OPOZITA PROPOZON SEANCË ME DYER TË MBYLLURA / Qeveria të shpalos planin për integrimet!  

    Edhe pse Brukseli, Shqipërinë e ka shkëputur nga pakoja me Maqedoninë e VeriuT, nga Qeveria sërish thonë se nuk kanë hequr dorë nga rruga integruese dhe se do të marrin pjesë në negociata me qëllim përfundimin e tyre me sukses. Kryeministri Hristijan Mickoski në një paraqitje të mbrëmshme televizive tha se në negociata nuk hyjnë vetëm për të marrë pjesë, por duhet të luftojmë për sukses. Mickoski tha se përfaqësuesit qeveritar po e paraqesin qëndrimin e tyre për fillimin e negociatave me BE-në dhe bisedimet me Bullgarinë dhe se duhet durim.

    “Nuk jam në këtë histori thjesht për të marrë pjesë, por për ta përfunduar me sukses. Ky është thelbi i gjithë këtij procesi. Nuk është çështja ndryshimi i Kushtetutës deri në pengesën e ardhshme për gjashtë muaj. Nuk është me mandat ‘nga – deri’, por proces që vazhdon, nuk është proces që do të fillojë tani dhe do të përfundojë javën e ardhshme”, tha Mickoski.Ai beson se nëse ka vullnet, ka një mënyrë që të mos ketë bilateralizim të gjithë procesit dhe të mos ketë më pengesa.

    I pyetur se si kryeministri hungarez Viktor Orban dëshiron të ndërmjetësojë në bisedimet me BE-në, kryeministri tha se synimi i tij ishte ta ftonte atë dhe presidentin bullgar në Budapest për bisedime si kryesues i Bashkimit Evropian.

    “Le të jetë Bashkimi Evropian një arbitër, kryesuesi i BE-së na fton në Budapest që të gjitha çështjet t’i zgjidhim paraprakisht, jo në faza, por të gjitha dhe se nuk ka pengesa të mëtejshme dhe se nuk ka bilateralizim të këtij procesi. Le të fillojmë menjëherë”, tha Mickoski.

    Duke folur për Goce Dellçevin, ai theksoi se është titani i luftës maqedonase dhe duhet të kryqëzohen argumentet për të parë se cila është rëndësia e tij për popullin maqedonas.

    “Për mua Goce Dellçevi është një veprimtar dhe figurë historike maqedonase, titan i Maqedonisë, për ta mund të jetë diçka tjetër. Le të thonë sa këngë, emra, histori ka Goce dhe të shohim sa ka në vendin tonë. Të shohim se kush ishte në të vërtetë Goce Dellçevi. Mençuria e popullit është e pacenueshme”, tha Mickoski.

    Ai theksoi se duhet të jemi fqinjë të mirë, por kërkesat duhet të jenë objektive, jo dypalëshe dhe nëse sulmojmë vazhdimisht njëri-tjetrin me argumente mesjetare, atëherë nuk do të dalim nga ky moçal. “Duhet t’i zgjidhim tani. Nëse kemi pengesa objektive, kjo mund të na bëjë më të mirë. Por, problemet subjektive, bilateralizimi është problem”, thotë ndër të tjera kryeministri.

    Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në emisionin “Click Plus” në TV21, i bëri thirrje kryeministrit Hristian Mickoski që të thirr seancë të mbyllur për hapat e ardhshëm për procesin e eurointegrimeve. Nëse nuk e bën këtë, atëherë, siç tha Filipçe, LSDM si grup parlamentar në Kuvend do të iniciojë seancë të mbyllur në të cilën VMRO-DPMNE dhe shumica qeveritare, duhet të sqarojnë nëse kanë plan dhe si do të vazhdojë procesi eurointegrues.

    “VMRO-DMNE dhe shumica qeveritare, ka obligim të thotë se si të vazhdohet në atë rrugë. Kuptohet se partneri i tyre strategjik Hungaria ka thënë se nuk mund të përzihet dhe se nuk mund të ndihmojë më, prandaj qeveria ka përgjegjësi. Unë besoj se kryeministri e ka një obligim të madh, tani duhet të tregojë planin e tij dhe planin e qeverisë. Si do të vazhdojmë, a kanë plan dhe në çfarë harku kohor do ta bëjmë këtë. A po mendojnë ndoshta të jenë pjesë e ndonjë aleance tjetër, a po mendojnë të na lënë të jemi zorrë qore në Ballkan dhe të jetojmë të vetëm, të izoluar dhe pa ndihmë”, tha Filipçe.

    Sipas tij, garnitura qeveritare nuk ka të drejtë ekskluzive për të fshehur planin dhe hapat e ardhshëm nga opinioni. Ai ka theksuar se VMRO DPMNE ka ardhur në pushtet me premtime për përmirësimin e pozitës negociuese me BE-në, por siç thotë ai, “nuk kanë përmbushur asgjë, përkundrazi kanë përkeqësuar marrëdhëniet me fqinjët”.

    Filipçe ka thënë se Qeveria nuk ka dëshirë t’i plotësojë kushtet e Kornizës negociuese që vendi të vazhdojë në rrugën evropiane. Për ndarjen nga Shqipëria, lideri i LSDM-së vlerëson se vendi do të qëndrojë në vendnumëro, nëse qeveria nuk ndërmerr hapa konkretë.

    “Vijon një periudhë serioze ku ne të duhet të qëndrojmë në vend. Tashmë ka një plan, plan serioz, të kryetares së Komisionit Evropian, nga viti 2024 në 2029 për të punuar seriozisht me vendet që janë më përpara rreth procesit të negociatave, me pranimin në pako që duhet të jenë Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia. Por kjo nuk do të ndodhë nëse nuk bëjmë atë që duhet të bëjmë. Kjo do të thotë se na pret punë serioze në vitin 2024, 2025 dhe 2026 dhe nëse nuk fillojmë tani, e kemi lëshuar trenin, mbetemi me Moldavinë, Ukrainën, Bosnjën, Ukrainën”, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

    Ndërkaq, analistët komentojnë përpjekjet e qeverisë për të arritur një marrëveshje të re me Brukselin për vazhdimin e negociatave. Thonë se do të jetë shumë e vështirë për Qeverinë të ketë sukses në sjelljen e ndryshimeve në kornizën negociuese. Sipas analistit politik Petar Arsovski, qeveria i detyrohet opinionit një përgjigje – çfarë do të bëjë nëse dështon në këtë synim?

    “Kryesisht për shkak faktori ndërkombëtar nuk e kupton nevojën tonë për të rishikuar këtë paketë, ata e konsiderojnë atë si një punë të kryer dhe presin që ne të përfundojmë disa detyrime. Meqenëse ne duam ta ndryshojmë këtë, rruga jonë është më e vështirë dhe, për fat të keq, nuk shoh ndonjë motivim as në Bruksel, e veçanërisht jo në Sofje, e cila në fund duhet të pajtohet me një ndryshim të tillë, për të ndryshuar diçka nga ajo paketë. Qeveria duhet të jetë e ndershme dhe duhet ta reduktojë strategjinë e saj në absurditet. Po nëse nuk arrin të ndryshojë paketën? A do t’i thotë më pas jo integrimit evropian? Këtë përgjigje qeveria ia ka borxh opinionit. Mesazhi i nënkuptuar këtu është se ndoshta qeveria tashmë po mendon se çfarë do të bëjë nëse nuk ka integrim evropian, nëse do t’i drejtohet reformave të brendshme, nëse do të kërkojë aleanca të tjera ndërkombëtare. Qeveria thjesht i detyrohet një përgjigje në pyetjen se si të arrihet integrimi evropian pa propozim francez”, tha Arsovski. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Reshjet të mirëseardhura për bujqit në RMV

    Lajmi i rradhës

    Në rritje interesi për investime të huaja në Ballkanin Perëndimor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë