Ukraina, si funeral poshtërues i Perandorisë Putiniste

    GJENERAL PIRO AHMETAJ

    Kam ndjekur me interes dhe përgjegjësi shtesë dinamikën 5-mujore të luftës në Ukrainë: “10-ra konferenca të Këshillit të Atlantikut, panele të Ekspertëve dhe personaliteteve elitare të sigurisë në Uashington, Bruksel, Munich Security Conference, Qendrën Marshall, Gjermani, Londër, Kolegjin e NATO-s Romë, Samitin e Madridit, etj.”

    Megjithë, sigurisht respektin për disa gazetarë me integritet dhe kurajë euroatlantike, kam refuzuar me vetëdije të bëhem pjesë e “tallavasë mediatike”, pasi “përtej modestisë së tepruar” nuk kam kohë të shpërdoroj me të dalldisur nga fuqia e mbipushtetit; me shterpësinë e mendimit të kuvendarëve “të emëruar nga kryetarët”, analistëve të gjithëditur apo rambo-strategëve të vetë (de) degraduar mbi harta me avion, raketa, tanke, “bunkerë atomikë dhe rezerva strategjike për ditët e qametit”, duke e shpjeguar kështu “luftën, jo vetëm për Ukrainën” nga studio “kapterësh trudhjamosur me konceptet e Luftës së Dytë botërore, në mos atyre më herët”! Gjithsesi, duke vijuar në linjë me 10-ra analiza të publikuara përgjatë 5 muajve të luftës, si dhe besuar se kolegët e fushës dhe opinioni mbarëkombëtar ka nevojë për këndvështrime realiste, pse jo edhe optimiste, po paraqes një përmbledhje të përditësuar rreth humbjes së pashmangshme të luftës, ose me fjalë të tjera “Ukraina, si funeral poshtërues i Perandorisë Putiniste”.

    Së pari, mbas 5 muajsh lufte rraskapitëse, Rusia ka fituar disa beteja (objektiva rajonale në Donetsk, Luhansk, Kherson, etj.), por me kosto shumë të lartë dhe HUMBJE të mëdha: “Më shumë se 40 mijë ushtarakë kanë mbetur të vrarë, reth 6500 tanke dhe transportues të blinduar, 1200 helikopterë, avionë ushtarakë, përfshi UAV (pa pilot), 1500 artileri dhe sisteme raketore, 15 anije luftimi etj. Kjo luftë, sipas raporteve të agjencive të njohura, në vetëm 5 muaj i ka kushtuar Moskës mbi 10 miliardë $ në ditë, ndërsa në total 1.5 bilionë dollarë”.

    Për ta bërë edhe më të qartë, përmasat e një humbje në Ukrainë, po sjell vetëm shifra të (pa) krahasueshme të humbjeve të BRSS në luftën gati 10-vjeçare (1979-1989) në Afganistan: “13.621 ushtarë, 451 helikopterë dhe avionë, 147 tanke, 443 artileri e armë të tjera si dhe vetëm disa qindra miliardë $”.

    Pra, përveç turpëruese, humbja ishte edhe një goditje e rëndë për madhështinë e Ushtrisë së Kuqe, pasi nga Afganistani humbi dhe iku me bisht nën shalë dhe sipas strategjistëve: “U ngul gozhda e fundit në arkivolin e Bashkimit Sovjetik si dhe e ambicieve të saj gjeopolitike për të: thyer rrethimin e SHBA-ve dhe për të dalë në ujërat e nxehta të Azisë Jugore”.

    Kështu, referuar shifrave të dy luftërave Rusia: “Në vetëm 5 muaj luftë në Ukrainë, ka pësuar jo me pak se 10 herë më shumë humbje sesa 10 vite së bashku në Afganistan”.

    Ndërsa mesazhet mes shifrave flasin edhe më fortë se oshtimat e raketave vrasëse apo megafonat e Moskës zyrtare: ”Makineria ushtarake e Rusisë po zvarritet e rraskapitur drejt humbjes turpëruese të LUFTËS për pushtimin e tërësisë territoriale të një vendi sovran dhe të një kombi martirësh (Ukrainës).

    Ndërsa, përtej një luftë të destinuar për të humbur me turp, kjo do të jetë edhe “fillimi i fundit me gjak të Putinit”, pinjollit të ambicieve staliniste dhe pjellës së makinerisë së krimit shtetëror (KGB)!

    Së dyti, 5 muaj më parë, krahas luftës për pushtimin e Ukrainës: “Rusia e marrosur po sfidonte njëkohësisht rendin dhe faktorët e sigurisë globale (UN, NATO, USA) duke kërcënuar se me fuqinë e armëve do të zgjeronte ambiciet gjeopolitike të perandorisë putiniste”. Por është duke u rrokullisur e dështuar me turp edhe në këtë aventurë staliniste.

    Kjo, falë jo vetëm rezistencës heroike të ukrainasve, por edhe solidaritetit dhe vendosmërisë së SHBA, UN, NATO dhe BE që e: “rrethuan Rusinë me embargo ekonomike dhe diplomatike”, dhe që vijojnë ta “mbështjellin Ukrainën” me mbështetje të gjithanshme, përfshi ushtarake nga të gjitha vendet e NATO-s si dhe 2 vendet skandinave (Suedia & Filanda) që në Samitin e Madridit nënshkruan aspiratën e anëtarësimit.

    Prandaj krahas humbjes së luftës në Ukrainë, Rusia do të gjunjëzohet e diskretituar edhe në përballjen me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s, por edhe me kredibilitetin dhe interesat gjeopolitike për zgjerimin e kufijve të demokracisë të Aleancës Euroatlantike”!

    Thënë këto, jam i bindur se bashkë me luftën për pushtimin e Ukrainës, Rusia do të humbasë edhe peshën gjeopolitike në botë, fatmirësisht edhe në Europën Juglindore etj.

    Së treti, ndërsa RSH do t’i duhet jo vetëm të dënojë nga “frëngjitë e fb” luftën dhe të rreshtohet krah të USA & NATO-s, por edhe: “të kontribuojë me kohezion të pa kushtëzuar, vendimmarrje dhe kapacitete modeste në mbështetje te Ukrainës, si dhe në mbrojtje të stabilitetit, anëtarësimin në BE si dhe zhvillimin interesave Kombëtare në Rajon, Mesdhe dhe më gjerë”.

    Ndërsa e sjellë kjo në kuadrin e përpjekjeve për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, shpresoj se kjo luftë do shërbejë si kambanë e fortë arsyesh strategjike edhe për 4 vendet (Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia) për të njohur zyrtarisht dhe për t’i hapur rrugë procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

    Në shtesë, me statusin e ekspertit në peshimin e rreziqeve dhe oportuniteteve të sigurisë kombëtare, rajonale dhe NATOs, do t’i këshilloja aktorët politikë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që: Humbja e luftës dhe e peshës së Rusisë, rrjedhimisht edhe e fuqisë ushtarake të Serbisë në rajon është një rrethanë e artë gjeopolitike për të aplikuar platformën. Dy shtete të pavarura. një komb i vetëm midis RSH & Kosovës si dhe integruar masat shtetërore në dobi të stabilitetit demokratik, mirëqenien dhe besimin e qytetarëve në axhendën e integrimit në BE.

    Së fundmi, sfidat e faktorizimit të RSH në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (UN, NATO, BE) si dhe forcimi i bashkëpunimit strategjik me SHBA, i gjej si një mundësi historike për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat mbarëkombëtare në rajon, Mesdhe, etj.! Zoti e bekoftë paqen jo vetëm në Ukrainë, demokracinë, interesat gjeopolitike të RSH, fuqinë ushtarake të NATO-s si dhe Aleancën e vlerave Transatlantike. /Panorama/

    * Senior Expert për SK, Rajonin & NATO-n, Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Ish:Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh, ZV/SHSHPFA & Përfaqësues Kombëtar në SHAPE/NATO

    Lajmi Paraprak

    Paralajmëron Xhaferi, thotë se do të dorëzojë nismë për shpërbërje të Kuvendit

    Lajmi i rradhës

    Evazioni, amnistia, taksat dhe Europa

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë