Arben Taravari sot në një paraqitje para mediave ka folur për negociatat me VMRO-DPMNE-në dhe qeverinë e re. Ai tha se Ali Ahmeti nuk është mësuar në opozitë por do të mësohet pasi siç tha, është burrë i mençur dhe i urtë. Taravari tha se brenda katër viteve në BDI do të ketë reforma dhe do të bëhet një parti opozitare ashtu siç i ngjanë.
“Unë e kuptoj zotëri Ahmetin, nuk është mësuar të jetë në opozitë por dal ngadalë do të mësohet se unë mendoj se është burrë i mençur, burrë i urtë kështu që i duhet pak kohë. Në psikologji ekziston periudhë emocionesh dhe afekti, besoj se do të stabilizohet dhe do ta merr ashtu si duhet punën e opozitës”.
“Për çdo parti është e mirë që të jetë një periudhë në opozitë, është e shëndetshme. Besoj se këto katër vite, në BDI do të ndodhin reforma të mirëfillta dhe një gjeneratë e re e politikanëve të BDI-së do ta bëjnë një BDI tamam opozitare dhe ashtu si i ngjanë”, tha Taravari.
I pyetur nëse do të jetë ministër i Shëndetësisë, ai tha se deri të hënën do ta sjell këtë vendim, por shtoi se nëse qytetarët do të duhet të shkojnë në votime, nuk do të pranojë të jetë ministër./Nistori/