhe modern. Ky lloj përdoret për më shumë vende, sepse ka më shumë vlera dhe përparësi dhe është i përshtatshëm për të gjitha moshat.

    Tekstet bashkëkohore të historisë përbëhen kryesisht nga disa elemente të barabarta, dhe secili nga to ka funksionin dhe qëllimin e tij të veçantë: pyetjet hyrëse dhe detyrat: teksti bazë i librit shkollor; pyetjet dhe detyrat; materialet figurative; fjalori i termave të rinj; tabelat kronologjike dhe sinkronike; fragmentet nga burimet historike; pjesën për përkujtim; nganjëherë në formën e tezave të shtjelluara e nganjëherë në formë të një teksti të ngjeshur në formën e pyetjeve, detyrave dhe të ngjashme.Tekstet tona të reja për arsimin fillor dhe të mesëm përmbajnë elementet në vijim: tekstin bazë, pyetjet dhe në disa tjera edhe detyrat dhe materialin figurativ. Në disa tekste shkollore haset edhe një tabelë kronologjike.

    Duke filluar nga tekstet shkollore të shkollës fillore e deri tek librat universitarë, ato ndryshojnë në aspektin profesional dhe modelin didaktik. Gjegjësisht, sa më i ulët të jetë niveli i arsimit, aq më i lartë është niveli i modelit didaktik dhe anasjelltas, sa më i lartë të jetë niveli i arsimit, aq më e ulët është edhe pajisja didaktike.

    Në lidhje me përmbajtjen dhe cilësinë e teksteve shkollorë të historisë, organet ekspertë të Këshillit të Evropës rekomandojnë që historia të mos përdoret si propagandë për të eliminuar gabimet dhe keqkuptimet e shumta por përkundrazi për të ndërtuar një pamje evropiane të historisë, të shmangen interpretimet e zhvillimeve historike që mund të përdoren në interes të veçantë praktik të një vendi ose etniteti për të prishur marrëdhëniet e ndërsjella midis vendeve apo popujve. Zhvillimi i shteteve është një nga veçoritë thelbësore të kohës moderne dhe idesë për unitetin evropian, për të cilën arsye duhet të tregohet rëndësia e tij; gjatë studimit të historisë të fillohet me historinë lokale për shkak të kornizës të cilën ajo e përmban për studimin e disa dukurive që nuk përkojnë me kufijtë e shteteve; të shtjellohet më gjerësisht dukuria e bashkëjetesës dhe unitetit brenda kombeve evropiane; t’i jepet pesha e duhur rrjedhës kryesore të ideve, kulturave dhe elementeve fetare; jo për të insistuar shumë në antagonizmat ndëretnike, por përkundrazi të vendoset theks i veçantë tek bashkëpunimi.

    Duke vepruar kështu, duhet theksuar se nacionalizmi nuk paraqet një parim të përgjithshëm të historisë bashkëkohore evropiane por vetëm një fazë të zhvillimit të saj historik. Tekstet shkollore të historisë duhet ta zhvillojnë qëndrimin kritik tek nxënësit e njëkohësisht të mundësojnë që çështjet historike të adresohen nga më shumë këndvështrime. Ata duhet të paraqesin fushë të gjerë për ballafaqimin e të vërtetave të shumta me qëllim të gjetjes së versionit më të përafërt të pranueshëm për të gjithë palët historike dhe në këtë mënyrë të bëhen urë lidhëse midis kombeve në vend që të bëhen mur ndarës midis tyre.

    Lajmi Paraprak

    Kritikë e Carl Schmitt-it

    Lajmi i rradhës

    Studim: Sa lexohet në kohë pandemie?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë