Në Ohër dhe Strugë “vlon” droga. Shqetësuese janë edhe shifrat për rritjen e kriminalitetit në këto dy komuna. Në Strugë vetëm në gjysmën e parë të vitit dukuria ka shënuar rritje prej 18%, pra numri i veprave është 160. Sipas buletineve të policisë më mirë nuk është as në zonën e Ohrit, ku dominojnë rastet e konfiskimit të drogës, vjedhje, grabitje dhe rrahje.
“Në këtë pjesë, për fat të keq, kemi shumë lëvizje, sidomos të brezit të ri, ku shihen nëpër automjetet e tyre, xhipat e tyre, prania e substancave ilegale, qoftë heroinë, kokainë e shumë gjëra të tjera. Kemi prezencë, kemi gjetur dhe po punojmë në këtë drejtim. Vështirë se dikush do të jetë në gjendje ta ndalojë këtë menjëherë”, deklaroi Abdulkerim Kamberi- komandant i SPB Strugë.
Profesori Stefan Budxhakoski thotë se më shqetësuese janë të dhënat për përdoruesit e drogës dhe shtimi i numrit të shitësve.
“Kjo konfirmon tezën se në rajonin e Ohrit dhe Strugës, por edhe në Maqedoni, ka numër të madh të njerëzve që përdorin droga të ndryshme, më të zakonshmet janë marijuana, kokaina, heroina, por edhe eksperimentimi i llojeve të reja të drogës të cilat janë veçanërisht të pranishme te popullata më e re. Ne kemi nevojë për më shumë profesionalizim për t’i parandaluar këto aktivitete të paligjshme të lidhura me drogën. Prania nuk do të thotë që shitësit nuk operojnë. Kjo teknikë dhe praktikë e shitjes është e llojllojshme”, tha Stefan Buxhakoski- ish zyrtar i lartë i policisë.
Në 6 muajt e parë në Strugë janë regjistruar 26 vepra penale, 25 për tregti të paligjshme me drogë dhe një për tregti me armë ndërsa 20 kallëzime penale janë dorëzuar në Prokurorinë publike të Strugës. Këshilltarët edhe pse e kanë përkrahur raportin e policisë, kërkojnë angazhim më të madh, për siguri më të madhe.
“Veçanërisht shqetësues është fakti që kemi 30 vepra që kanë të bëjnë me vjedhje dhe 36 me vjedhje të rënda. Në rastet e vjedhjeve të rënda, në të 36 veprat kemi autor të panjohur, që do të thotë se autorët nuk janë zbuluar. Shqetësues është edhe fakti që kemi 25 vepra të lidhura me drogë”, u shpreh Elisaveta Koçoska Veljanoska- këshilltare.
Ekspertët besojnë se ka nevojë për më shumë edukim të të rinjve, në lidhje me këtë çështje, në të gjitha sferat e shoqërisë. /Alsat/