KORRUPSION DHE MUNGESA E PUNËTORËVE! / Ankesat e investitorëve dhe klima e biznesit

    Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe niveli i arsimimit dhe trajnimit, korrupsioni dhe një mjedis i paparashikueshëm biznesi, janë identifikuar si pengesat kryesore në të bërit biznes. Këtë e tregon një sondazhi i kryer në mesin e kompanive holandeze këtë vit. Rezultatet e anketës u prezantuan nga ambasadorja holandeze, Uzlem Janel. Për më tepër, në shkallën nga 1 deri në 10, pjesëmarrësit në anketë vlerësuan klimën e biznesit në vend me 5.7, që është një rezultat me 6 për qind më i mirë krahasuar me rezultatet e anketës në fundit të vitit 2022.

    Mirëpo, investitorët nga Holanda nuk kanë vetëm kritika, por janë të kënaqur me kostot e ulëta operative, mbështetjen e qeverisë, kërkesën në rritje për produktet e tyre, si dhe lehtësinë e të bërit biznes. Këto janë faktorët kryesorë për zgjerimin e biznesit të kompanive holandeze që operojnë në vend dhe kjo është konstatuar si përfundim në sondazhin e kryer mes kompanive holandeze në vend.

    “Njëherësh 75 për qind e të anketuarve mendojnë se disponueshmëria e shërbimeve publike dixhitale është shumë e rëndësishme për funksionimin e tyre efikas dhe për uljen e kostove”, tha ambasadorja Janel.

    Nga ana tjetër, të dhënat statistikore tregojnë se investimet nga Holanda janë nga më të rëndësishmet në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, shumat më të mëdha të investimeve të huaja direkte në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2021 vijnë nga vendet e BE-së dhe NATO-s, si p.sh Austria (913 milionë euro), Mbretëria e Bashkuar (652 milionë euro), Greqia (612 milionë euro), Holanda (503 milionë euro), Gjermania (471 milionë euro), Sllovenia (460 milionë euro), Bullgaria (244 milionë euro), Hungaria (179 milionë euro), Italia (149 milionë euro)…. Të dhënat e fundit tregojnë se investitorët holandez vetëm në vitin 2023 kanë investuar në vend afër 45 milion euro.

    Ndryshe, anketa e realizuar në mesin e investitorëve gjermanë ku shkon më shumës e gjysma e eksportit vendor si dhe kompanive anëtare të Shoqatës ekonomike të Maqedonisë dhe Gjermanisë tregon se 37 për qind e tyre kanë deklaruar se synojnë t’i zvogëlojnë investimet aktuale të planifikuara, 33 për qind t’i lënë në të njëjtin nivel, ndërsa 30 për qind t’i rrisin investimet. Nëse këto të dhëna krahasohen me vitet e kaluara, mund të vërehet se ka një rënie të lehtë sa i përket investimeve.

    “Një nga faktorët vendimtar është mungesa në rritje e kuadrove profesionale. Rreth 70 për qind e kompanive gjermane në vend konsiderojnë se mungesa e kuadrit profesional është një nga rreziqet më të mëdha, ndërsa mungesa e kuadrit profesional reflekton në prodhimin aktual dhe në reduktimin e investimeve aktuale të planifikuara. Pesëdhjetë e shtatë për qind besojnë se edhe kostot e operacionit janë një nga faktorët e rrezikut dhe 47 për qind besojnë se situata ekonomiko-politike ndikon gjithashtu në të”, vlerësojnë nga Shoqata Ekonomike Gjermane.

    Megjithatë, theksohet se Maqedonia e Veriut mbetet një vend tërheqës për investime për kompanitë gjermane, siç dëshmojnë të dhënat nga anketa se 69 për qind e kompanive kanë deklaruar se do të investojnë sërish në vend. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Akademia që nxit mostolerancën në RMV

    Lajmi i rradhës

    Në Dibër, vazhdon shkatërrimi i pronës së përbashkët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë