Duke komentuar faljet e fundit nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga për rastin “Alfa” tha se Agim Islami asnjëherë nuk ka kërkuar falje, dhe se një gjë e tillë e dënon për herë të dytë. Lloga në “Daily Click” tha se Gjykata Themelore Penale në Shkup duhet të marrë parasysh faktet e reja dhe ta lirojë Islamin, përcjell Nistori.
“Po atë që e ka kërkuar Agimi dhe të gjithë qytetarët është që Agimi nuk ka kërkuar falje asnjëherë, sepse falja do të thotë për Agimin që e pranon veprën, sepse Agimi ka kryer më shumë se 17 vjet burg, një falje për Agimin vetëm për disa vite vetëm se e dënon për herë të dytë Agimin. Agimi në këtë proces gjyqësor duhet të tregohet pafajësia dhe duhet të dëmshpërblehet për periudhën e gjatë kohore që ka qëndruar në burg dhe kjo duhet të bëhet një ditë e më parë”, tha mes tjerash Lloga.
Lloga paralajmëron: Siljanovska do të falë të gjithë të dënuarit për rastin “27 Prilli”
Lloga nga ASh tha se faljet e fundit të presidentes janë vetëm skandal që i paraprin skandalit më të madh, që sipas Llogës është amnistia e të dënuarve për 27 Prillin.
“Ky skandal i paraprirë, i paraprin skandalit të ardhshëm i cili unë mendoj që brenda pak kohësh do të jetë amnistimi i të gjithë të burgosurve, apo kriminelëve të dënuar të 27 prillit. Po bëhet një skandal, që mandej të mbulohet skandali i ardhshëm”, shtoi Lloga.
Ish-ministri i Drejtësisë, deklaroi se, me heqjen e përkatësisë etnike në ligjin për evidencat amë, por edhe për nëpunës administrativ, e kthen Maqedoninë në pikën zero që siç tha, në vitin 1991.
Lloga tha se, më nuk ka evidenca se se fëmijë shqiptarë, maqedonas apo të komuniteteve të tjera lindin që sipas tij, Maqedoninë e bën shtet qytetar ku të gjithë janë maqedonas duke krijuar hendek në politikat zhvillimore. /Nistori/