Një vit nga futja e Ramiz Merkos në listën e zezë amerikane. Subjekti të cilit ai i takon, ndonëse kishte ngrirë anëtarësinë e tij dhe aktivitetin politik në Strugë, gjatë fushatës Merko u pa në radhët e Frontit Evropian.
“BDI kërkon nga institucionet të hapin hetim gjithëpërfshirës për Ramiz Merkon për të gjitha pretendimet dhe informacionet e mundshme nga raporti i DASH. BDI pranon vendimin e Merkos për të ngrirë anëtarësinë në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm deri sa të përfundon hetimi. BDI pezullon aktivitetin partiak zgjedhor në Strugë”, deklaroi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi atë në listën e zezë për shkak të dyshimeve për korrupsion, shpërdorim me fondet publike dhe ndërhyrje në procese gjyqësore.
“Si kryetar i komunës së Strugës, Merko shpërdoroi fondet dhe ndërhyri në proceset gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut në institucionet demokratike dhe zyrtarët e Maqedonisë së Veriut. Departamenti po cakton gjithashtu gruan e Merkos, Shpresa, dhe tre fëmijët e rritur, Genc, Nazmije dhe Drenushe të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në korrik të vitit kaluar karta penale e kreut të Komunës së Strugës, Ramiz Merko regjistronte dyshime për 30 vepra penale nga viti 2006 deri në vitin 2023. Kontrolli i komisionit të Prokurorisë Publike kishte njoftuar se 16 vepra janë aktive, ndërsa 14 kanë plotësuar kushtin e vjetërsimit absolut. Ramiz Merko apo ndryshe i njohur si “sherifi lokal” i Strugës për katër mandate në pozitën e kryetarit të komunës ka ngritur një perandori për vete dhe familjen e tij. Çdo mandat i tij lë diçka për të dëshiruar tek qytetarët e Strugës dhe jo vetëm. Veprimtaria e tij që e çoi deri tek vija e kuqe që e ndan nga oqeani përfshinë edhe lejimin e ndërtimeve pa leje, mbrojtjen e tyre dhe porosinë ndaj institucioneve: “ju nuk mund të prishni sa ne mund të ndërtojmë”. Rasti më i spikatur mbetet ai me dhënien e lejes për fushë sportive dhe rekreacion e që përfundoi në restorant dasmash me vendndodhje buzë liqenit të Ohrit. Merkos duke mos i mjaftuar pushteti lokal, ai nuk kishte lënë pa futur “hundët” edhe në pushtetin gjyqësor. Fjala e tij e fundit ishte vendim mbi çdo zgjedhjeje për prokuror ose gjykatës në Strugë, gjë që u dëshmua edhe përmes përgjimeve të publikuara aso kohe nga ish lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Për shkak të numrit të madh të prokurimeve publike dhe shpenzimeve të fondeve në mënyrë jo racionale duke blerë vetura për komunën, Merko në vitin 2019 mbi dyshimet për jo transparencë u bë objekt hetimi nga Anti-korrupsioni. Pa përmbyllur mandatin e parë si kryetar i Strugës, Merko u kujdes që biznesin ta zgjerojë edhe në sferën e edukimit. Në vitin 2007 hapi “Euro College”-n, ndërsa në vitin 2008 Ministria e Arsimit dhe Shkencës që aso kohe drejtohej nga Pero Stojanovski i VMRO-DPMNE-së i dha akreditimin.
Ky tempull i diturisë u përball me akuza si pasojë e shkeljeve ligjore për mos akreditimin e programeve studimore, dyshimet akoma të pa vërtetuara për dhënien e diplomave në mënyrë ekspresë përmes ndërhyrjeve politike dhe financiare si dhe përvetësimin e programeve pa pëlqimet e përcaktuara ligjore. Në gjithë këtë situatë Merko krah të djathë kishte ministrin aktual të Arsimit, Jeton Shaqirin. Së fundi iu akreditua edhe Fakultetit i Shkencave Mjekësore, gjithashtu në kohën e Shaqirit i cili për pak ditë ikë nga pozita e ministrit të Arsimit. Edhe përkundër këtij fakti, Bordi i Akreditimit vendosi të mos lejojë regjistrimin e studentëve në këtë drejtim. /Alsat/