MUNGESA E SHQIPES | Sqarim procedurash në vend të përgjigjes!

    Është duke u zhvilluar një portal i ri në internet i Qeverisë dhe ministrive, diçka që ka filluar nga qeveria e kaluar, janë paguar mijëra euro, por nuk ka përfunduar. Kur portali të jetë gati, ai do të përmbajë të gjitha informacionet që ju interesojnë. Ndërkohë, ruhet portali i vjetër, i cili është i pasigurt dhe është cak i sulmeve të shpeshta të hakerëve.

    Kështu arsyetohet Qeveria për mungesën e gjuhës shqipe në procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë, ndërkohë që të njëjtat publikohen vetëm në maqedonisht. Dhe, në vend të përgjigjes konkrete se pse mungojnë procesverbalet edhe në gjuhën shqipe, pyetje të dërguara nga gazeta Koha, Qeveria ka zgjedhur të shpjegojë procedurat se si zhvillohet dhe si publikohet një i tillë.

    “Ju lutemi kuptoni, Qeveria është e përkushtuar ndaj hapjes dhe transparencës, jo vetëm drejtpërsëdrejti ndaj mediave, por ndaj publikut të gjerë, njerëzve dhe votuesve. Gjithashtu, ju njoftojmë se shërbimi i mbledhjeve përgatit procesverbalin e çdo seance të Qeverisë, pas nënshkrimit të të gjitha konkluzioneve dhe akteve të seancës nga kryesuesi i seancës. Pasi mbyllen të gjitha lëndët (pikat) e seancës, me nënshkrimin dhe zbatimin e tyre, përgatitet procesverbali. Procesverbali përgatitet në atë mënyrë që të kontrollohet se përputhet me evidencën elektronike të e-Qeverisjes, të korrigjohet nomoteknikisht dhe redaktues, pas së cilës propozohet për miratim në njërën nga seancat vijuese. Procesverbali jepet për adoptim pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet për miratimin e tyre dhe më pas publikohet”, thonë për Koha nga shërbimi për komunikim i Qeverisë, por pa u përgjigjur se pse mungon gjuha shqipe, ndërsa publikohen vetëm në maqedonisht.

    Megjithatë, ndryshe nga përgjigjet e Qeverisë, e njëjta nuk i ka nxjerrë edhe në shqip procesverbalet që nga mbledhja e parë. Konkretisht, nga 29 mbledhje që Qeveria e Hristijan Mickosit i ka mbajtur deri më tani, vetëm mbledhja e katërt procesverbalin, krahas gjuhën maqedonase, e ka edhe në shqip. Kjo mbledhje ishte kryesuar nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.

    Përveç kësaj, Koha ditë më parë raportoi se së fundmi, Qeveria ka nis madje të mos i publikojë fare procesverbalet. Për 6 mbledhjet e fundit, mediat dhe qytetarët nuk kanë qasje se për çfarë është vendosur ose për çfarë është biseduar në këto mbledhje.

    Lajmi Paraprak

    RRYMA DHE SITUATA SFIDUESE / Shtrenjtim i butë apo “status kuo”

    Lajmi i rradhës

    Shëndeti i stomakut – Cilat janë mëngjeset që duhet të hani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë