Muzeu i Dibrës që pret legalizimin

    Tani më katër vite, Dibra ka Muzeun e Qytetit, ku deri tani janë grumbulluar një numër i madh i eksponateve edhe atë në bazë humane nga qytetarët. Komuna e Dibrës, e cila faktikisht hapi këtë muze, ka ndërmarrë të gjithë aktivitetet me qëllim që sa më shpejt të institucionalizohet. Institucionalizimi i muzeut do të mundësojë zgjerimin e tij, por edhe bashkëpunimin me Muzeun e Peshkopisë, ku faktikisht ka edhe një numër të madh të dokumenteve dhe eksponateve të cilët drejtpërdrejt i dedikohen edhe Dibrës, meqë Dibra është një krahinë e përbashkët dhe ndarja kufitare është gjë tjetër. Dibra e Madhe siç quhet Dibra, dhe Dibra e Vogël siç quhet Pershkopia, kanë një histori, një kulturë dhe një traditë të përbashkët.

    Por bashkëpunimi me Muzeun e Peshkopisë ngec për shkak se deri tani, Muzeu i Dibrës nuk është institucionalizuar. Nga Komuna thonë se janë ndërmarrë aktivitete që të sigurohen mjete nga Ministria e Kulturës për të bë institucionalizimin e Muzeut të Dibrës.

    Në pushtetin vendor të Dibrës potencojnë se hapja e Muzeut në Dibër në vitin 2021, është një hap i madh për mbrojtjen e eksponateve, të cilët nga viti në vit po zhdukeshin. Këtu shtojnë se planifikohet që edhe Muzeu i Dibrës të rritet në një Muze të madh, meqë Dibra e meriton këtë. Me plot histori kombëtare shqiptare, Dibra nuk guxon të mbetet pa një institucion të këtillë”, thonë në Komunë.

    Koordinatori për grumbullimi të eksponateve, Atli Dema, për gazetën Koha thotë se deri tani janë grumbulluar mbi 1000 eksponate.

    “Janë eksponate të ndryshme, të cilët janë dhuruar nga qytetarët. Enët shtëpiake me vlera, fotografi shumë të vjetra, pajisje të vjetra bujqësore dhe eksponate të tjera grumbullohen çdo ditë. Qytetarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e muzeut dhe apeli për grumbullimin e eksponateve vazhdon. Presim që shumë shpejt të rritet numri i eksponateve”, thotë Dema. Sipas tij, tani për tani bëhet fjalë për një muze të përgjithshëm, meqë nuk ka filluar ndarja sipas sferave.

    Ai shton se aktualisht problemi është me nevojën që ky muze të institucionalizohet, me çka do të punësohet edhe një ciceron. Muzeu gjendet në galerinë e qytetit, respektivisht në Hamamin e Ri të Dibrës. Objekti është atraktiv, por nevojitet që në të ardhmen e afërt, ai të ndahet në pavione, siç është ndarë edhe Muzeu i Peshkopisë, ku funksionojnë pavionet për arkeologji, histori, etnografi, si dhe Odat e miqve, veshjeve tradicionale dibrane dhe oda e enëve.

    Nga ana e Muzeut të Peshkopisë ka gatishmëri për të ndihmuar muzeun e Dibrës së Madhe. Kjo është përcaktuar edhe gjatë vizitës të ambasadorit të Republikës të Shqipërisë, Denion Maidani, në Dibër ku së bashku me kryetarin e Dibrës, Hekuran Duka, kanë vlerësuar se ndihma është shumë e nevojshme dhe domethënëse. Koordinatori i Muzeut në Dibër, Atli Dema, shton se disa herë gjatë një javë muzeun dibran e vizitojnë shumë turistë të vendit dhe të huaj, si dhe nxënës dhe studentë.

    Komuna potencon se vazhdon apeli për grumbullimin e eksponateve dhe pritet që numri i tyre të rritet. Por kur jemi tek eksponatet e vjetra të sferave të ndryshme, të potencojmë se shumë nga eksponatet që kanë qenë nëpër shtëpitë e vjetra të dibranëve, janë zhdukur. Popullata pas tërmetit katastrofal që goditi Dibrën në vitin 1967, hodhi shumë eksponate edhe atë enë, fotografi, pajisje dhe dokumente, duke pastruar gërmadhat në shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti. Por tentohet që ata eksponate që kanë mbetur e që kanë vlera muzeore, të grumbullohen sërish.

    Lajmi Paraprak

    RMV ‘vuan’ nga mungesa e shtigjeve për biçikleta

    Lajmi i rradhës

    Mbi tezën ilire e pellazge të prejardhjes së shqiptarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë