Rreth 60 kompani morën para nga shteti për projekte inovacioni dhe zhvillimi dhe në vend që t’i zbatonin ato, ose nuk kishin rezultate ose ishin për projekte “fantazmë”, duke e dëmtuar buxhetin me 3.2 milionë euro, tha Nikolla Dodov, ushtrues detyre drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik. Nga revizioni i brendshëm rezultuan parregullsi serioze, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Veprimtarinë e Inovacionit, ku dhjetëra institucione shëndetësore private morën para gjatë krizës me Covid.
“Si pjesë e revizionit që është në proces, ne i kushtojmë vëmendje të veçantë një prej çështjeve kryesore – mbi çfarë baze ligjore dhe nën çfarë procedure institucionet private shëndetësore u bënë përfitues të fondeve nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik. Për momentin po flasim për 50 institucione shëndetësore private që kanë qenë përfituese të fondeve për pesë vitet e fundit. Revizioni i posaçëm për këtë çështje është duke u zhvilluar dhe sapo të marrim informacion, opinion do të informohet në kohë”, deklaroi Nikola Dodov -Drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik FIZHT.
Në vitet e fundit, Dodov thotë se dy qytete në vend kanë marrë para për projekte në disa raste, të cilat, sipas tij, favorizoheshin nga udhëheqja e mëparshme, por ai nuk donte të zbulonte se cilat. Disa kompani morën grante për projekte të ngjashme ose të njëjta, dhe revizioni arriti në përfundimin se shuma të mëdha parash nga fondi u morën nga një kompani e afërt me LSDM-në dhe BDI-në, pronari i së cilës menaxhoi katër kompani të tjera që gjithashtu tërhoqën para nga fondi.
“Është një kompani që lidhet drejtpërdrejt me zyrtarë të lartë nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, dhe ka marrë fonde të konsiderueshme nga paratë shtetërore….(nga 10.15 deri në 10.38 ) Sipas hulumtimit tonë, menaxheri i kompanisë jo vetëm që merr para nga fondi por personi i njëjtë menaxhon katër kompani të tjera të ndryshme që gjithashtu marrin para nga fondi. Është shqetësuese që pothuajse 80 për qind e parave që ata marrin nga këto kompani transferohen në kompaninë e njëjtë për shërbimin e njëjtë gjatë aktiviteteve të projektit”, u shpreh Nikola Dodov -Drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik FIZHT.
Dodov gjithashtu tha se një pjesë e madhe e punonjësve nuk kanë shkuar fare në punë ose me marrëveshje kanë bërë rotacione mes vete dhe kanë shkuar në punë një ditë po, një ditë jo. Në konferencën për shtyp, Dodov nuk zbuloi asnjë emër të kompanisë së përfshirë në keqpërdorime, ndërsa dhe informoi se udhëheqja e re e fondit deri më tani ka arritur të kthejë rreth 600 mijë euro, dhe se mbledhja e plotë e të gjitha borxheve do të bëhet në periudhën e ardhshme. /Alsat/