Akuza për “tren bullgar” dhe tentativë për marrje të deputetëve – Fronti Europian dhe VLEN përplasen për pranimin e ankesave nga KSHZ

    Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dje në seancë publike ka pranuar shtatë ankesa për procesin zgjedhor, me çka ka shfuqizuar rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit në shtatë vendvotime.

    KSHZ ka pranuar ankesën e koalicionit VLEN e cila ka të bëjë me votimin në vendvotimin 2102 në Zhelinë. KSHZ gjithashtu ka konstatuar parregullsi në Krushevë, Dollnen, Strugë dhe Ohër.

    Pranimi i ankesave nga KSHZ ka bërë që të përplasen Fronti Europian dhe Koalicioni VLEN. Elmi Aziri nga Fronti Europian sot tha se VMRO-LSDM-VLEN po tentojnë që t’ua marrin dy deputetë, në mënyrë që ata të mos jenë forca e dytë politike në vend.

    “Të gjithë ishim dëshmitarë dje, deri në orët e mëngjesit edhe ne edhe mediat, edhe komuniteti ndërkombëtar, për keqpërdorimin brutal të institucionit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe tentativën për vjedhje partiake dhe institucionale pa asnjë argument, të dy mandateve të Frontit Evropian, në marrëveshje midis VMRO-LSDM-VLEN. Në mënyrë jo të drejtë dhe me mbivotim, si në kohërat e monizmit. Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor u mor vendim për rivotim në disa vendvotime në zonën e 5 dhe 6 zgjedhore pikërisht në vendvotime, ku fitues janë palët ankimuese të cilët, votuesit e tyre po i emërtojnë si hajdutë, duke poshtëruar kështu një elektorat të tërë”, deklaroi Elmi Aziri.

    Ndërsa nga Koalicioni VLEN thonë se pushteti i ka keqpërdorur të gjitha mekanizmat e tyre dhe kanë shkelur dhe deformuar vullnetin e qytetarëve. Fatmir Sabriu nga VLEN tha se “Fronti Europian” ka zbatuar “trenin bullgar në Likovë dhe Llërcë, si dhe kanë numëruar vota të pavlefshme në llogari të tyre.

    “Imagjinojeni vetëm me 7 kuti të votimit të hapura u konstatuan parregullsi dhe vjedhje e votës në 4 prej tyre. Kjo dëshmon qartë se pse BDI sot është në panik. Ata janë në panik jo vetëm se do të shkojnë në opozitë dhe do të mbajnë përgjegjësi për keqpërdorimet dhe shkeljet e ligjit, por gjithashtu sepse dje me hapjen e kutive u vërtetua se ata përmes keqpërdorimit të mekanizmave të pushtetit, kërcënimeve, shantazheve, presionit dhe trenit bullgar kanë tentuar që të deformojnë vullnetin e popullit dhe rezultatin zgjedhor”, tha Fatmir Sabriu.

    Ndërkohë nga Fronti Europian kanë njoftuar se do të ankimojnë në Gjykatën Administrative vendimet e KSHZ-së./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    QUINT dhe BE kritikojnë Kosovën për refuzimin e vizitës të patriarkut serb

    Lajmi i rradhës

    Presidentja e re në takim me Geer: e ardhmja jonë është në Bashkimin Europian

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë