Edhe pse Gjykata Kushtetuese vendosi të shtyjë vendimin mbi Ligjin më të diskutueshëm mbi përdorimin e gjuhës shqipe, megjithatë ende mbetet i paqartë fati i tij, i cili varet nga vendimi që do të sjell Kushtetuesja në janar të vitit 2025. Në rast të minimizimit të përdorimit zyrtar të shqipes në institucionet e pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv, atëherë me automatizëm shkelet edhe mbi Marrëveshjen paqësore të Ohrit. Ervan Fuere – studiues i lartë në Qendrën për Studime Politike Evropiane në Belgjikë, ish-diplomat i Bashkimit Evropian me një karrierë 38-vjeçare dhe ish-ambasador i BE-së në Maqedoninë e Veriut, në prononcim për gazetën Koha thotë BE si një nga garantuesit e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duhet të sigurohet që kushtet e Marrëveshjes të respektohen plotësisht.
“Nuk jam i njohur me historikun e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Por ajo që mund të them është se çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën dhe simbolet në shoqëritë pas konfliktit janë gjithmonë të mbushura me emocione të thella. U deshën, për shembull, mbi 25 vjet pas marrëveshjes së paqes të së ‘Premtes së Mirë’ të vitit 1998 që palët e Irlandës së Veriut të binin dakord për një Ligj për gjuhët. Këto janë çështje që mund të zgjidhen vetëm me marrëveshje reciproke, duke përdorur jo një çekan, por me stilolaps e letër dhe vullnet të mirë për të gjetur rrugën e duhur përpara. Në ndërkohë, BE-ja si një nga garantuesit e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duhet të sigurohet që kushtet e Marrëveshjes të respektohen plotësisht”, tha Fuere për Koha.
Në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar 13 iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe të pjesëve të ligjit. Iniciativat vijnë nga partitë politike (LEVICA dhe një nga VMRO DPMNE sa ishte në opozitë), sektori civil dhe profesorët universitarë, ndërsa i referohen rekomandimeve të Komisionit të Venecias për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Sipas nismave të dorëzuara në Gjykatë Kushtetuese, Ligji është antikushtetues pasi, sipas tyre, parashikon që gjuha shqipe të jetë gjuha e dytë zyrtare në të gjitha institucionet e pushtetit qendror. Neni 2 i Ligjit thekson se shteti dhe autoritetet lokale janë të obliguara të komunikojnë në të gjitha procedurat përveç gjuhës maqedonase, edhe në gjuhën shqipe.
“Në institucionet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga neni 1 paragrafi (3) i këtij ligji, gjuhë zyrtare, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, është edhe gjuha që flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shkrimi i saj në: komunikim, përdorimin dhe zbatimin në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve që e përbëjnë pushtetin shtetëror…”, thuhet në nenin 2 paragrafi 3 të Ligjit.
“Në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, në procedurat e ekzekutimit të sanksioneve, në procedurat parahetimore dhe hetimore, në procedurat penale dhe të kundërvajtjes, në procedurat kontestimore dhe jokontestimore, si dhe në procedura të tjera para gjykatave, prokurorive publike, si dhe të gjitha organet, organet dhe institucionet përkatëse, gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe gjuhën dhe shkrimi i gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve”, thuhet në nenin 9 të Ligjit.
Kontestohet dhe nuk zbatohet neni 8, i cili ndër të tjera parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në kartëmonedha dhe në uniformat e policisë dhe ushtrisë.
“Kartëmonedhat dhe monedhat, si dhe pullat postare do të përmbajnë simbole që paraqesin trashëgiminë kulturore të qytetarëve që flasin gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik dhe gjuhën që flasin së paku 20 për qind e qytetarëve dhe shkrimin e saj. Uniformat e policisë, zjarrfikësve, shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, ato janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në nenin 8 paragrafi 1 dhe 3.