VULLNETARIZMI NË RMV | Të rinjtë në RMV kërkojnë të vlerësohen

    Në diskutimin e organizuar nga ODANS, të rinjtë dhanë rekomandime se si të rregullohet statusi i vullnetarëve. Më tej, ata kërkuan të ketë mbështetje sistematike dhe institucionale të vullnetarizmit dhe vullnetarëve.

    “Të rinjtë, gjithashtu rekomandojnë ndryshim ligjor të Ligjit për vullnetarizëm, por edhe rritje të kapaciteteve të institucioneve për vullnetarizmin”, thonë nga ODANS. Rezultatet e anketës së zbatuar me 200 të ri të moshës prej 15 deri 19 vjeç tregojnë se 67% e të rinjve vlerësojnë se nuk ka resurse të mjaftueshme për vullnetarizëm, 17% e të rinjve janë tërësisht të informuar me rregullativën ligjore rreth vullnetarizmit, 32% janë pjesërisht të informuar, 27% pak të informuar, dhe 25% nuk janë aspak të informuar.

    Sipas ODANS, këto rezultate tregojnë se vullnetarizmi në Maqedoninë e Veriut duhet të jetë në shkallë më të lartë, më shumë të rinj duhet të punojnë si vullnetarë, por e njëjta duhet të mbështetet edhe nga institucionet.

    “Hapat e ardhshëm do të jenë mbledhje me organizatat civile dhe institucionet relevante në të cilën fokusi kryesor do të jetë marrja e informatave dhe rekomandimeve shtesë, si dhe informimi i kompetentëve me këtë problem. Gjithashtu, vijon hartimi i dokumentit me rekomandimet e të rinjve dhe analiza e plotë e opinionit publik të të rinjve për rregullativën ligjore të vullnetarizmit. Dokumenti do të shërbejë si bazë për ndryshim të  mëtejmë dhe përmirësim të ligjit për vullnetarizëm”, theksojnë nga atje.

    Zllatko Talevski, drejtor ekzekutiv i Qendrës Rinore të Kulturës, vlerëson se vullnetarizmi promovohet vetëm përmes dhe aktiviteteve të organizatave civile. “Ky trup duhej të rregullohej ligjërisht me ndryshime dhe plotësim të Ligjit për vullnetarizëm, por ato nuk u dorëzuan në Kuvend për miratim”, tha Talevski.

    Ndërkaq, Aleksandra Ristovska nga Kryqi i Kuq, thekson se vullnetarizmi sjell ndryshime afatshkurtra të cilat u ndihmojnë grupeve të targetuara, por nga ana tjetër, sjellin ndryshime afatgjate për vetë njerëzit që bëhen vullnetar dhe në të është i integruar “virusi” i vullnetarizmit. “Kur i vendosni të rinjtë në një format të tillë ku shohin një të pastrehë të uritur, një nën vetushqyese e cila nuk ka se si të gjejë gjithçka që i nevojitet për fëmijën e saj, besoni se këtu të rinjtë e përjetojnë atë vet-ndryshim”, tha ajo.

    Sipas saj, rezultatet e hulumtimit të Institutit për Studime Sociologjike tregojnë se të rinjtë kalojnë nga 6-8 orë në media sociale. Ajo vlerëson se Kryqi i Kuq dhe disa organizata të tjera duhet të bëjnë sisteme në të cilat do tu japin mundësi të rinjve të jenë më aktiv, të bëjnë diçka të mirë për veten dhe për komunitetin.

    “Kaq kohë në media sociale nuk sjell shumë të mira as për ata, as për familjet dhe as për shoqërinë. Të mos hyjmë në tema tjera siç janë depresioni, ankthi, bullizmi. Ne i angazhojmë në mënyrë aktive, të vijnë dhe të promovojnë vlera njerëzore, të dalin nga zona e tyre e rehatisë, të jenë aktiv në komunitet dhe të bëjnë punë të cilat nuk i dinë që të bëhen versioni më i mirë i vetvetes”, theksoi koordinatorja e Kryqit të Kuq.

    Diskutimi është pjesë e projektit të ODANS të mbështetur nga Fondacioni për Demokraci Westminster dhe Ambasada e Anglisë, i cili përfshin gjithashtu edhe analizën e opinionit publik të të rinjve për rregullativën ligjore të vullnetarizmit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Rebalanc prej 5.8 miliardë euro – borxhi publik do të rritet

    Lajmi i rradhës

    Ballkani të forcojë qëndrueshmërinë ndaj klimës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë