Në Maqedoni ka 948 shkolla fillore dhe 118 të mesme publike për arsim të rregullt. Dhe në to këtë vit shkollor e nisën 246.059 mijë nxënës. Duke qenë se bëhet fjalë për shkollat publike, pothuajse të gjitha shpenzimet fikse i paguan shteti, përcjell Nistori.
Por ka edhe kosto të ndryshme për qëllime të ndryshme – siguri, uniforma, ekskursione etj. Prindërit i paguajnë ato para nga xhepat e tyre.
Para disa shkollave, “360 shkallë” ka pyetur prindërit nëse kanë harxhime shtesë dhe nëse e dijnë se si zgjidhen kompanitë që angazhohen nga shkollat.
Pyetjes – për sa para bëhet fjalë dhe si shpenzohen – e shtroi edhe OJQ “Qendra për Komunikime Civile”, specialiteti i së cilës është monitorimi i prokurimeve publike.
Vlerësimi i tyre është se bëhet fjalë për një shumë prej rreth 10 milionë euro në vit, para të prindërve që shpenzohen nëpër shkolla. Dhe, përveç ekskursioneve, nuk ka rregulla të qarta se si bëhen blerjet e tjera.
“Hulumtimi tregon se nuk ka procedura transparente, nuk ka rregulla të qarta. Në asnjë shkollë nuk është dërguar procedurë që tregon qartë mënyrën se si kryhen procedurat me paratë e mbledhura nga prindërit e nxënësve. Në përgjithësi, mund të themi se të gjitha shkollat u shkëputën nga procesi, duke thënë se këto nuk janë para nga buxheti dhe se për ato para nuk duhet të kryhen procedura në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik, që natyrisht ishte shumë e qartë për ne që në fillim të hulumtimit”, thotë Sabina Fakiq nga Qendra për Komunikime Civile, e cila ka bërë hulumtimin me titull “Mungesa e procedurave, transparenca dhe llogaridhënia në blerjet që financohen me para nga prindërit në shkolla”.
Të gjeturat e tilla në hulumtimin e Qendrës për Komunikime Civile bazohen në një analizë të detajuar të të dhënave nga një anketë prej 96 shkollash nga tetë komuna në vend.
Hulumtuesit iu drejtuan individualisht çdo shkolle që ishte objekt analize me pyetje të tilla se sipas cilës procedurë i kryejnë blerjet me paratë e prindërve. Pothuajse gjysma e shkollave, pra 40 prej tyre, nuk janë përgjigjur ose kanë ndarë informacione jo të plota.
Edhe “360 shkallë” ka bërë një mini-anketë. Meqenëse shumë prej shkollave kanë uebfaqe të dobëta dhe pothuajse asnjë njoftim prokurimi, ne kërkuam drejtorët në mënyrë të rastësishme nga disa prej shkollave të përfshira në anketë. Ne telefonuam rreth dhjetëra shkollash, por përveç faqeve jofunksionale të internetit, shumë prej tyre nuk kanë as numra telefoni të punës.
Mirëpo, pyetjeve kyçe për këtë temë është dashur t’i përgjigjet ministri Jeton Shaqiri. Pse? Sepse pritet që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të vendosë rregull në këtë fushë.
Në vend të intervistës, morëm përgjigje me shkrim ku thuhet se nuk është detyrë e Ministrisë të diktojë se si do të shpenzohen paratë e prindërve.
“Arsimi fillor dhe i mesëm në Maqedoninë e Veriut është i detyrueshëm dhe falas. Shkollat marrin fondet nga Ministria e Arsimit, përmes bllok-granteve që transferohen në komunë nga buxheti i shtetit. Këto janë fonde që shërbejnë për realizimin normal të procesit arsimor dhe për funksionimin aktual të shkollave. Prindërit nuk janë të detyruar të investojnë në shkolla për blerjen e pajisjeve, letrës, produkteve higjienike, blerjen e uniformave, vendosjen e sigurisë fizike etj… Për shembull, uniforma dhe siguria e shkollës nuk janë detyrim ligjor, por nëse prindërit/kujdestarët vendosin që nevojiten, atëherë ata mbledhin fondet dhe përmes Këshillit të Prindërve zgjedhin një ofrues për shërbimin specifik dhe pagesa bëhet drejtpërdrejt në llogarinë e ofruesit”, thuhet në deklaratën e dërguar nga Ministria e Arsimit për “360 shkallë”.
Meqenëse paratë e prindërve nuk derdhen në llogarinë e shkollës dhe ato nevoja nuk janë të detyrueshme me ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm, Ministria e Arsimit nuk sheh bazë ligjore për miratimin e akteve nënligjore.
Por kështu nuk thuhet në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 18 prill 2021. Përkundrazi, thuhet se nevojiten kritere të sakta për të rregulluar prokurimin publik.
“Duhet të vendosen kritere të sakta për prokurimin dhe përdorimin e mjeteve edukative në shkolla, rregullimin e prokurimeve që kryhen jashtë Ligjit për Prokurimin Publik, si dhe kushtet dhe procedura për dhënien me qira të pasurisë së paluajtshme institucioneve arsimore”, thuhet në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit 2021-2025./Nistori/