Kush e ka kap gjyqësorin?

    Gjyqësori është fusha në të cilën subjektet politike shqiptare kanë vazhduar përplasjet e tyre politike. VLEN dhe BDI shkëmbejnë akuza të drejtpërdrejta ndaj njëra-tjetrës. Kjo e fundit akuzon VLEN-in për kapje të institucioneve të drejtësisë, ndërsa koalicioni shqiptarë në pushtet akuzon BDI-në për lirimin e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho MIjallkov.

    Përmes një konference për media, zëdhënësi i koalicionit VLEN, Driton Sulejmani theksoi se rasti i lirimit të parakohshëm të ish-drejtorit të DSK-së ishte si shkak i raportit të drejtorit të burgut në Strugë, Valon Qira, i cili sipas VLEN-it, kishte raportuar se “është paraqitur si person i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm, me normë të pranueshme morale të sjelljes dhe tërësisht i është përmbajtur rregullave të shkruara”.

    “Në mjedisin ku ka qëndruar ka manifestuar sjellje shembullore, përshtatshmëri, marrëdhënie të mira me persona të tjerë të dënuar, raport korrekt me persona zyrtarë të kyçur në procesin e risocializimit”, citoi pjesë të raportit zëdhënësi i VLEN-it.

    VLEN konsideron se ky raport ka krijuar bazë për vendimin e Apelit për të liruar para kohe Sasho Mijallkovin.

    “Gjykata e Apelit duke u bazuar në raportin e drejtorit të burgut ka vendosur lirimin e Mijallkovit shtatë muaj para mbarimit të dënimit të tij dhe kjo është arsye se pse ai sot gjendet në Monako me Ferrari. Ky vendim është një shembull i qartë i sistemit të drejtësisë dhe institucioneve për interesa politike, por njëherësh e dëshmojnë edhe më shumë koalicionin Ali Ahmeti, Artan Grubi, Enver Bexheti dhe Sasho Mijallkovi”, ka akuzuar Sulejmani në konferencë për media.

    Nga ana tjetër, BDI konsideron se vendimet e fundit të gjykatave për lirimin e disa rasteve të rëndësishme gjyqësore të lidhura me pushtetin nuk janë të rastësishme, por pjesë e një skenari të mirëkoordinuar politik për të shkatërruar themelet e shtetit të së drejtës dhe për ta vënë drejtësinë në shërbim të interesave të pushtetit. Emërimi i Adrian Demirit, të cilin BDI e konsideron si një aktivist të njohur të VLEN-it, si anëtar i Këshillit të Prokurorëve, nuk është rastësi, por vetëm një hap tjetër në instalimin e eksponentëve të kësaj strukture brenda institucioneve të pavarura.

    “Ashtu siç VLEN-i që u krijua për të shërbyer një agjende të caktuar politike, për të dobësuar shqiptarët dhe për të devijuar rrugën euroatlantike të vendit, tani po përdoret gjyqësori për të zhbërë vendimet e mëparshme dhe për të favorizuar individë të lidhur me pushtetin. BDI nuk do të qëndrojë indiferente ndaj këtij procesi të rrezikshëm. Kapja e institucioneve nga individë të instaluar politikisht nuk është vetëm një kërcënim për drejtësinë, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për qytetarët në Maqedoninë e Veriut dhe për perspektivën evropiane të vendit”, akuzojnë nga BDI.

    Nga partia e Ali Ahmetit madje i bëjnë thirrje edhe faktorit ndërkombëtarë të ndërhyjë dhe të mbikëqyrë këtë kapje të institucioneve.

    Përndryshe, rasti i fundit ku kishte aktvendim të ri ishte për rastin “Fortesa”, ku ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, u lirua nga akuzat lidhur me përgjimet masive. Ish-shefi i kabinetit të Mijalkovit, Toni Jakimovski, mori dënim prej 3 vitesh burg, ku përfshihet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, ndërsa në mungesë u dënuan edhe Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët janë të pakapshëm për organet e drejtësisë. Grujevski u dënua me 14 vjet e 6 muaj burg, ndërsa Boshkovski me 9 vjet e 10 muaj.

    Në mesin e të akuzuarve ishte edhe ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijalkov, të cilit iu vjetruan veprat në rastin më të madh “Target-Fortesa”, pasi para se të shfuqizohej vendimi, çështja qëndroi në sirtar për nëntë muaj në duart e gjyqtarit të Apelit, Enver Bexheti. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Tetovë, legalizimi deri në mars të vitit 2026

    Lajmi i rradhës

    E ardhmja e rrezikuar e NIS-it pas sanksioneve amerikane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë