Urim Hasipi
Përderisa institucionet ligjzbatuese, zbatojnë ligjet vetëm kur krerët e dikastereve japin instruksione është vazhdim i një padrejtësie të madhe që pritet të ndodhë edhe më tej, ndoshta me instensitet më të lartë. Të jem më i qartë. Inspektoriati Shtetëror i Arsimit ka inspektuar në Shkollën Fillore 7 Marsi në Çellopek, pas deklaratave tendencioze dhe udhëzuese (sugjeruese) të ministres së arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, se inspektoriati duhet të veprojë dhe të dënojë arsimtarin që organizoi shfaqen. Pra, kjo është ndërhyrje ndërinstitucionale, do të thoja flagrante e ministres në punën e inspektoriatit. Është ende më skandaloze se pse inspektoriati duhet të bënte inspektim.
Akoma më i keq është përfundimi. Ministrja jep verdiktin e inspektoriatit që është “Përgjegjësi për mësimdhënësin që ka organizuar manifestimin”. Pra, ministrja ndërhyn në mënyrë direkte në punën e inspektorëve dhe askush nuk reagon.Në këtë formë, ministrja e luan rolin e “gjykatësit”, me një fjalë, ajo vet vlerëson, vet mendon, ajo vet jep urdhëra dhe vet shqipton dënime, pa e pyetur fare inspektoriatin. Kjo është vetëm njëra pjesë e tragjedisë. Që tragjedia të jetë më e madhe, është mesazhi që u dha gjatë ditëve pas festimit të 22 dhe 28 nëntorit.
Janë këta dy ditë, kur shqiptarët në mbarë botën, shënuan këto festa, pa u penguar nga askush, pa u përdhosur nga asnjë popull tjetër, pa u revoltuar asnjë popull tjetër, por vetëm një pjesë e popullit tjetër u kujdes që të prishë tërë këtë festë. Edhe ky problem, kërkon trajtim tjetër nga ana e politikbërësve. Problem në vete është se në të ardhmen, ministrja e arsimit dhe shkencës, do të vrojtojë se çka duhet të veshin fëmijët tanë kur shkojnë në shkollë, çfarë duhet të flasin e kështu me rradhë.Kjo, është hyrje në diktaturë.Nuk ka intepretim tjetër kur dikush tenton të mbisundojë mbi lirinë e shprehjes, veshjes, e sidomos të fëmijëve. Duhej apo jo, që fëmijët të paraqiteshin në skenë me armë prej plastike dhe me llogon e UÇK-së, është temë e gjërë, sepse së fundmi, ne nuk mund të ikim nga e kaluara dhe historia jonë.
Nesër, mund të ndalohet flamuri, mund të ndalohen vjershat dhe prozat për Skënderbeun, për Ismail Qemalin, për Hasan Prishtinën, për Adem Jasharin e kështu me radhë. E tërë kjo nuk është një ëndërr e keqe, por është një realitet të cilin e jetojmë këtyre ditëve. Më e keqja e kësaj anti-shqiptarizmi, kulmoi me djegien dhe largimin e flamujve. Ndoshta e keqja nuk përfundon këtu. E keqja, është se përdhosja e flamurit kombëtar shqiptar, të kalojë në heshtje nga autoritetet e Shqipërisë, është e patolerueshme dhe e pa përtypshme. Nuk ka reaguar as ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Mejdani, as Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, as kryeministri Edi Rama. Heshtja e tyre, është vrasje e dyfishtë për shqiptarët.Paramendojeni, për shumë çështje më banale, Maqedonia e veriut përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka ftuar në bisedë informative ambasadorat e Shqipërisë në disa raste. Kurse, Shqipëria, asnjëherë nuk ka ftuar në bisedë informative ambsadorat e Maqedonisë së Veriut në Shqipëri, për djegien e flamurit kombëtar.
Me këtë neglizhencë, me këtë qasje të vet Shqipërisë ndaj Maqedonisë së Veriut, kur përdhoset simboli kombëtar, shteti i Shqipërisë jep arsye që edhe më tej të përsëriten situata të këtilla ndoshta edhe me përmasa më të mëdha. Autoritetet e shtetit shqiptar, kanë detyrim kushtetues që të përkujdesen për simbolet kombëtare kudo në botë dhe jo vetëm për simbolet por edhe popullatën shqiptare në çdo hapësirë të globit.Heshtja e Edi Ramës, prsidentit Bajram Begaj është heqje dorë nga kjo pjesë e popullit shqiptar. Nuk ka sqarim tjetër kjo heshtje e tyre.
*Urim Hasipi është kolumnist i rregullt i Nistori.com. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistorin. Të drejtat e botimit i kanë Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.