Mislim Zendeli
Gjetjet e nobelistëve nga fusha ekonomike dhe politikat zhvillimore në Maqedoninë e Veriut Duke lexuar shpjegimet për shtyp që dhanë autorët laruat të çmimit Nobel për ekonomi arrihet deri te konstatimet të cilat janë mjaft interesante e që mund të ndihmojnë në shpjegimin e gjendjes së mjerë ekonomiko shoqërore të vendit ku ne jetojmë dhe veprojmë si shoqëri.
Çmimi Nobel për vitin 2024 në shkencat ekonomike ju nda tre studiuesve: James A. Robinson, Deron Acemoglu dhe Simon Johnson, që të tre nga universitetet amerikane. Ata kanë dëshmuar në mënyrë shkencore rolin dhe rëndësinë e institucioneve shoqërore në shkallën e prosperitetin të një vendi.
Në bazë të materialeve që arrita ti lexoj, nga shkrimet e anëtarëve të komisionit për dhënien e çmimit gjegjës, jam i mendimit se, përmes modelit të shkencëtarëve amerikanë mund të shpjegohen edhe dallimet brenda për brenda shtetit të quajtur Republika e Maqedonisë së Veriut, që kanë ndodhur dhe akoma ndodhin në rrafshin politik, ekonomik dhe shoqëror. Modeli që japin autorët në fjalë mund të përdoret edhe nga shkencëtarët tanë nga fusha e ekonomisë dhe ajo sociale për t ju përgjigjur pyetjes: pse disa rajone apo pjesë të RMV-së janë më të zhvilluara dhe më demokratike e disa jo?
Ata dhanë një shpjegim përse disa vende janë të pasura dhe të tjera të varfra. Për më tepër, shtojnë ata, ky hendek i të ardhurave ndërmjet vendeve më të pasura dhe më të varfra është i vazhdueshëm; edhe pse vendet më të varfra janë bërë më të pasura, ato nuk po arrijnë dot me më të zhvilluarit. Laureatët e këtij viti kanë gjetur prova të reja dhe bindëse për një shpjegim për këtë boshllëk të vazhdueshëm.
Sipas tyre këto dallime nuk dalin nga kushtet gjeografike, klimatike dhe të ngjashme, por nga institucionet e këqija që u krijuan për të shfrytëzuar në rritjen afatgjatë. Vendosja e lirive themelore ekonomike dhe sundimi i ligjit janë faktorë më relevantë që krijojnë këto dallime esenciale.
Në punën e tyre shkencëtarët hulumtuan qytetin Nogales, i cili shtrihet në të dyja anët e kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Megjithëse ndajnë të njëjtën gjeografi, klimë dhe kulturë, jeta e njerëzve në të dyja anët e kufirit dallon shumë. Në Nogales, Arizonë, në veri, banorët gëzojnë gjithmonë shëndet të mirë e jetojnë gjatë, dhe shumica e fëmijëve diplomojnë nga shkolla e mesme. Në jug, në Nogales të Meksikës, banorët janë shumë më të varfër, ndërsa atje ka edhe shumë korrupsion e krim të organizuar.
Sipas tyre funksionimi i institucioneve shoqërore është Sine Qua Non për prosperitetin e një vendi. Shoqëritë me një sundim të dobët të ligjit dhe përmes institucioneve të bëra enkas për një pjesë së shoqërisë që shfrytëzojnë pjesën tjetër të popullatës, nuk gjenerojnë rritje apo ndryshim në mirëqenien e asaj shoqërie si tërësi. Të njejtat gjetje do rezultonin edhe në RMV-së, respektivisht dallimet ekzistuese te pjesët e vendit të banuara me shqiptarë, të cilat institucionet shtetërore ia kanë lënë në mëshirë të mafias politike! Ndëkohë që kjo nuk është në rastin e pjesës së banuar me popullatë maqedone ku, sipas të gjithë indikatorëve më të rëndësishëm, funksionimi i shtetit dukshëm dallon nga pjesa tjetër. Në rastin tonë motivet janë të natyrës etnike e fetare, ndërkaq në rastin e Arizonës, sistemi amerikan e mbron të drejtën e pronës dhe u jep qytetarëve mundësi të përfshihen në vendimmarrje në qeverinë e tyre.
Acemoglu, Johnson dhe Robinson po ashtu ndërtuan një kornizë teorike, e cila shpjegon pse shoqëritë shpesh ngecin në atë që ata e quajnë “kurth” të institucioneve jopërfshirëse?
Nga momenti që themelohen, këto institucione priren të funksionojnë në favor të një elite të vogël, e cila bën fare pak, mos të themi aspak , përpjekje për të mbështetur reformat nga të cilat do të përfitonin masat e gjera të popullatës. Kjo, po sipas tyre, krijon një cikël vetëpërforcues, ku elita përdor fuqinë e saj politike për të ruajtur status quo-në, në kurriz të rritjes ekonomike afatgjatë për vendin në tërësi. Një politikan, një parti, një lëvizje politike, apo një shtet mund të luajë rolin e një vetëmashtruesi për “ecje përpara aty-këtu” me ndihmën e gënjeshtrave dhe mashtrimeve, por në terma afatgjate kjo është një strategji vetë shkatërruese për shtetin dhe shoqërinë në përgjithësi. Siç po shihet edhe në terma të gjata kohore tek ne politik bërësit përmes të a.q. tranzicion krijuan mjegulla strategjike për masën, në veçanti atë shqiptare, për gjoja një zhvillim të barabartë kurse në realitet krijoi disproporcion të dallueshëm zhvillimor, mes rajoneve, qyteteve dhe fshatrave me popullsi të ndryshme, kushte të favorshme për palën maqedonese dhe “pluhurosje-ngjyrosje” sipërfaqësore për atë shqiptare. Shembullin më eklatant i segregacionit institucional e gjejmë në qytetin e Shkupit, ku pjesët e banuara me shqiptarë janë në mënyrën më brutale të lënë pasdore. Kjo shtetit si tërësi iu kthye si bumerang. Maqedonia e Veriut si shtet në këto tridhjetë se sa vite ekzistim pati një vendnumërim dhe ngulfatje të zhvillimit të përgjithshëm ekonomiko shoqëror, pasojat e së cilës i ndjenim, dje siç i ndjejmë dhe sot!
Për fund konsideroj se është nevojë imanente dhe mundësi, për të gjithë ata që thirren në legjitimitet dhe fuqi vendimmarëse, e që janë aktorë politik dhe jo vetëm, të planifikojnë strategjinë zhvillimore të popullit shqiptar brenda kufijve ekzistues të Maqedonisë së Veriut si shtet aspirant i BE-së. Të analizojnë mirë gjetjet e lauratëve të lartpërmendur dhe të gjejnë mënyra që këto modele të vërtetuara shkencërisht ti zbatojnë përmes vizioneve, qëllimeve dhe objektivave zhvillimore.