Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski ka thënë se formularët për aplikim për licenca për shqiptarët që do t’i kërkojnë do të jenë në gjuhën shqipe.
“Në të gjithë territorin siç e dini gjuha zyrtare është gjuha maqedonase, por të gjithë ata, në këtë rast shqiptarët që duan do të kërkojnë formularin për aplikim në gjuhën shqipe ose licenca, do të jetë e formuluar saktësisht sipas Kushtetutës dhe ligjit për Gjuhët, në mënyrë që ta kenë këtë të drejtë”, tha Mickoski.
Pasi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova refuzoi ta nënshkruajë dekretin, nga Qeveria thanë se Ligji për mbrojtjen e fëmijëve do të përpunohet dhe do t’i dorëzohet Kuvendit.
Nga Qeveria shkurt kanë thënë se procedura do të zhvillohet në përputhje me afatet ligjore.
“Si Qeveri, informojmë se ligji do të përpunohet dhe do t’u prezantohet deputetëve në përputhje me procedurat ligjore”, kanë deklararuar nga Qeveria.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova më 31 dhjetor 2024 i ka dërguar njoftim kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi se nuk do ta nënshkruajë dekretin për Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, pasi sipas saj, amendamentet e votuara përmbajnë disa dispozita kontroverse. Kjo i referohet amendamenteve për licencat në dy gjuhë.
Presidentja ka kërkuar rishikimin e dispozitave të neneve 9 dhe 10 të projektligjit. Siljanovska Davkova tha se nenet e parashikuara të ligjit duhet të rishqyrtohen në prizmin e amendamentit 5 të Kushtetutës dhe ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve.
“Dëshiroj t’ju rikujtoj se mënyra e përdorimit të gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik, dhe gjuha që flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimi i saj tashmë janë të rregulluara me ligj”, thuhet në sqarimin e Siljanovskës.
Siljanovska-Davkova thekson edhe dispozitën e nenit 182, paragrafi 5 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, me të cilin rregullohet mënyra e marrjes, vazhdimit dhe revokimit të licencës për punë, formën dhe përmbajtjen e formularit të licencës, të cilat i përcakton ministri.