Sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia e Punësimit, në fund të vitit të kaluar u arrit numri më i ulët i qytetarëve të papunëve në vitet e fundit. Konkretisht, numri i të papunëve ka rënë në 96.828 persona, ndërkohë që 44.118 individë të tjerë janë kërkues aktiv një vendi pune. Për krahasim, në janar të vitit 2024, numri i të papunëve ishte 105.803 dhe 46.881 qytetarë të tjerë kërkonin punë. Muaj më pas ka pasur rritje të numrit të të papunëve, duke arritur deri në 106.618 persona të papunë dhe 47.273 punëkërkues aktiv. Megjithatë, pas kësaj periudhe, ka ndodhur një reduktim i vazhdueshëm i numrit të të papunëve, duke arritur kulmin në fund të vitit, shkruan gazeta Koha.
Analistët e Institutit për Kërkime Ekonomike dhe Politika “Finance Think” kanë vlerësuar uljen e papunësisë si një sinjal pozitiv për ekonominë. Ata theksojnë se një pjesë e madhe e vendeve të reja të punës janë krijuar në sektorin e bujqësisë dhe në industri.
“Ky zhvillim tregon se ka pasur rritje të aktivitetit ekonomik në këto sektorë, të cilët mund të kenë kontribuar në përmirësimin e tregut të punës dhe në uljen e papunësisë. Ky është një trend që mund të ketë ndikim të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, duke krijuar mundësi të reja për punësim në sektorë që kanë potencial për rritje”, thuhet në hulumtimin e “Finance Think”.

Papunësia në tremujorin e tretë të 2024 u ul lehtë në 12.3 për qind. Në këtë tremujor vijon ulja e kufizimeve në tregun e punës, duke qenë se janë krijuar afër 7000 vende të reja pune dhe është përmirësuar aktiviteti i popullsisë (52.6 për qind). Edhe pse ulja e papunësisë është një zhvillim pozitiv, analistët e “Finance Think” theksojnë se ka disa aspekte që kërkojnë vëmendje. Ata vërejnë se shumica e vendeve të reja të punës janë krijuar në sektorët e bujqësisë dhe industrisë, ndërsa tregtia ka treguar një rënie në numrin e punëtorëve.
Kjo do të thotë se, edhe pse ka pasur rritje në disa sektorë, në tregti, sektori që zakonisht ka ndikim të madh në ekonominë e përgjithshme, nuk ka pasur një rritje të ngjashme të numrit të vendeve të punës. Rënia e punësimit në këtë sektor është evidentuar krahasuar me tremujorin e kaluar dhe po ashtu me të njëjtin tremujor të vitit 2023, duke ngritur pyetje mbi stabilitetin e mundshëm të këtij sektori në periudhën e ardhshme. Të dhënat e Agjencisë së Punësimit tregojnë se në mesin e të papunëve janë edhe 20 doktorë shkencash, 564 master shkencash, si dhe gati 6000 qytetarë me arsim të lartë që kërkojnë punë.
Sipas të dhënave, grupi më i madh i qytetarëve të papunë përbëhet nga ata me arsimin më të ulët, kryesisht ata që nuk kanë arsim të plotë ose kanë vetëm arsim fillor. Ky grup përbën rreth 59,000 punëkërkues.
Po ashtu, ka një numër të konsiderueshëm prej gati 8000 qytetarëve me arsim të mesëm të paplotësuar që janë në kërkim të punës. Edhe ata me arsim të mesëm të përfunduar përballen me vështirësi në gjetjen e punës, pasi rreth 22.811 persona të tillë janë gjithashtu në kërkim të mundësive të punës. Ky fakt tregon për një sfidë të vazhdueshme në lidhje me mundësitë e punësimit për individët me nivele më të ulëta arsimi dhe sugjeron nevojën për përmirësimin e aftësive dhe kualifikimeve të fuqisë punëtore, për të përballuar kërkesat në tregun e punës.






