Studentët kalojnë natën afër urës së bllokuar në Novi Sad

    Qindra studentë në Serbi, të përkrahur edhe nga qytetarë tjerë, e kanë kaluar natën në afërsi të Urës së Lirisë në Novi Sad, në kuadër të bllokadës 24-orëshe. Bllokada ka nisur më 1 shkurt, në tremujorin e incidentit në këtë qytet, ku kanë vdekur 15 persona, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të qytetit.

    Studentët besojnë se incidenti është pasojë e korrupsionit qeveritar në një projekt të madh infrastrukturor me një kompani shtetërore të Kinës.

    Në nisje të protestës më 1 shkurt, protestuesit kanë bllokuar për tri orë edhe dy urat tjera të Novi Sadit, Varadin dhe Zhezhel.

    Në mbrëmjen e së shtunës, figura të njohura publike dhe kulturore kanë folur para protestuesve. Protestuesit kanë qëndruar në afërsi të urës, nga frika se ajo mund të mbingarkohej. Bllokada 24-orëshe në Urën e Lirisë pritet të përfundojë në orën 15:00 të së dielës, mirëpo mund të zgjatet, nëse ashtu merren vesh protestuesit.

    Qytetarët duke përgatitur ushqime për protestuesit.
    Qytetarët duke përgatitur ushqime për protestuesit.

    Studentëve në Novi Sad u janë bashkuar edhe kolegët e tyre prej Beogradit, të cilët kanë ecur për dy ditë prej kryeqytetit. Në protestë ka pasur edhe qytetarë prej rajoneve tjera të Serbisë.

    Prej incidentit të 1 nëntorit në Serbi, mijëra njerëz kanë protestuar rregullisht nëpër rrugë.

    Novi Sad, 2 shkurt.
    Novi Sad, 2 shkurt.

    Protestat e vazhdueshme kanë rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, më herët gjatë javës, dhe një mori koncesionesh të bëra nga Qeveria populiste, e cila bën përpjekje të qetësojë rezistencën.

    Megjithatë, studentët kanë insistuar se do ta vazhdojnë protestën deri në realizim të kërkesave të tyre.

    Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.

    Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

    Autoritetet, në anën tjetër, pretendojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat. /REL/

    Lajmi Paraprak

    AUV asgjësoi 110kg ushqime të pasigurta në kuzhinat e spitaleve në RMV

    Lajmi i rradhës

    Çfarë po ndodh me trupat e Koresë së Veriut që luftojnë kundër Ukrainës në vijën e frontit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë