Maturantët në RMV ndërmjet shumë dilemave!

    Sistemi arsimor në Maqedoni po i ngjan tregut në sezonet e uljeve, kur blerjet bëhen më shumë për hir të çmimit se sa të nevojës. Si pasojë e të gjitha “eksperimenteve” të kryera me arsimimin e të rinjve dhe mënyrat e ndryshme, kriteret dhe aktet ligjore kanë ndryshuar shpesh gjatë viteve të fundit, duke shkaktuar një cungim në performancën e maturantëve, studentëve dhe punonjësve në tregun e punës.

    Përtej kësaj, numri i të rinjve që studiojnë në shkolla ka pësuar rënie dramatike nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve. Sa i përket arsimit profesional, maturantët këtë vit ndihen të hutuar, duke lënë të nënkuptohet se ata janë mes “dyerve” të universitetit që kërkon shpenzime shumë, duke qenë e dukshme se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nuk mbulon dot as shpenzimet e rrugës apo vaktit ushqimor. Apo një zanati që ofron të ardhura edhe për familjen, duke marrë parasysh se edhe shporta ushqimore është vazhdimisht në rritje. Opsioni i tretë sipas një numri në rënie nga viti i kaluar të maturantëve çuditërisht është migrimi.

    Zgjedhja e një dege studimi është një proces i rëndësishëm i cili përcakton fushën në të cilën do zhvillohet karriera dhe kompetencat profesionale në të ardhmen. Për këtë, gazeta KOHA bisedoi me maturantët për të kuptuar orientimet e tyre pas maturës.

    Maturantja Sara Sulimani, tha për gazetën KOHA se pavarësisht këshillimit nga universitetet e ndryshme dhe mundësitë që ofrojnë ata, ajo ka vendosur të fillojë zanatin si grimere profesionale, kështu edhe mund të siguroj të ardhme më të mirë.

    “Sa i përket migrimit, nuk e besoj. Mendoj që edhe këtu ka të ardhura të mira, mirëpo viteve të fundit standardi jetësor u rrit. Prandaj kam vendosur që të filloj zanatin si grimere, me kurse të ndryshme qe ofrohen mund të fillosh diçka më të sigurt për të ardhmen. S’është se nuk dua të studioj mirëpo nga ajo që shihet mundësitë janë të vogla për punë profesionale në të ardhmen. Pastaj, nuk mbulohen as gjysma e shpenzimeve nga shteti”, deklaroi maturantja Sara Sulimani.

    Nga ana tjetër, studentët në vend që të orientohen në degë që përafrohen me nevojat e tregut të punës, studentët shqiptarë gjithnjë e më shumë zgjedhin të studiojnë në degë që tashmë ka mbingopje.

    Studenti nga Shkupi, Gazmend Shabani, deklaroi për gazetën KOHA se marrja e një diplome nuk është çelësi i vetëm për hapjen dyerve të së ardhmes, pavarësisht dëshirës për arsim. “Në ato degë që unë jam i drejtuar, fatkeqësisht kam parë që ka një numër të madh të të diplomuarve dhe pak punësime. Nuk them që s’do i filloj studimet, dua një profesion, por jam i pasigurt për sa i përket diplomës. Nëse gjërat do shkojnë edhe më keq them se nuk më mbetet tjetër, vetëm se migrimi”, shtoi ai.

    Ndryshe, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), në fund të vitit shkollor 2022/2023 numri i nxënësve në shkollat e mesme të rregullta është 66.678, që paraqet një rënie prej 3.9 për qind krahasuar me vitin paraprak shkollor.

    Lajmi Paraprak

    Mbi 14 milionë udhëtarë në RMV e kanë shfrytëzuar taksin

    Lajmi i rradhës

    Qeveria e re me resore të reja!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë