Në fillim si farsë, pastaj si tragjedi?

    Slavoj Žižek

    Të gjithë e njohim thënien e Marksit se historia përsëritet, herën e parë ndodh si tragjedi dhe të dytën si farsë. Marksi i referohej rënies së Napoleonit I dhe farsës së mëvonshme të sundimit të nipit të tij, Napoleonit III. Në vitet 1960 Herbert Marcuse-ja vinte në dukje se nga nazizmi duhet të nxjerrim mësimin e kundërt: në fillim si farsë (gjatë viteve 1920 Hitleri dhe banda e tij trajtoheshin si një grup klounësh politikë margjinalë), pastaj si tragjedi (kur Hitleri mori pushtetin). Afërmendsh, hyrja e turmës në selinë e Kongresit amerikan nuk ishte një tentativë serioze për grusht shteti, por farsë. Jake Angeli, mbështetësi i Qanon-it i mirënjohur tashmë si tipi që hyri në Kongres me një kapele me brirë të ngjashme me përkrenaren vikinge, personifikon rrejshmërinë e krejt turmës së protestuesve. Në kulturën popullore luftëtarët vikingë portretizohen vërtet me përkrenare me brirë, por nuk ka asnjë të dhënë historike se përkrenaret vikinge kanë pasur vërtet brirë. Në të tillë formë ato u shpikën nga imagjinata romantike e fillimshekullit XIX: ja autenticiteti i protestuesve(!)

     E njëjta gjë vlen edhe për presidencën e Trump-it. Kur banda digjitale e të katërve – Twitter-i, Facebook-u, Instagram-i dhe YouTube-i – bllokuan profilet online të Trump-it, shumë komentatorë vunë në dukje një aspekt problematik të këtij akti. Një kompani private (s’merret vesh se cili organizëm brenda tyre) përjashton dikë nga sfera publike. Kjo ka ardhur si pasojë e privatizimit të të përbashkëtave digjitale, të hapësirës publike, në të cilën ne komunikojmë gjithnjë e më shumë, sidomos në këtë kohë mbylljesh dhe distancimi fizik. Trump-it iu dha një goditje veçanërisht e rëndë pasi kanali i tij kryesor i komunikimit me publikun ishte dërgimi i tweet-eve. Po citoj Russell Sbriglia-n në një bisedë private:

    “A mund të ketë shembull më të mirë të logjikës së ‘vjedhjes së shijimit’ sesa mantra e mbështetësve të Trump-it që thërrisnin ‘Ndalni vjedhjen!’ gjatë sulmit ndaj Kongresit?! Natyra hedoniste dhe karnavaleske e sulmit ndaj Kongresit për të ‘ndalur vjedhjen’ nuk kishte të bënte thjesht me kryengritjen; i lidhur me rimarrjen e shijimit që ‘supozohet’ se u është vjedhur nga të tjerët (d.m.th. zezakët, meksikanët, myslimanët, LGBTQ+ etj.), dimensioni karnavalesk ishte fund e krye thelbësor për të.”

    Çka ndodhi më 6 janar në Kongres nuk ishte tentativë për grusht shteti, por një karnaval. Ideja se karnavali mund të shërbejë si model për lëvizjet protestuese përparimtare – këto protesta janë karnavaleske jo vetëm në formë dhe atmosferë (performanca teatrale, biseda humoristike…), por edhe në karakterin e decentralizuar të organizimit të tyre – është thellësisht problematike. A nuk është karnavalesk realiteti shoqëror i kapitalizmit të vonë?! A nuk ishte Kristallnacht-i i vitit 1938 – si shpërthim gjysmë i organizuar e gjysmëspontan sulmesh të dhunshme ndaj shtëpive, sinagogave, bizneseve dhe njerëzve të komunitetit hebraik – një lloj karnavali i mirëfilltë?! Veç kësaj, a nuk është “karnavali” emri i anës së errët të pushtetit – nga përdhunimet në grup te linçimet në masë?! Nuk duhet të harrojmë se Mikhail Bakhtin-i e përpunoi nocionin e karnavalit në librin e tij mbi Rabelais-në, i shkruar në vitet 1930 si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj karnavalit të spastrimeve staliniste. Tradicionalisht, në rezistencën ndaj të pushtetshmëve, një nga strategjitë e “klasave të ulëta” ka qenë përdorimi i shfaqjeve tmerruese të brutalitetit për të trazuar sensin mikroborgjez të mirësjelljes. Po me ngjarjet e Kongresit karnavali e ka rihumbur pafajësinë. A nuk kemi edhe në këtë rast farsën që përsëritet si tragjedi? A do të pasohet nga një grusht shteti serioz e i dhunshëm (ose, më mirë akoma, jo edhe aq i dhunshëm)?

    Ka disa shenja ogurzeza në këtë drejtim:

    “Sipas një anketimi të kryer të nesërmen e sulmit ndaj Kongresit, 45% e republikanëve e miratojnë këtë veprim dhe besojnë se Trump-i duhet ta mbajë me forcë pozitën e presidentit, kurse 43% e kundërshtojnë ose të paktën nuk e mbështesin përdorimin e dhunës për këtë qëllim. E djathta ekstreme ka krijuar kësisoj një bazë prej 30 milionë vetësh, ku një numër gjithnjë e më i madh syresh e mohojnë haptazi parimin e demokracisë dhe janë të gatshëm të pranojnë sundimin autoritarist. Kemi fat që objekti i këtij adhurimi vuan nga narcisizmi dhe degradimi mendor. Sidoqoftë, është vetëm çështje kohe përpara se të dalë një Trump i ri, më pak i çoroditur dhe më shumë kompetent; tanimë është shtruar rruga e vendosjes së një regjimi autoritar që shkon kundër vullnetit të shumicës së zgjedhësve.”

     Po nacisizmi dhe degradimi mendor i Trump-it nuk janë thjesht mangësi; këto dy tipare qëndrojnë në zemër të suksesit të tij. Qëndrimi bazik i ndjekësve të tij karakterizohet nga i njëjti “degradim mendor”, ku mohohet impakti i pandemisë, ngrohjes globale, racizmit dhe seksizmit në SHBA. Për ta, rreziqet më të mëdha ndaj mënyrës amerikane të jetesës vijnë nga një konspiracion. (Mënyra si e ka ndikuar pandemia qeverisjen e Trump-it është e dykuptimtë: Trump-i i humbi zgjedhjet prej Covid-it, por lëvizja që qëndron pas tij u fuqizua nga mënyra se si ai reagoi ndaj pandemisë duke e mohuar impaktin e plotë të saj.) Prej këtij degradimi lindi një lëvizje substanciale e të djathtës radikale, një sinergji e supremacisë së bardhë, mohuesve të pandemisë dhe teorive konspirative. Baza e saj klasore (si në rastin e fashizmit) është një kombinim i turmës së të bardhëve që i përkasin klasës së mesme të ulët, të frikësuar se po humbin privilegjet, dhe miliarderëve që i financojnë nën rrogoz.

    A u trazua seriozisht aparati shtetëror amerikan nga futja e dhunshme në Kongres: Me sa duket po: “Gjenerali më i rëndësishëm amerikan, Mark Milley, dhe krejt Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë, që përbëhet nga krerët e secilës degë të ushtrisë, nxorën një deklaratë të martën e 12 janarit ku dënohej pushtimi i dhunshëm i Kongresit dhe u kujtohej forcave të armatosura detyrimi për të mbështetur dhe mbrojtur kushtetutën, si dhe refuzuar ekstremizmin.” FBI po heton dhe po i çon përpara gjyqit protestuesit, por mbeten gjurmë të fshehta solidariteti: siç është vënë në dukje shpesh, thjesht imagjinoni sa më brutalisht do të reagonin autoritetet sikur Kongresin ta rrethonin protestuesit e Black Lives Matters-it! Protestuesit nuk u mposhtën; ata thjesht u kthyen në shtëpi (siç i këshilloi Trump-i), ose ndoshta në ndonjë lokal andejpari për të festuar veprat e tyre.

    Shumë prej protestuesve të Kongresit “morën avionin nga lagjet e tyre të pasura drejt Kongresit të SHBA, të gatshëm për të dhënë jetën për kauzën e privilegjit të të bardhëve. Sigurisht që shumë syresh i përkisnin klasës së mesme të ulët, të cilës i duket se privilegjet e saj po kërcënohen nga koalicioni imagjinar i biznesit të madh (korporatat e reja digjitalo-mediatike, bankat), administratës shtetërore (që na kontrollon jetën, duke imponuar masat mbyllëse, maskat, kontrollin e përdorimit të armëve dhe të tjera kufizime të lirive tona bazike), katastrofës natyrore (pandemia, zjarret në pyje) dhe “të tjerëve” (të varfërve, racave të tjera, LGBT+) të cilët me demek po shterin burimet financiare të shtetit duke e detyruar këtë të fundit të rrisë taksat. Kategori qendrore e kësaj qasjeje është “mënyra jonë e jetesës”: shoqërizimi në bare dhe kafene apo ngjarjet e mëdha sportive dhe e drejta për të mbajtur armë; refuzimi i gjithçkaje që i kërcënon këto liri (si maskat apo masat mbyllëse) dhe i kontrollit shtetëror (pa qenë kundër kontrollit të “të tjerëve”). Gjithçka që përbën kërcënim për këtë mënyrë jetese (praktikat e pandershme tregtare të kinezëve, “terrori” i korrektesës politike, ngrohja globale, pandemia…) denoncohet si komplot. Sigurisht që kjo “mënyrë jetese” ka një bazë klasore: është mënyra e jetesës së klasës së mesme të bardhë që vetëperceptohet si mishërimi i vërtetë i “thelbit të Amerikës”.

    Kështu që kur dëgjojmë se agjentët e këtij konspiracioni nuk kanë vjedhur thjesht zgjedhjet, por po na zhveshin (gradualisht) nga (mënyra e) të jetuarit, na duhet një tjetër kategori, ajo e vjedhjes së shijimit. Në fillim të viteve 1970 Jacques Lacan-i parashikonte se globalizmi kapitalist do të sillte një mënyrë të re racizmi, të fokusuar te figura e Tjetrit që ose na kërcënon përmes rrëmbimit të shijimit tonë (kënaqësia e thellë që buron nga zhytja në mënyrën tonë të jetesës), ose që vetë bart dhe shpalos një shijim të tepërt të cilin nuk e rrokim dot. (Mjafton të kujtojmë fantazitë antisemite mbi ritualet sekrete të hebrenjve, fantazitë e supremacistëve të bardhë rreth fuqisë seksuale sipërore të zezakëve, perceptimin e meksikanëve si përdhunues dhe trafikantë droge…) Shijimi nuk duhet ngatërruar me kënaqësitë seksuale e të tjera si kjo; është një kënaqësi më e thellë që lidhet me mënyrën specifike të jetesës ose paranojën mbi mënyrës e jetesës së Tjetrit. Çka na shqetëson te Tjetri trupëzohet zakonisht në detaje të jetës së përditshme: aroma e ushqimeve të tyre, zëri i lartë i muzikës apo të qeshurave… Meqë ra fjala, a nuk shfaqet një përzierje e ngjashme magjepsjeje dhe tmerri në reagimin e liberalëve të majtë ndaj protestuesve të Kongresit?! Njerëzit “e zakonshëm” po hyjnë dhunshëm në fronin e shenjtë të pushtetit, një karnaval që pezulloi përkohësisht rregullat e jetës publike: pati një farë zilie brenda dënimit të këtyre akteve.

    Dimensioni i asaj që po mohojnë protestuesit trampistë është i tmerrshëm. Pavarësisht vaksinës, pandemia është ende e rëndë, ndërkohë që po shpërthejnë diferencimet shoqërore. Sa i përket mjedisit, “planeti po përballet me një ‘të ardhme të kobshme zhdukjeje në masë, degradimi të shëndetit dhe trazirash që burojnë nga katastrofat klimatike’, të cilat janë kërcënim për mbijetesën njerëzore për shkak të injorancës dhe mosveprimit, nëse i referohemi një grupi ndërkombëtar shkencëtarësh, të cilët na paralajmërojnë se njerëzia ende nuk e ka kuptuar karakterin urgjent të krizave të biodiversitetit dhe të klimës”.

    Tani le të përqendrohemi tek elementët e një mohimi të ngjashëm gjatë përurimit të Biden-it. Ja komenti i SE Cupp-it mbi përurimin:

    “Dukej sikur asgjë e tmerrshme nuk kishte ndodhur më parë. Po sigurisht që nuk ishte e vërtetë. Katër vitet e fundit kanë shënuar në mënyrë traumatike shumë amerikanë dhe kjo nuk mund të zhduket brenda natës. Ka nevojë për shërim dhe Biden-i ka një rrugë të gjatë përpara. Po së paku për një orë e ca në Kongresin e SHBA pati një frymëmarrje të thellë e të nevojshme nga marrëzia; ndodhi një ndarje e fortë nga viti 2020.”

    E shkuara jo vetëm që ka ndodhur, por ka lindur pikërisht prej botës që u kremtua nga poezia “Kodra të cilës i ngjitemi” e lexuar nga poetja e re e vlerësuar Amanda Gorman në përurimin e Biden-it. Duke e përshkruar veten si “një vajzë zezake thatime që e ka prejardhjen nga skllevërit, e rritur vetëm nga mamaja dhe që ëndërron të bëhet presidente, ndonëse thjesht po reciton përpara një presidenti”, ajo vazhdoi:

    “E ngremë shikimin jo tek ajo që na ndan, por tek ajo që qëndron përpara nesh/ E mbyllim hendekun sepse dimë të vendosim në rend të parë të ardhmen, duke hequr mënjanë dallimet mes nesh/…/ I ulim krahët për të arritur krahët e njëri-tjetrit. Nuk duam të dëmtojmë askënd dhe kërkojmë harmoni për të gjithë/ E kemi parë forcën që do ta shkatërronte popullin tonë, në vend që ta ndanim së bashku atë/ Do ta shkatërronte vendin tonë nëse do të arrinte ta shtynim për më vonë demokracinë./ Kjo orvatje desh fitoi, por ndonëse demokracia mund të shtyhet herë pas here, ajo nuk mund të mposhtet kurrë përfundimisht në këtë të vërtetë.”

    Nëse termi “ideologji” ka ende kuptim, këtu del qartë – fantazia e establishmetit dhe përparimtarëve të bashkuar në një moment sublim uniteti. Kur gjendemi të zhytur në këtë unitet, duket sikur Trump-i nuk ka ndodhur kurrë. Po nga na erdhën Trump-i dhe ndjekësit e tij?! A nuk sinjalizon kjo një çarje të thellë në këtë unitet?! Nëse duam të kemi të ardhme, nuk duhet t’i lëmë mënjanë dallimet, por të bëjmë pikërisht të kundërtën: të përqendrohemi te ndarjet dhe antagonizmat tanë, të cilët e përshkojnë tejpërtej shoqërinë amerikane; jo te “lufta jocivile” midis establishmentit liberal dhe ndjekësve të Trump-it, por te antagonizmi klasor me të gjitha rrjedhojat e tij (racizëm, seksizëm, krizë ekologjike).

    Prandaj apelet për unitet dhe shërimin e ndarjeve janë të rrejshme. Trump-i është mishërim i ndarjes radikale, i ne kundër atyre (“armiqve të popullit”), dhe e vetmja mënyrë për ta mposhtur atë është të tregojmë se kjo ndarje është e rrejshme, se ai është në të vërtetë njëri prej “tyre” (një krijesë e “kënetës” së establishmentit) dhe ta zëvendësojmë këtë ndarje me një tjetër, më radikale e të vërtetë, domethënë establishmenti në të gjitha fytyrat e veta kundër unitetit të gjerë të të gjitha forcave emancipuese.

    A do ta përsëritet farsa në tragjedi? Nuk ka ndonjë përgjigje të saktë paraprakisht. Varet nga të gjithë ne, nga mobilizimi ynë ose e kundërta e tij. “Kujdes se çfarë dëshironi!” e paralajmëroi Trump-i Biden-in për idenë e rrëzimit të tij përmes amendamentit 25 të kushtetutës. Ndoshta vetë Trump-i duhet të kishte qenë i kujdesshëm në atë që dëshironte kur mbështeti protestuesit. Sidoqoftë, ndoshta, në afatgjatë ai ka thënë diçka të vlefshme: çka dëshiron Biden-i është kontradiktore, një ëndërr e pamundur dhe sa më parë të zgjohet prej saj, aq më mirë për të gjithë ne. Të mposhtje një shënjestër të dukshme si Trump-i ishte e lehtë. Lufta e vërtetë fillon tani.

    Në ceremoninë e gjithëkremtuar të përurimit u shfaq një figurë e vetmuar, i cili e vodhi vëmendjen thjesht duke ndenjur ulur, duke ngulmuar të ishte një element mospërputhjeje që trazonte spektaklin e unitetit dypartiak: Bernie Sanders-i. Sipas Naomi Klein-it, më shumë se dorashkat pati vlerë qëndrimi i tij: “të ndenjurit shtrembër, duarkryq, izolim fizik prej turmës. Nuk dukej si një njeri i lënë jashtë derës, por si dikush që nuk donte t’u bashkohej të tjerëve. Në një ngjarje që mbi të gjitha duhej të tregonte unitetit dypartiak, dorashkat e Bernie-t përfaqësuan këdo që nuk ka qenë i përfshirë kurrë në konsensusin e manifakturuar prej elitave.” Në komentet pas përurimit, Bernie përvijoi konturet e luftërave të ardhshme. Çdo filozof e di se sa mbresa i pati lënë Hegelit kalërimi i Napoleonit në qytetin e Jenës. Për të ishte si të shikonte frymën e botës (prirjen historike mbizotëruese) majë kalit… Fakti që Bernie ua rrëmbeu spektaklin dhe imazhi i tij në vetmi u kthye menjëherë në ikonë, duke lënë në hije Lady Gaga-t dhe Gorman-ët, do të thotë se fryma e vërtetë e botës në kohën tonë gjendej atje, në figurën e tij të vetmuar që mishëronte skepticizëm për normalizimin e rrejshëm të ceremonisë. Dhe se ka ende shpresë për kauzën tonë.

    E përktheu 
    Arlind Qori

    Marrë nga The Philosophical Salon

    Lajmi Paraprak

    “Age of Empires IV” del në shitje gjatë vjeshtës

    Lajmi i rradhës

    Trazira në kodrën e pushtetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë