Arsyeja pse nisa të shkruaja diçka që nuk është vetëm për time më, por për të gjitha punëtoret që punojnë në fasoneri, është pikërisht se kurrë nuk kam ditur të përcaktoj se kujt i përket produkti që ato prodhojnë. Së fundmi në një prej spektakleve televizive, mami im pa se moderatorja kishte veshur xhaketën që ajo kishte qepur. E pashë se si fillimisht i shkëlqyen sytë sepse ishte ndër të paktat herë që rrobat nuk ishin transportuar në Itali. Kjo lumturi për punën e kryer nuk zgjati shumë, kur në momentin e falënderimeve u përmend emri i pronares, e prezantuar si stiliste e njohur. Ajo xhaketë ishte puna e shumë punëtoreve dhe u mohua me një fjali të vetme.
Ime më e ka nisur punën në fasoneri për prodhimin e rrobave që në moshën 18-vjeçare. Gjatë viteve kushtet e punës kanë ardhur duke u vështirësuar. Unë nuk kam qenë me të në ambientin e punës, ama mund të kuptoja shumë kur ia shihja lodhjen çdo ditë. Që fëmijë më kujtohet që më duhej të qëndroja në kopsht më shumë se sa shokët dhe shoqet e mia për shkak se ajo punonte me orë të zgjatura. Për fasoneritë oraret e punës nuk janë të përcaktuara dhe shpesh herë vendosen në mënyrë arbitrare nga vetë pronarët. Unë nuk e dija çfarë do të thoshte fjala eksport, ama e dija se kur vinte kjo ditë mamin e shihja kur binte nata dhe tepër të lodhur. Ajo nuk arrinte as të hante dhe menjëherë e këpuste gjumi. Kur u bëra 16 vjeçë, më është dashur ta provoj edhe vetë për disa muaj këtë punë rraskapitëse.
Para se të vazhdojmë më tej me problemet e fasonerive, dua të merremi pak me konceptin e tëhuajësimit të punëtorit. Për këtë si koncept kam dëgjuar kur nisa kursin e Historisë së mendimit politik, në vitin e parë të universitetit. Autori që bën analizë të plotë për këtë është Karl Marksi. Për Marksin procesi i ndarjes së punës, që është karakteristikë e sistemit kapitalist, ndikon drejtpërdrejt në shndërrimin fizik e mendor të punëtorit. Për prodhimin e xhaketës çdo punëtor ka kryer një proces pune si: prerja, qepja, hekurosja, paketimi, shkarkimi dhe ngarkimi. Kjo lloj ndarjeje, sipas Marksit, prish marrëdhënien mes punëtorit dhe produktit që ai ka prodhuar. Malli është i huaj për punëtorin sepse ai nuk e ka bërë të gjithë procesin e prodhimit. Këtë lloj tëhuajësimi Marksi e quan tëhuajësim nga malli. Pavarësisht kontributit që kishte dhënë, mamaja ime nuk e dinte se çfarë kishin qepur duart e saj. Nëse ajo nuk do ta kishte parë në një nga spektaklet televizive, as nuk do të dinte ku kishte përfunduar xhaketa.
Xhaketa për të cilën po flas ka pasur shumë procese pune dhe në përfundim ka marrë pronësinë e tjetërkujt të cilës, përveçse pronare, i pëlqen ta quajë veten edhe stiliste. Dikur ky term nuk ekzistonte sepse rrobaqepësi nuk ishte vetëm “ideatori” i veshjes, por edhe prodhuesi i saj. Ndërkohë që sot stilistët janë kthyer në pronarë fabrikash të mëdha, të cilat ndodhen në vende të varfra ku krahu i punës është shumë i lirë. Pasarelat e modës mbushen me veshje që prodhohen në vende si Vlora e Kamza dhe përfundojnë në Milano. Shqipëria është ende një vend ku kapitalizmi nuk është shumë i zhvilluar dhe ende stilistët prodhojnë për tregun e brendshëm, ndaj në rastin më të mirë ata prodhojnë për njerëz të ekranit ose siç rëndomtë quhen VIP-a.
Ndërkaq sot të gjithë punëtorët që kanë punuar për atë xhaketë nuk njihen dhe për ta xhaketa është një produkt i huaj. I huaj jo vetëm sepse puna e tyre nuk njihet, por edhe sepse çmimi i rrobave që prodhojnë është shumë i lartë. Kjo xhaketë kushton aq shumë sa edhe nëse të gjitha punëtoret që e kanë realizuar bashkohen nuk mund ta blejnë. Çmimi i një xhakete është shumë më i lartë se rroga e një muaji për një punëtore fasonerie. Shfrytëzimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore i ka mundësuar kësaj pronareje dhe shumë të tjerëve të akumulojnë kapital dhe të rrisin fitimet e tyre. Për të rritur fitimet në mënyrë të vazhdueshme, pronarët nuk i kanë rritur pagat apo përmirësuar kushtet e punës.
Sot në Shqipëri sektori fason është një ndër sektorët me pagat më të ulëta. Edhe pse paga minimale është e përcaktuar me ligj, shumë punëtorë detyrohen të kthejnë para mbrapsht nën dorë pronarit/es. Afërmendsh në këto lloj sektorësh punojnë gra ose burra me vështirësi të mëdha ekonomike, për të cilët papunësia është si litari në fyt që nga momenti në moment mund t’i mbysë. Varfëria dhe skamja i detyrojnë të pranojnë çdo lloj page, mjafton që të mbajnë frymën gjallë.
Marksi nuk flet vetëm për tëhuajësimin nga malli, por edhe për tëhuajësimin nga puna. Tashmë që puna është kthyer në mall që shitet dhe blihet, punëtori i detyruar nga kushtet ekonomike pranon të bëhet pjesë e kësaj logjike, kurse oraret, kushtet e punës, ritmin e saj (norma) e përcakton pronari. Punëtori duket kaq i pafuqishëm ndaj gjithë këtyre kushteve dhe i ngjan sikur përveç trupit, ka shitur edhe shpirtin.
Përveç këtyre, pronarët kryejnë kontrolle të vazhdueshme në ambientin e punës për të parë a është plotësuar (mbi)norma. Në këtë rast, pronarja numëron sa xhaketa janë qepur. Kur i duhet të bëjë udhëtime jashtë shtetit, ajo nuk harron të kontrollojë nga kamerat e sigurisë për të dalluar se cila punëtore është përgjigjur në telefon ose ka folur me shoqen përbri. Punëtoreve kjo formë mbikëqyrjeje u është bërë kaq normale, sa besojnë që kjo gjë është e drejtë dhe e pashmangshme, sepse do të lindte kaosi dhe askush nuk do ta bënte punën si duhet. Mund të ndodhë që pronarja të përdorë përgjegjësit e punës për të bërë këtë kontroll, çka shkakton armiqësi te punëtorët me njëri- tjetrin. Kjo lloj logjike individualiste ushtrohet ndaj punëtorëve që ata ta mendojnë njëri-tjetrin si konkurrentë dhe të ndihen të kërcënuar nga shumësia e të papunëve që ndodhen te dera e fabrikës.
Puna në fasoneri të shkakton edhe një lloj tjetër tëhuajësimi, nga të tjerët si vetja. Puna me orare të zgjatura i largon punëtorët nga familja, të afërmit apo shoqëria. Gratë punëtore nuk kanë kohë për të pasur një jetë aktive (përtej punës?), madje edhe të dielave që do të duhet të ishin pushim, shpesh herë nuk janë të pranishme.
Shqipëria ka të deklaruara rreth 70 mijë punëtorë – përveç atyre të që punojnë në të zezë – në sektorin fason. Shpesh në fasoneri të ndryshme lindin revolta spontane, por që shuhen pas dy-tre ditësh sepse qeveria dhe institucionet janë gjithmonë në krah të pronarëve dhe strukturat organizative janë ende të brishta. Prandaj lind si domosdoshmëri ndërgjegjësimi dhe organizimi sindikal i ri dhe demokratik i këtyre punëtorëve, si mënyra e vetme për të shpëtuar nga shfrytëzimi çnjerëzor. Duke i mësuar të drejtat e tyre në punë dhe duke u bërë bashkë me shokët e shoqet e fabrikës, jo vetëm e drejta por edhe fuqia do të jetë me to.
Ariela Zeneli
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.