Pse problematizohen projektet infrastrukturore në pjesën shqiptare!

    Urim Hasipi

    Për të qenë korrekt, paralajmërime, prerje të shiritit, lajme bombastike ka pasur gjithmonë. Por, e tërë kjo eufori ka filluar dhe ka përfunduar me aq! Pas prerjes së shiritit, funksionarët janë larguar me vetura zyrtare dhe disa orë më pas është larguar edhe makineria e pranishme në ditën e promovimit të projektit. Ndonjë projekt rrallë e për mall është përfunduar, por jo gjithmonë sipas standardeve. Kjo, zakonisht ka ndodhur me projektet infrastrukturore në Maqedoninë Perëndimore, e që nuk është praktikë në pjesën tjetër të Maqedonisë së Veriut.

    Inicimi i projektut infrastrukturor Tetovë-Prizren i shumë kërkuar nga banorët e rajonit të Pollogut, ka ngjallur “zërat e fjetur” të cilët gjejnë më shumë arsye për të mos e realizuar këtë projekt se sa të gjejnë vullnet të mirë për të filluar këtë projekt. Ajo që na indinjon më shumë në këtë segment është se realizimi i këtij projekti duhet të bëhet me fonde ndërkombëtare e jo me paratë e taksapaguesve të këtij shteti. Këtu fillon diskriminimi i kësaj pjese të shtetit nga pushteti. Kur bëhet fjalë për projekte në zonat lindore të vendit, investimet bëhen me mjete të shtetit, kur bëhet fjalë për projekte infrastrukturore në zonën perëndimore mjetet duhet të gjenden nga fondet ndërkombtare. Pra, parataë e buxhetit të shtetit janë të destinuara vetëm për zonat që janë me shumicë maqedonase.

    Problematizimi i korridorit 8, që kalon përmes vendbanimeve shqiptare, një projekt jetik për zhvillimin e këtyre rajoneve dhe lidhjen me Kosovën dhe Shqipërinë, qartazi u ka penguar qarqeve aktuale në pushtet, të cilët punën e parë që e bënë kur hyrën në qeveri njoftuan për revidimin e projektit. Me gjasë, Korridori 8 nuk do të jetë korridor me plotkuptimin e fjalës, ngase nuk do të ndërtohet hekurudha dhe traseja për gazin, por vetëm rruga. Kjo, le të nënkptohet se sipas të gjitha gjasave lidhja me Shqipërinë përmes transportit hekurudhor nuk do të ndodh edhe për një çerek shekulli tutje. Këtu, duhet të mos harrojmë të përmendim se ky korridor është edhe strategjik për aleatin tonë të përhershëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sa për ilustrim, në pjesën e korridorit 10 D, punët vijojnë në qetësi dhe pa shumë zhurmë, që do të thotë ndërtimi i korridorit 10 D, që përfshinë Maqedoninë Lindore ndërtohet pa asnjë revidim të projektit. Kjo, le të nënkuptohet se bëhet fjalë për diskriminim etnik ndaj shqiptarëve të cilët poashtu janë taksa-pagues të rregullt të këtij shteti. Projekti tjetër, rruga apo autostrada Shkup-Bllacë, një projekt mjaft i rëndësishëm edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Kosovën, si duket edhe për katër vite nuk do të përfundojë ose me gjasë nuk do të fillojë të ndërtohet për një kohë të shpejtë. Arsyetimet për buxhetin e madh që kap kjo autostradë janë tendencioze, sepse qartazi nëse shihet pjesa tjetër nga Bllaca deri në Prishtinë është përfunduar shumë vite më parë. Me një fjalë, edhe nga Kosova edhe nga Shqipëria projektet shqiptare nuk fillojnë ose hasin në kundërshtime.

    Në këtë drejtim, faj kanë edhe partitë shqiptare që në të kaluarën e kanë zvarritur këtë projekt, por edhe ata që janë në pushtet që nuk dalin të flasin konkretisht se, pse autostrada Shkup-Bllacë nuk po përfundon dhe nuk po ndërtohet. Shtuar gjithë kësaj katrahure me projektet në zonat shqiptare edhe paqartësinë me rrugën Tetovë-Prizren, konkluzioni del në mënyrë vetenake se paratë e shqiptarëve në këtë shtet shkojnë për financimin e projekteve në vedbanimet me shumicë maqedonase, duke filluar dhe përfunduar projektet në kohë, pa asnjë zvarritje. Sa për ilustrim, autostrada Shkup-Milladinovci-Shtip, është kryer në kohë dhe pa asnjë problem.

    Fakt tjetër është se autostrada Tetovë-Gostivar më shumë se një dekadë është e tmerrshme për vozitësit, por anjëherë nuk është bërë riparimi i saj. Për të qenë korrekt, një pjesë e fajit mbetet te faktorët politikë që kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë shqiptarët në pushtetin qendror, sidomos në sektorin e financimit të projekteve kapitale, gjithmonë kur ka patur shkurtim të mjeteve nga buxheti, cak i shkurtimit të mjeteve kanë qenë projektet në zonat shqiptare.

    Urim Hasipi është kolumnist i rregullt i Nistori.com. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistorin. Të drejtat e botimit i kanë Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Mësuesi përfundon në polici, një prind e denoncoi për dhunë fizike ndaj të birit

    Lajmi i rradhës

    Toshkovski: emigracioni është sfidë europiane që kërkon përgjigje europiane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë