BUXHETI 2025 / Ambicioz, apo joreal?

    Parlamenti i Maqedonisë javën e kaluar e votoi buxhetin për vitin 2025. Zhvillimor për qeverinë, dhe shpërdorues për opozitën .Këto janë vlerësimet për arkën e shtetit. Parashikimet e qeverisë janë që vitin e ardhshëm do të shpenzohen 6.5 miliardë euro rekord ose mbi 600 milionë euro më shumë se këtë vit. Nga taksat, kontributet dhe tarifat e tjera planifikohet të mblidhen 5.8 miliardë euro nga qytetarët dhe kompanitë ose mbi 600 milionë euro më shumë.

    Deficiti buxhetor është parashikuar në 4 për qind të PBB-së ose mbi 670 milionë euro. Ministrja e Financave, Gordana Koçoska paralajmëroi një cikël të fuqishëm investues, ku imperativ do të jetë edhe konsolidimi financiar. Ajo pret që viti 2024 të përmbyllet me rritje shumë më të lartë sesa ishte projektuar, borxhi publik të jetë më i ulët, realizimi i investimeve kapitale në vitin e ardhshëm do të jetë i lartë dhe të realizohen edhe të ardhurat e planifikuara në buxhet.

    Në projekte kapitale do të investohen 47 miliardë denarë, ndërsa me gati 350 miliardë denarë, pa ndërprerje do të paguhen pagat, pensionet, subvencionet. Projeksionet për vitin 2025 parashikojnë rritje ekonomike prej 3.7 për qind, inflacion 2.2 për qind, rritje të eksporteve 4.2 për qind dhe rritje të importeve 4.4 për qind.

    Opozita kritikon sepse, sipas tyre, qeveria refuzoi amendamentet e tyre për rritjen e pagave për punëtorët. Ata akuzojnë se në vend të një standardi më të lartë jetese për qytetarët, buxheti është shprehje e papërgjegjshmërisë dhe arbitraritetit të qeverisë.

    “Nuk do të ketë ndryshim të normave tatimore në vitin e ardhshëm dhe kjo nuk parashikohet as në Buxhetin e vitit 2025 dhe as në Strategjinë Fiskale. Fokusi ynë do të jetë në ekonominë gri dhe prej andej nuk ka frikë për mbledhjen e të hyrave. Hapësira në ekonominë gri është e madhe, e cila sipas disa të dhënave jozyrtare është rreth 40 për qind dhe ne kemi mundësi ligjore ti paguajmë. Pak ditë më parë u shpall tenderi për faturën elektronike, i cili pritet të rezultojë me një vjelje më serioze të TVSH-së dhe një koordinim dhe komunikim më të madh ndërmjet institucioneve – Drejtorisë së Tatimeve, asaj Doganore, Policisë Financiare pikërisht për të evidentuar dobësitë e sistemi dhe të eliminohen të gjitha ato veprime të kompanive në zonën gri”, tha ministrja e Financave.

    Opozita nga ana tjetër kritikon se Buxheti për vitin 2025 ka mungesë të gjithëpërfshirjes, papërgjegjësi fiskale dhe përparësi të gabuara. Deficiti buxhetor prej 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto tejkalon maksimumin e lejuar me ligj dhe është një tregues i qartë i papërgjegjësisë në menaxhimin e financave publike. Qeveria injoron ligjin dhe rekomandimet e ekspertëve, duke rrezikuar stabilitetin ekonomik.

    “Qeveria e krijon buxhetin pa i përfshirë qytetarët, sindikatat dhe komunitetin e biznesit, duke treguar një qasje arrogante dhe të izoluar. Gjithëpërfshirja është një parim thelbësor për menaxhim të përgjegjshëm, dhe injorimi i saj është një gabim serioz”, thotë deputeti Fatmir Bytyqi nga LSDM. Ajo që na nevojitet është një buxhet gjithëpërfshirës që investon në njerëzit, ekonominë dhe të ardhmen e shtetit. Menaxhimi i përgjegjshëm do të thotë më pak borxhe dhe më shumë investime në stabilitet dhe përparim, shton ai.

    Rritja e PBB-së prej 3.7 për qind mund të jetë e pamundur, projeksioni i rritjes së të hyrave buxhetore prej 12.8 për qind është ambicioz, ndërsa projeksioni i shpenzimeve kapitale në nivelin mbi 800 milionë euro mbetet i shënuar si “mbioptimist”. Rritja e kostove të Fondit Pensional me 14.8 për qind, e nxitur nga rritja lineare e pensioneve, dobëson konsolidimin fiskal dhe është burimi kryesor i rrezikut të inflacionit në vitin 2025. Këto janë pjesë e indikacioneve të Institutit për Kërkime Ekonomike “Finance Think” për buxhetin e ardhshëm të shtetit, dhe kryhet “në kushtet e një dinamike të lehtë të intensifikuar të aktivitetit ekonomik, por edhe në një ekonomi që funksionon ende nën normën e tij potenciale të rritjes, si dhe në kontekstin e inflacionit të frenuar që është ende mbi nivelin që bankat qendrore barazojnë me çmime të qëndrueshme.

    Ekspertët e Institutit vlerësojnë se dy normat e parashikuara – rritja e PBB-së prej 3.7% dhe çmimet prej 2.2% janë reflektim i arsyeshëm i trendeve aktuale ekonomike dhe paraqesin bazë solide për projektimin e buxhetit. Veçanërisht në aspektin e PBB-së, projeksioni mbështetet nga fillimi i zbatimit efektiv të projekteve kyçe të infrastrukturës, cikli i paralajmëruar i investimeve në nivel vendor dhe mbështetja e shtuar e investimeve private. Megjithatë, shtohet, norma e parashikuar mbetet nën presionin e pasigurive në mjedisin ekonomik, nga pritshmëritë e rishikuara së fundmi për arritje më të ulëta në ekonomitë e partnerëve kryesorë tregtarë, mbi të gjitha në ekonominë gjermane.

    “Në rast të një materializimi më domethënës të rreziqeve për rritjen e kontinentit evropian, duke përfshirë edhe ndryshimet e paralajmëruara në politikën tregtare nga SHBA, të cilat mund të kenë një ndikim negativ në tregti dhe rrjedhimisht në rritje dhe çmime, duke arritur rritj . prej 3,7% për ekonominë maqedonase do të bëhet e pamundur”, shkruan në komentin e “Finance Think”.

    Njëherësh vlerësohet se rritja e të ardhurave në buxhet prej 12.8 për qind në buxhet është tepër optimiste në raport edhe me uljen e ekonomisë gri.

    Rritja e kostove të fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore prej 14.8% është nxitur qartë nga rritja lineare e realizuar (shtator 2024) dhe e parashikuar (mars 2025) e pensioneve. Këta dy zëra janë veçanërisht të rëndësishëm sepse dobësojnë konsolidimin fiskal dhe mbeten një reflektim i karakterit ekspansionist të politikës fiskale, dhe si rrjedhim një burim kryesor i rrezikut inflaçioniste në vitin 2025”, thekson Finance Think. Lidhur me investimet kapitale që janë rritur me 13 për qind, dhe orientohen ndaj rritjes së efektivitetit të tyre si dhe me intensfikimin e projekteve kryesore infrastrukturore, rreziqet potenciale mbeten. Megjithatë, theksohet se duhet të merret parasysh edhe kapaciteti i kufizuar institucional për realizimin e investimeve publike, siç dëshmohet nga fakti se nga mesi i nëntorit 2024 kostot kapitale janë realizuar vetëm deri në 42.8%. E pra, sipas kësaj, realizimi deri në fund të vitit do të shkonte në 500 milionë nga 725 milionë euro të parashikuara.

    “Ky tregues është dërrmues. Parë në këtë këndvështrim, projeksioni i shpenzimeve kapitale për vitin 2025 në nivelin mbi 800 milionë euro mbetet i shënuar si ‘mbioptimist’ dhe me rrezikun e njohur që ato të reduktohen ndjeshëm gjatë ribalançimit të parë të Buxhetit”. Në këtë kontekst është edhe apeli i “Finançe Think” – mjetet që nuk do të realizohen nga shpenzimet kapitale të planifikuara për vitin 2025, dhe nuk janë të lidhura me kredi dhe grante të dedikuara, nuk duhet të ripërdoren për shpenzime rrjedhëse, por vetëm ndikojnë në realizim më të ulët të deficitit buxhetor. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    BASTISJE DHE ARRESTIME / Luftë korrupsionit apo hakmarrje politike?

    Lajmi i rradhës

    Ky ushqim në mëngjes, mbron imunitetin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë