Marrëdhëniet Maqedoni e Veriut-Bullgari çdo ditë e më tepër po përkeqësohen. Të dyja palët, me theks të veçantë Qeveria e Mickoskit ka nis të nxit debat të ashpër midis dy shteteve. Dje, kabineti i presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Sofje sërish kanë reaguar ndaj, siç thuhet, “kualifikimeve fyese ndaj Bullgarisë dhe popullit bullgar nga funksionarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Manipulimi me faktet dhe reagimet histerike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) nuk ngjallin optimizëm se fqinji ynë jugperëndimor dëshiron që në marrëdhëniet me Bullgarinë të largohet nga fusha e provokimeve dhe skandaleve të orkestruara. Dialogu i hapur dhe konstruktiv, madje edhe në një takim joformal, siç u mbajt mes presidentëve të Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut më 13 shtator, me sa duket shqetësoi shumë qarqe të caktuara në qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Për ‘civilizimin’ e Qeverisë së re të RMV-së do të gjykohet nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e fushatave për të nxitur urrejtje kundër Bullgarisë ose t’ju kundërvihet, si dhe nga aftësia e saj për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe përkushtimin e vërtetë në implementimin e Kritereve të Kopenhagës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Inkuadrimi në Evropën e bashkuar kërkon vullnet të duhur, përpjekje sistematike dhe rezultate konkrete”, thuhet në komunikatën e Pres shërbimit të presidentit Rumen Radev.
Reagimi i kabinetit të Radevit erdhi pasi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikollovski në intervistë televizive në Shkup, duke komentuar mungesën e flamurit shtetëror gjatë takimit me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, e quajti presidentin bullgar “të paedukatë dhe të paqytetëruar”, ndërsa në çdo paraqitje para mediave, nuk i kursen fyerjet dhe akuzat drejtuar Sofjes zyrtare.
Kanë reaguar madje edhe nga MPJ e Bullgarisë, ndërsa deklaratat e Nikollovskit dhe Qeverisë së Maqedonisë i kanë quajtur “reagime joevropiane” dhe se “Sofja nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë debat që përkeqëson fqinjësinë e mirë”.
“Lidhur me kualifikimet e njëpasnjëshme fyese ndaj Bullgarisë dhe popullit bullgar nga funksionarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kategorikisht refuzojmë të përfshihemi në një ton të tillë joevropian. Partnerët tanë janë informuar për provokimet që për qëllim kanë prishjen e dialogut. Edhe një herë ju rikujtojmë peshën vendimtare të zhvillimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e MPJ-së bullgare.
Ndryshe, marrëdhëniet Shkup-Sofje nisën të përkeqësohen sapo VMRO mori frenat e Qeverisë dhe, ndër vendimet e para të kryeministrit Mickoski, ishte anulimi i projektit për Korridorin 8 hekurudhor me Bullgarinë (Burgas-Shkup-Durrës-Bari) dhe ridestinimin e mjeteve financiare për Korridorin 10 (Shkup-Beograd-Athinë-Budapest). Veç kësaj, Mickoski i shkarkoi anëtarët e Komisionit historik me Bullgarinë dhe emëroi tjerë, ndërsa i akuzoi të vjetrit se kanë punuar kundër interesave të Maqedonisë së Veriut.
Kështu që, në vend të Dragi Gjorgjiev, si bashkëkryesues i Komisionit të përbashkët multidisplinar të ekspertëve për çështjet historike dhe arsimore me Bullgarinë, Qeveria e emëroi Vanço Gjorgjievin, profesor në Fakultetin Filozofik, si dhe Mitko Panov, historian nga Instituti i Historisë Kombëtare, Aleksandar Litovski (ish-anëtar të cilit nuk iu vazhdua kontrata nga Qeveria e kaluar), Nikolla Minov, profesor i historisë në Fakultetin Filozofik; Sasho Dodevski, docent nga Instituti i Historisë i Fakultetit Filozofik; Besnik Emini, historian nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Dimitar Llorovski (ka qenë anëtar më parë), historian, i punësuar në Institutit për Histori Kombëtare.
KOMISIONI MAQEDONO-BULLGAR BIE DAKORD PËR DATËN E TAKIMIT TË RADHËS
Në ndërkohë, bashkëkryesuesit e Komisionit maqedono-bullgar për Çështje Historike dhe Arsimore, Vanço Gjorgjiev nga pala maqedonase dhe Angel Dimitrov nga pala bullgare, pajtohen për datën e mbajtjes së takimit të ardhshëm të këtij organi, i cili rezultoi nga Traktati i miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Gjatë ditës së djeshme zyrtarisht i dërgova një email fillestar bashkëkryesuesit bullgar Angel Dimitrov për të përcaktuar datën e takimit të ardhshëm. Është rënë dakord për një datë së bashku mes dy bashkëkryesuesve për të koordinuar datat për mbajtjen e takimit. Sot kam marrë një email kthyes në të cilin kërkojnë konsultime të ndërsjella për të harmonizuar terminin”, tha për AIM, bashkëkryesuesi i përbërjes maqedonase të Komisionit, Vanço Gjorgjiev.