Arsim Leskovica
Dashuria dhe urrejtja janë dy ndjenja thelbësore që përcaktojnë shumë nga sjelljet dhe mënyrat tona të të menduarit e të jetuarit. Megjithatë, për mua, fraza “dashuri” bart një ndjesi të fortë irritimi. Kjo sepse dashuria shpeshherë paraqitet si një ideal universal, por praktikisht është e mbushur me kontradikta, të fshehta dhe josinqeritete. Kur po i shkruaj këto rreshta, nuk po mbështetem tek kujtime të largëta nga veprat e lexuara apo teori të thelluara filozofike. Ato burojnë natyrshëm nga përvoja ime personale dhe nga ndodhitë e njerëzve të dashur për mua.
Dashuria dhe urrejtja nuk kanë nevojë për përkufizime të ndërlikuara – ato janë forca që “ndërkombëtarizojnë” qenien tonë, duke na lidhur jo vetëm me vetveten, por edhe me universin njerëzor. Nëse ndjenjat e dashurisë dhe të urrejtjes janë të rrënjosura në vetë esencën tonë, për t’i kuptuar ato nuk kemi nevojë të kërkojmë jashtë, sepse çdo përvojë, çdo dhimbje, dhe çdo kënaqësi që ato sjellin, vjen nga brendësia jonë. Dhe ndoshta për këtë arsye, për të shkruar për këto ndjenja, gjithçka që duhet është të dëgjoj ritmin e zemrës dhe peshën e shpirtit. Dhe megjithëse këto reflektime burojnë nga përvoja personalee gjithsecilit prej nesh, e ndiej të domosdoshme të sjell disa zëra të autorëve që më kanë ndihmuar të shoh më qartë thellësinë e këtyre ndjenjave. Në këtë mënyrë, mund të them se ndodhem në një pozicion të ngjashëm me atë të një fëmije që, kur nuk arrin ta kuptojë një situatë, kërkon përgjigje nga një autoritet më i lartë.
Nga ana tjetër, urrejtja duket më e sinqertë, më e drejtpërdrejtë dhe më përfundimtare. A mund të konsiderojmë se urrejtja është një pasqyrë më e pastër e emocioneve tona, ndërsa dashuria një maskë e ndërthurur me pritshmëri dhe gënjeshtra?
Në Simpoziumin e Platonit, dashuria përkufizohet si “dëshira për të poseduar atë që nuk ke.” Ky përkufizim tregon një anë të fshehur të dashurisë, atë të mungesës dhe të nevojës për të plotësuar boshllëqet tona. Nga kjo perspektivë, a mund ta quajmë dashurinë një iluzion të krijuar nga ndjenja e pamjaftueshmërisë?
1. Dashuria si një çështje e hapur dhe e fshehtë
Dashuria shpesh portretizohet si një ndjenjë sublime, por realiteti na tregon një histori tjetër. Brenda saj fshihen pritshmëri të pashprehura, sakrifica të heshtura dhe manipulime emocionale. Në një marrëdhënie ku personi pretendon dashuri, por në fakt manipulon, kontrollon dhe dëmton, është një shembull klasik i dashurisë së maskuar. Kjo marrëdhënie konsumon energjinë emocionale dhe vetëbesimin, duke lënë pas një boshllëk që kërkon kohë për t’u mbushur. Në të kundërt, një marrëdhënie ku urrejtja është e hapur, edhe pse e dhimbshme, të jep një pozicion të qartë dhe të lejon të vazhdosh përpara pa iluzione.
Nëse e kisha ilustruar me një shembull më konkret, më afër bindjes sime do të ishte shembulli i zjarrit dhe helmit. Shumë shpesh, kur i sodit ngjarjet, raportet, situatat, prej një distance kohore, na bëhet e qartë që dashuria paskësh qenë një zjarr i ngadaltë që digjet brenda dhomës së mbyllur. Në fillim të ngroh e të jep dritë, por më vonë, tymi i padukshëm të mbyt. Nga ana tjetër, helmin që ta japin hapur, pa ekuivoke, ndonëse është e dhimbshme, dhënësi i helmit nuk pretendon të të shpëtojë apo të të mbajë në jetë.
Sipas Frojdit, dashuria shpesh buron nga nevojat tona të pavetëdijshme për siguri dhe konfirmim. Ai argumenton se ndërsa dashuria mund të duket e pastër, në të vërtetë, ajo shërben si një mekanizëm për të mbuluar frikësimet tona më të thella.
Në kontekstin kulturor, dashuria shpesh ndikohet nga pritshmëritë sociale. Për shembull, pritjet për dashuri romantike sikur në filma dhe letërsi shpesh nuk përkojnë me realitetin, duke krijuar zhgënjime e vegulli. Niçeja, në aforizmat e tij, shkruan: “Në dashuri gjithmonë ka pak çmenduri. Por gjithmonë ka pak arsye në çmenduri.” Kjo thënie thekson dualitetin e ndjenjës, ku pasioni dhe logjika janë në konflikt të vazhdueshëm.
Një aspekt që vlen të theksohet është se fraza “dashuri” në botën moderne është komercializuar tej çdo mase. Dashuria, që dikur konsiderohej si një ndjenjë e shenjtë dhe sublime, sot shpesh shitet si një mall në treg. Ky komercializim ndikon jo vetëm në mënyrën si e perceptojmë dashurinë, por edhe në thellësinë/shpirtin e saj. Ngjashëm, edhe emrat e profetëve dhe mesazhet e tyre shpesh janë përdorur si instrumente për përfitime personale. Dashuria që ata predikonin për botën shpesh është transformuar në urrejtje dhe përçarje, duke theksuar hipokrizinë që mund të ekzistojë në emër të ndjenjave të shenjta.
Një tjetër dallim i rëndësishëm është mes dashurisë së sinqertë dhe pasionit të çastit. Dashuria, e ndërtuar mbi respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, ka një qëndrueshmëri që pasioni momental nuk e zotëron. Për shembull, lidhjet martesore që zgjasin dekada shpesh dëshmojnë se dashuria e sinqertë kërkon përkushtim dhe durim për të tejkaluar vështirësitë e jetës. Në të kundërt, pasioni momental, siç shihet në lidhjet kalimtare, shpesh ofron kënaqësi të menjëhershme por të përkohshme, pa një bazë të qëndrueshme emocionale. Ky i fundit shpesh është një reagim ndaj impulseve fizike ose emocionale, që shteron sapo mbaron intensiteti fillestar. Siç e përshkruan Erih Fromi (Erich Fromm) në The Art of Loving, dashuria e vërtetë kërkon përkushtim, disiplinë dhe pjekuri, ndërsa pasioni është një flakë që shpesh shuhet shpejt.
2. Urrejtja si një ndjenjë e sinqertë dhe përfundimtare
Në krahasim me dashurinë, urrejtja duket më e qartë dhe më e ndershme. Një person që shpreh urrejtje rrallëherë ndjen nevojë për të fshehur emocionet e tij. Urrejtja, përkundrazi, shpesh është një pasion aktiv dhe një mekanizëm mbrojtës që lind si reagim ndaj plagëve ose tradhtive. Psikanalisti britanik John Bowlby, në teoritë e tij për lidhjet emocionale, argumenton se urrejtja mund të jetë një mënyrë për të mbrojtur vetveten nga dëmtimet e mëtejshme emocionale.
Një shembull i fuqishëm i sinqeritetit të urrejtjes mund të gjendet edhe në letërsinë bashkëkohore, ku shpesh urrejtja pasqyrohet si një forcë e drejtpërdrejtë që nuk pranon kompromise. Siç thotë Elie Wiesel: “Urrejtja është një pasion aktiv, ndërsa indiferenca është mungesa e saj.” Në këtë kuptim, urrejtja mund të konsiderohet si një pasqyrë më e pastër e emocioneve të njeriut.
Dashuria dhe urrejtja shpesh janë të ndërthurura. Karll Jungu argumenton se këto dy ndjenja nuk janë të kundërta, por thjesht ndryshojnë në drejtimin që marrin. Një shembull interesant i këtij dualiteti mund të gjendet në historitë letrare si Romeo dhe Xhulieta, ku dashuria dhe urrejtja ndikojnë në fatin tragjik të personazheve.
Urrejtja shpesh buron nga dashuria e zhgënjyer ose nga pritshmëritë e paplotësuara. Kur dashuria dështon të përmbushë premtimet e saj, ajo mund të shndërrohet në urrejtje, duke theksuar lidhjen e pandashme mes këtyre dy emocioneve. Ky dualitet thekson natyrën kontradiktore të qenies njerëzore, e cila përpiqet të harmonizojë pasionet dhe logjikën.
Dashuria dhe urrejtja janë dy forca që “ndërkombëtarizojnë” qenien tonë. Ndonëse dashuria shpesh idealizohet, ajo është e ngarkuar me të fshehta dhe pasiguri. Urrejtja, ndërkaq, shpesh na paraqitet si një pasion më i pastër dhe më i drejtpërdrejtë.
Në fund, mbetet pyetja: a mund të ekzistojë një dashuri e sinqertë, apo gjithmonë do të jemi të detyruar të pranojmë fshehtësinë e saj? Siç thotë, (përsëri po e citoj) Elie Wiesel (i mbijetuari i holokaustit), “E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, është indiferenca.”
Kjo edhe për faktin se indiferenca paraqet mungesë totale të interesimit. Është një shpërfillje e cila nënkupton një mosangazhim emocional ose moral ndaj dikujt ose diçkaje. Kësisoj, indiferenca rezulton si më e dëmshme, sepse nuk përmban asnjë përpjekje për të kuptuar, ndihmuar ose për t’u përballur me një problematikë. Megjithëse urrejtja konsiderohet si gjëja më e ligë, dhe kjo anatemohet anekënd botës me gjeneralizime të pakuptimta, ne pak flasim për një të keqe edhe më të madhe siç është indiferenca. Andaj, më shumë se urrejtja, indiferenca është një mohim i ekzistencës së njeriut. Sepse urrejtja shpesh ndihmon për të kuptuar një ndjenjë të thellë, edhe pse të dëmshme, indiferenca është më e tmerrshme – ajo është mungesa e çdo ndjenje, çdo reagimi, çdo lidhjeje njerëzore, dhe, në këtë mënyrë, një mohim i plotë i vlerës dhe qenies njerëzore.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.