Mediumi i njohur botërisht RT (Russia Today) që ka edhe versionin në gjuhën serbe, ka ndërmarrë një fushatë kundër gazetarit nga Gjilani, Vudi Xhymshitit, i cili jeton dhe vepron në Londër. Ky medium mëton që “armiqtë tanë (pra të Serbisë) janë armatosur mirë” dhe sulmi vjen “nga radhët e shqiptarëve, madje “pak para raundit të ri të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel”, njofton Nistori.
Deri te kjo fushatë erdhi si rezultat të një lajmi të publikuar nga Vudi Xhymshiti në portalin e tij FrontPow, në të cilin thuhet që, Maher Al-Assad – vëllai i diktatorit sirian, Bashar Al-Asad – fshhet në Serbi.
Sipas portalit RT, Xhymshiti sulmon Serbinë me akuza për lidhje më të përforcuara me Rusinë, Kinën e Iranin. Më tej, portali vazhdon të merret me figurën e Xhymshitit, duke e konsideruar si një “luftëtar kundër së vërtetës”, por nuk merret aspak me ato që gazetari shkruan, pra të hedh poshtë ose të konfirmojë raportimet për vendndodhjen e vëllait të diktatorit të rrëzuar sirian.
Në fushatën e RT kundër gazetarit Vudi Xhymshiti, përmendet edhe çështja e ish-diplomatit amerikan, Gabriel Escobar, për të cilin, Vudi Xhymshiti pati raportuar që i dërguari i ShBA për dialogun Kosovë-Serbi ishte “liruar” nga detyra. Për këtë lajm Xhymshiti ishte sulmuar ashpër edhe nga gazetari Berat Buzhala dhe portali sBunker të cilët dolën në mbrojtje të diplomatit amerikan. Sipas tyre, raportimet e Xhymshitit ishin të rreme. Mirëpo këto mëtime të Buzhalës e portalit sBunker nuk mund të dëshmohen lehtësisht. Kërkimet e bëra deri më tani çojnë në qarkullimin e të njëjtit informacion në burime të njëjta të lajmit dhe të asnjë komunikimit zyrtar nga ShBA.
Redaksia jonë konfirmoi që burimi i raportimeve të Xhymshitit për çështjet e përmendura më lartë janë mediumet si Associated Press, Geopost, Foreign Policy, TimeTurk. Vudi Xhymshiti, gazetar dhe fotograf që ka raportuar nga konflikti ruso-gjeorgjian, pastaj Siria, lufta në Ukrainë, konflikti armeno-azerbajxhanas, etj., ka raportuar vazhdimisht për zhvillimet në Kosovë, Ballkan e Lindje të Mesme, por ka qenë cak i sulmeve të ngjashme nënçmuese dhe linçuese. /Nistori/