Në Tetovë do të monitorohen me kamera pikat e grumbullimit të mbeturinave

    Edhe pse tashmë komuna e Tetovës ka filluar aksionin që mbetjet inerte nga shtëpitë e qytetarëve t’i grumbullojë pa pagesë, megjithatë kjo dukuri vazhdon të jetë prezente në shumë pjesë të Tetovës. Shumë qytetarë vazhdojnë që të hedhin mbeturinat e ndryshme inerte afër kontejnerëve duke krijuar deponi të egra në pjesët kryesore të qytetit.

    Nga pushteti lokal rikujtojnë se kohë më parë komuna përmes Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova -Tetovë, grumbullimin e bënte me pagesë prej 1000 denarëve, prej javës së kaluar me vendim të këshillit të komunës së Tetovës grumbullimi i këtyre mbeturinave do të bëhet pa pagesë, madje qytetarët vetëm me një lajmërim në numrin e telefonit 044 331 167, punëtorët e kësaj ndërmarrje do të bëjnë transportin falas të këtyre mbetjeve.

    Këshilli i komunës së Tetovës ka vendosur që të largojë tarifën për 1000 denarë për bartjen e mbeturinave inerte nga shtëpitë e qytetarëve. Tash e tutje me këtë vendim transporti i mbeturinave do të jetë falas. Me këtë vendim sipas kryetarit të këshillit të komunës së Tetovës Naim Ismaili, qytetarët do të thirrin përgjegjësit e Ndërmarrjes Publike Komunale dhe ata do të marrin mbeturinat inerte nga shtëpitë e tyre pa asnjë pagesë.

    Por, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, komuna e Tetovës ka publikuar me dhjetëra fotografi të qytetarëve të cilët janë hasur duke hedhur mbeturina inerte pranë kontejnerëve. Ditë më parë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanisë Saubermacher, ku u diskutuan hapat konkretë për ruajtjen e ambientit dhe pastërtinë në qytet. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, do të vendosen kamera monitorimi në të gjitha pikat kyçe të qytetit, me qëllim ndjekjen dhe mbikëqyrjen e situatës.

    ”Komuna e Tetovës apelon të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të mos hedhin mbeturina në vende të papërshtatshme. Çdo shkelje do të përballet me masa ligjore në përputhje me ligjin për pastërti publike. Gjithashtu, qytetarët që kanë material inerte ose mbetje që nuk mund të hidhen në kontejner, janë të lutur të kontaktojnë ndërmarrjen publike, e cila do të kujdeset për bartjen e mbeturinave nga shtëpitë e tyre”, njoftuan nga komuna e Tetovës.

    Pothuajse çdo ditë, komuna e Tetovës ka bërë një sërë apele tek qytetarët që të mos kryejnë këto veprime, megjithatë këta apele kanë hasur në vesh të shurdhër. Madje, qytetarët vlerësojnë se me publikimin e fotografive cenohet privatësia e tyre. Nga ana tjetër, nga komuna e Tetovës theksojnë se qytetarët janë fotografuar duke kryer veprime antiligjore, respektivisht duke ndotur ambientin. Prandaj, nga komuna e Tetovës dhe Ndërmarrja Publike Komunale sqarojnë se do të shqiptohen dënime për personat që ndotin ambientin. Me kamera sigurie do të monitorohen pikat e grumbullimit të mbeturinave. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Lajçak: koha është që ta bëjmë realitet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

    Lajmi i rradhës

    Shifrat e përfaqësimit ‘pa’ dhe ‘me’ Balancerin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë