Vitet e fundit, një trend i dukshëm në shoqërinë tonë ka qenë vonimi i martesave dhe ndryshimi i modeleve tradicionale të lidhjeve familjare. Ky fenomen është i lidhur ngushtë me disa faktorë, përfshirë ndryshimet sociale, ekonomike dhe kulturore. Të rinjtë po zgjedhin të shtyjnë martesën për shkak të dëshirës për pavarësi financiare, zhvillim personal dhe shkaktohet edhe nga faktori i migracionit. Kjo ka çuar në ndryshimin e strukturës së martesave, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë krijimin e një lidhjeje stabile dhe të qëndrueshme.
Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), numri i martesave të lidhura në vitin 2023 ka pësuar një rënie prej 1.6 për qind krahasuar me vitin 2022, duke arritur në 12.672 martesa të lidhura. Kjo ulje e numrit të martesave është një pasqyrë e ndryshimeve që po ndodhin në shoqëri. Një tjetër aspekt interesant është se martesa e parë është shumë më e shpeshtë, me pjesëmarrje prej 93.2 për qind për femrat dhe 92.2 për qind për meshkujt. Ndërsa martesat e dytë dhe të tretë janë më të pakta, me pjesëmarrje prej 7 për qind dhe 0.8 për qind përkatësisht, dhe këto janë kryesisht të përfshira nga meshkujt.
Vitet e fundit, sipas ESHS-së shumica e martesave janë lidhur në grupmoshën 25 deri në 29 vjeç, me 4.228 martesa ose 33.4 për qind për gratë dhe 4450 martesa ose 35.1 për qind për burrat. Megjithatë, një ndryshim i rëndësishëm ka ndodhur në moshën mesatare të martesave, ajo është shtyrë më shumë, duke arritur në 27.5 vjeç për gratë dhe 30.1 vjeç për burrat. Ky ndryshim reflekton një prirje të rinisë për të vonuar martesat dhe për të vendosur për prioritetet e tjera para angazhimeve familjare. Në të njëjtën kohë, numri i divorceve ka shënuar një rritje prej 9.4 për qind krahasuar me vitin 2022, duke arritur në 1765 divorce në vitin 2023.
Përveç këtyre faktorëve, sociologët vërejnë se ka një ndikim të rëndësishëm të migracionit. Një pjesë e madhe e të rinjve kanë zgjedhur të largohen nga vendi për të kërkuar mundësi më të mira jashtë vendit, dhe kjo ka ndikuar në numrin e personave të disponueshëm për të formuar familje.
Sociologu Arben Rrustemi i cili ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me të rinjtë, për gazetën Koha tregon se ndryshimi i këtij fenomeni është i shumanshëm.
“Një pjesë e madhe e vajzave që i afrohen të tridhjetave ankohen për faktin se mundësitë për të gjetur një partner janë shumë më të pakta, veçanërisht në disa zona rurale. Shpesh ato ndjehen të mbingarkuara nga pritshmëritë familjare dhe shoqërore për të krijuar një familje, por edhe për të gjetur dikë që ndan të njëjtat vlera. Nga ana tjetër, djemtë shpesh e shohin këtë problem në një dritë të kundërt, duke theksuar se vajzat janë shumë të përqendruara në aspekte materialiste dhe shpesh kanë kërkesa të larta. Ky ndryshim i pritshmërive mund të ketë ndikuar në vështirësinë për të krijuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe martesore”, theksoi sociologu.
Ai gjithashtu shton se migracioni ka pasur një ndikim të dukshëm në këtë proces, pasi shumë të rinj, veçanërisht ata që janë larguar për studime ose mundësi më të mira pune, kanë humbur lidhjen me mundësitë që mund të ofronte shoqëria vendase për lidhje të qëndrueshme. Sipas Rrustemit, një tjetër faktor që po ndikon në këtë fenomen është rritja e numrit të individëve me orientime të ndryshme seksuale dhe ndjenjat e heshtjes që ata përjetojnë në shoqëri.
“Rritja e pranishme e individëve me orientime të ndryshme seksuale po ka ndikim, pasi shumë prej tyre ndjehen të detyruar të mbajnë heshtjen për orientimin e tyre dhe zgjedhin të shmangin institucionin e martesës për të shmangur presionet shoqërore dhe diskriminimin. Pjesa më e madhe e individëve që identifikohen si pjesë e komunitetit LGBT shpesh zgjedhin të mos martohen, pasi ndjehen të diskriminuar dhe të pasigurt në shoqëri. Kjo ka ndikuar gjithashtu në shtyrjen e martesave dhe ka bërë që individët të kërkojnë mundësi për t’u shprehur dhe jetuar në mënyra që nuk janë të kufizuara nga normat tradicionale”, informoi ai.
Ndryshe, e njëjta tendencë po vërehet edhe në shumë vende të rajonit, ku individët, për arsye të ngjashme, po shtyjnë martesat dhe po zgjedhin pavarësinë për të shmangur kufizimet që vijnë me institucionin e martesës.