Kosova nuk e arriti Kupën e Botës, por synon “Euro 2024”

    Njëzet a katër orë para nisjes së Kupës së Botës në Katar, Kosova u përball me Ishujt Faroe në stadiumin “Fadil Vokrri” për një ndeshje miqësore. Dardanët dështuan në kualifikimet për Botërorin “Katar 2022”, gjë që shpresojnë të mos e përsërisin vitin e ardhshëm në kualifikimet për EURO 2024.

    Mesfushori 19-vjeçar, Lindon Emërllahu, u zgjodh pjesë e skuadrës së Kosovës për herë të parë në shtator të këtij viti, para ndeshjes kundër Irlandës Veriore në kuadër të Ligës së Kombeve. Ai u ftua nga trajneri Alain Giresse edhe këtë muaj, kur Dardanët zhvilluan dy ndeshje miqësore.

    Këto dy ndeshje – të mërkurën kundër Armenisë dhe të shtunën kundër Ishujve Faroe – u zhvilluan përderisa 32 ekipe kombëtare të tjera po përgatiteshin për kampionatin prestigjioz botëror “Katari 2022”.

    Emërllahu tregoi se edhe pse Dardanët mbetën jashtë Kupës së Botës, ky kampionat ka qenë temë diskutimi mes futbollistëve, ndërsa shton se dy skuadrat që ai vetë do t’i mbështesë janë Zvicra dhe Argjentina.

    “Besoj që është ndjenjë e mirë të luash në Kupën e Botës. Normalisht, do të ishte një ndjenjë e papërshkrueshme që të paraqitesha me Kosovën në Kupën e Botës”, u shpreh mesfushori i Ballkanit, kampionit në fuqi të Kosovës në futboll, për Radion Evropa e Lirë.

    Futbollisti 19-vjeçar, i cili këtë sezon luajti në gara evropiane me Ballkanin, beson se Dardanët në të ardhmen do të mund ta arrijnë kualifikimin në turne të tillë pasi që thotë se “Kosova ka një ekip shumë të mirë me lojtarë me përvojë”.

    Çka ndodhi në kualifikimet për këtë Botëror?

    Më 20 mars 2021, Kosova mësoi kundërshtaret e saj në kualifikimet për Kupën e Botës “Katar 2022”. Edhe pse fillimisht i ra shorti të jetë pjesë e Grupit A, Dardanët u zhvendosën në Grupin B, pasi Serbia veçse ishte zgjedhur për atë grup dhe dy vendeve nuk u lejohet nga FIFA të përballen mes vete.

    Në Grupin B, Kosova u përball me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Pas tetë ndeshjeve të zhvilluara, mes 28 marsit dhe 14 nëntorit të vitit 2021, Kosova radhitej e fundit në grup, me gjithsej pesë pikë të grumbulluara.

    Rrugëtimin në këtë grup, Dardanët e nisën me një humbje me rezultat 3:0 nga Spanja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku mbyllën ndeshjen me dhjetë lojtarë pasi Bernard Berisha, që ishte inkuadruar në lojë vetëm në minutën e 83-të, u përjashtua nga loja me dy kartonë të verdhë.

    Kosova i dha fund ciklit të ndeshjeve në Grupin B me barazim 1:1 me Greqinë në Athinë, në stadiumin olimpik “Spyros Louis”, ku shënoi Amir Rrahmani pas një harkimi brenda 11-metërshit nga Edon Zhegrova në minutën e 76-të.

    Mes këtyre dy ndeshjeve, Kosova e arriti edhe një fitore historike në stadiumin “Batumi Arena”, ku mposhti Gjeorgjinë me rezultat 1:0. Fitoren Dardanëve ua siguroi autogoli i mbrojtësit gjeorgjian, Davit Khocholava, i cili devijoi gjuajtjen me kokë të Vedat Muriqit. Kjo mbetet fitorja e parë dhe e vetme e Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës.

    Kjo fitore dhe dy barazime të tjera kundër Greqisë ia siguruan Kosovës pesë pikët e grumbulluara në këtë fazë.

    Të pamjaftueshme për kualifikim në Kupën e Botës, tani kosovarët mund t’i përcjellin dy futbollistët me prejardhje nga Kosova që luajnë për ekipin kombëtar të Zvicrës: Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin.

    Sytë drejt “EURO 2024”

    Këta dy futbollistë mund të luajnë kundër Kosovës më 9 shtator dhe 18 nëntor të vitit të ardhshëm, gjatë kualifikimeve për Kampionatin e ardhshëm Evropian, që do të mbahet në Gjermani.

    Shortin që e vendosi Kosovën në Grupin I – bashkë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën – Federata e Futbollit e Kosovës e cilësoi si short të favorshëm, pasi tha se “iu shmang top-gjigantëve të futbollit evropian”.

    Pas shortit, trajneri i Dardanëve, Alain Giresse, ishte shprehur veçanërisht i emocionuar për ndeshjet kundër Zvicrës, teksa shtoi se “duhet të shohim si mund të kualifikohemi”.

    “Tani na mbetet të përgatitemi mirë, t’i vëzhgojmë kundërshtarët tanë dhe të përgatitemi për të qenë në kushtet më të mira që nga muaji mars dhe për ta filluar këtë cikël kualifikimesh me ambicie”, tha Giresse.

    Faza kualifikuese nis në muajin mars dhe përfundon në nëntor të vitit të ardhshëm. Dhjetë fituesit dhe dhjetë nënkampionët e grupeve kualifikohen drejtpërdrejt në “EURO 2024”, ndërsa tri vendet e tjera plotësohen përmes fazës së play-offs.

    Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, kishte thënë se “ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi në të gjitha drejtimet për t’u kualifikuar. Është momenti ynë”.

    Nga Grupi I, edhe para fillimit të kësaj faze kualifikuese, Izraeli e ka të siguruar kualifikimin të paktën në fazën e play-offs për shkak të performancës së tyre në Ligën e Kombeve.

    Fituesve të grupeve të Ligave A, B dhe C iu takon nga një vend në play-offs për kualifikim në EURO 2024. Nëse ata e sigurojnë kualifikimin edhe pa play-offs, atëherë vendi i tyre i shkon skuadrës më të mirë të radhës në ligën e tyre. Kosova u radhit e dyta në grupin e saj në Ligën e Kombeve, në Grupin 2 të Ligës C, të cilin e fitoi Greqia me gjashtë pikë më shumë.

    Komplikime potenciale: Ndeshjet kundër Rumanisë

    Mesfushori Drilon Cenaj është ndër të paktët futbollistë kosovarë që ka luajtur në Rumani, njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por, Cenaj thotë se kjo nuk pati ndikim negativ në përvojën e tij sa luante për Pandurii Targu Jiu gjatë viteve 2018 dhe 2019.

    “Unë kurrë në atë kohë nuk kam pasur probleme pse jam shqiptar. Edhe lojtarët, edhe krejt kryesia e klubit e kanë ditur që jam shqiptar, por e kanë ditur që kam edhe pasaportë hungareze, kështu që nuk ka pasur ndonjë problem”, thotë për REL-in, Cenaj, që tani luan për Prishtinën.

    Futbollisti 25-vjeçar thotë se bashkëlojtarët dhe tifozët ishin të kënaqur me të në aspektin profesional dhe nuk iu interesonte prejardhja e tij, përveç kur e pyesnin për situatën në Kosovë dhe për vizitat e tij aty.

    Por, politika dhe sporti nuk janë mbajtur gjithmonë të pavarura nga njëra-tjetra.

    Një ditë pas shortit për kualifikimet në EURO 2024, Federata e Futbollit e Rumanisë u raportua nga mediumi rumun GSP të ketë vënë dyshime mbi organizimin e ndeshjes kundër Kosovës.

    “Duke marrë për bazë situatën gjeopolitike, Federata e Futbollit të Rumanisë do të ketë dialog me Qeverinë e Rumanisë për të mësuar kushtet për ndeshjet në të cilat përfaqësuesja jonë do të takohet me Kosovën”, u cituan të kenë thënë nga Federata rumune.

    Federata e Futbollit e Kosovës tha për REL-in se “ne sigurisht se kemi kontaktuar me Federatën rumune, por ata asnjëherë nuk kanë shprehur dyshime në lidhje me zhvillimin e ndeshjes”.

    “FFK-ja ka marrëdhënie të mira dhe korrekte me Federatën rumune, ashtu sikurse me çdo federatë tjetër”, thanë nga FFK-ja.

    Megjithatë, Ministria e Sportit e Rumanisë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Federata rumune ka kërkuar sqarime nga qeveria për kushtet në të cilat mund të zhvillohet ndeshja kundër Kosovës.

    Ata kanë thënë se është propozuar themelimi i një grupi punues të përbërë nga Ministria e Sportit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Federata e Futbollit e Rumanisë pasi që thanë se ndeshja kundër Kosovës e sjell “një situatë që e pretendon një kontekst specifik ndërkombëtar”.

    Por, lidhur me këtë propozim të bërë nga Federata rumune më 11 tetor ende nuk është vendosur pasi që po pritet një vlerësim nga Drejtoria e Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë.

    Në të kaluarën, Kosova ka luajtur edhe me Kombëtare të tjera, vendet e të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Greqia dhe Qipro nuk e kishin cilësuar problematike, ndërsa një ndeshje kundër Ukrainës ishte zhvendosur në Poloni.

    Vitin e kaluar, Federata e Futbollit e Spanjës gjithashtu kishte pretenduar se nuk do ta lejojë ekipin e Kosovës të luajë me flamurin e vendit, por në fund ndeshja ishte zhvilluar normalisht.

    UEFA, organi qeverisës i futbollit në Evropë, në një përgjigje për REL-in, ka theksuar se nëse Rumania refuzon të luajë, do të ndiqen rregullat e përcaktuara në rregulloret në fuqi. Sipas këtyre rregullave, cilado skuadër që refuzon të luajë humb ndeshjen me rezultat 3:0, por rrezikon edhe të humbasë vendin në “EURO 2024”.

    Lajmi Paraprak

    Mos konsumoni Balans+ | AUV njofton për mospërputhje të aflotoksinave në produkt

    Lajmi i rradhës

    “Vetëm me arkivol mund të më largojnë nga këtu” – familja që jeton në një rrethrrotullim për 40 vjet në Uells

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë