Sivjet 452 haxhilerë nga Tetova do ta kryejnë Haxhin

    Këtë vit organizimi për në Haxh ka filluar më herët se viteve të kaluara. Organizimi filloi që para fillimit të muajit të Ramazanit, me kërkesë të Ministrisë së Haxhit të Arabisë Saudite.

    Nga Muftinia e Tetovës thonë se fillimi më herët i organizimit ka qenë një lehtësim më i madh rreth përgatitjeve dhe organizimin e haxhit 2024. Të shtunën pritet të mbahet edhe një seminar sqarues me të gjithë ata që udhëtojnë për në haxh.

    “Deri më tani i tërë procesi i organizimit ka rrjedhë mirë, jemi në proces të përfundimt të vaksinimit të atyre që udhëtojnë për në haxh. Besoj se këtë brenda kësaj jave do të përfunojë, sepse disa prej tyre që udhëtojnë për në haxh janë jashtë vendit dhe ata kur do të vijnë do të marrin vaksinat. Pagesat kanë përfunduar dhe tani presim që të organizojmë edhe një seminar me të gjithë ata që do të shkojnë në haxh për t`u sqaruar rreth mënyrës së udhëtimit dhe qëndrimit atje dhe se si kryhet haxhi”, thotë Selver Xhemaili, ushtrues detyre Mufti i Tetovës.

    Nga Tetova këtë vit për në Haxh sikurse edhe viteve të kaluara interesimi është i madh për të udhëtuar në vendet e shenjta dhe nuk janë përfshirë të gjithë të interesuarit, shkaku i numrit të kufizuar që lëshon Ministria e Haxhit.

    “Nga Maqedonia e Veriut, këtë vit udhëtojnë 2020 persona për në haxh bashkë me udhëheqësit dhe ekipin mjekësor. Nga Tetova kemi 452 që do të shkojnë në haxh, duke përfshirë ekipin mjekësor dhe udhëheqësit profesional. Mënyra e pagesës ka shkuar përmes sistemit bankar, pra qytetarët kanë paguar direkt në xhiro-llogarinë e Bashkësisë Fetare islame dhe kjo tashmë është e realizuar. Çmimi nuk ka ndryshuar nga viti I kaluar, pra kanë paguar nga 6550 euro. Në këtë çmim janë përfshirë të gjitha nevojat që kanë haxhilerët, pra, përpos banimit, qëndrimit në hotel, vaksinimit, prerja e kurbanit, veshja e posaçme, pra të githa nevojat janë në këtë çmim”, deklaroi muftiu Xhemaili.

    Udhëtimi për në haxh nga Tetova do të jetë më 6, 7 dhe 8 qershor. Udhëtimet e para nga Maqedonia e Veriut. për në vendet e shenjta, Mekë dhe Medina fillojnë më 4 qershor. Udhëtimi nga Tetova më 6, 7 dhe 8 qershor do të bëhet me autobus deri në aeroport, ndërsa më pas me aeroplan. Udhëheqësit e grupeve, do të informojnë personat që udhëtojnë për datën dhe orën e nisjes.

    Haxhi është një nga pesë shtyllat e fesë islame dhe është një detyrim fetare që duhet të kryhet të paktën një herë në jetën e të gjithë myslimanëve të rritur të cilët janë fizikisht dhe financiarisht të aftë për të ndërmarrë udhëtimin, dhe që mund të mbështesin familjet e tyre gjatë mungesës së tyre.

    Lajmi Paraprak

    Blerim Bexheti lë Komunën e Sarajit: do të vazhdoj rrugëtimin si deputet i Kuvendit

    Lajmi i rradhës

    VLEN: Fronti Europian në një vijë me Levicën, nuk e votuan Afrim Gashin për kryetar Kuvendi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë